Blog6 Aug 2018

A është teknologjia sekreti për të pastruar oqeanet?

Oqeanet tona janë të kërcënuara nga tri sfida kryesore: ndryshimet klimatike, peshkimi dhe ndotja. Ndotja plastike është një shqetësim në rritje dhe ka fituar vëmendjen ndërkombëtare nga qeveritë, mediat dhe grupe të mëdha të publikut, pjesërisht të nxitur nga dokumentari i vitit të kaluar i BBC “Blue Planet II” dhe imazhet e tij të balenave dhe të zogjve të ngatërruar në ose duke gëlltitur mbeturina plastike.

Autor: Rick Stafford Weforum
Printo

Mbeturina në plazh pranë Dar es Salaam, Tanzani. Foto ilustruese: Wikipedia.

Pavarësisht vëmendjes që ka marrë ndotja plastike, disa shkencëtarë mendojnë se kjo është më pak e rëndësishme nga kërcënimet kryesore detare dhe se ndryshimet klimatike dhe peshkimi kërkojnë më shumë vëmendje urgjente.

Kjo nuk do të thotë që plastika nuk është një çështje e rëndësishme. Po, është, sidomos në disa pjesë të botës në zhvillim dhe në sistemet e mëdha të hapura të oqeanit, ku rrymat e oqeanit takohen dhe aty mblidhen të gjitha ato që mbajnë këto rryma. Hulumtimet kanë zbuluar gjithashtu se mikroplastika (fragmente të vogla që formohen ndërsa në det shpërbëhen pjesë më të mëdha plastike) gjenden në prodhimet e detit dhe plastika madje mund të grumbullohet edhe pasi kalon në zinxhirin ushqimor.

“Ocean Cleanup”

Një arsye pse ndotja plastike duket se merr më shumë vëmendje sesa kërcënimet e tjera ndaj oqeanit është se çështja mund të “ndreqet” në aspektin  teknologjik. “Ocean Cleanup” është zgjidhja teknologjike për plastikën detare dhe propozon përdorimin e disa pengesave 600 metra të gjata, të cilat të pluskojnë në rrymën e oqeanit dhe të mbledhin plastikën që pluskon në ujërat sipërfaqësore.

E shpikur nga një student 19-vjeçar, ideja është kritikuar vitet e fundit me shqetësime që variojnë që nga aftësia e projektit për të arritur mikroplastikën e deri te dëmtimi i gjallesave të egra.

Megjithatë, “Ocean Cleanup” ka kapur imagjinatat duke u përpjekur ta ndryshojë në shkallë të madhe problemin e plastikës në oqean.

Ne jemi të njohur me idenë që ne të gjithë mund të bëjmë diçka për të parandaluar përfundimin e plastikës në det, siç është refuzimi i kallamave prej plastike dhe përdorimi i një shishe uji që mund të rimbushet. Megjithatë, ndërsa ne duhet të përdorim më pak, ne duhet gjithashtu të prodhojmë më pak dhe të hedhim më pak nga kjo. Kjo do të thotë jo vetëm ndryshime në sjelljen individuale, por edhe ndryshime në proceset industriale dhe politikat qeveritare në mbarë botën.

Ndikimi vizual i ndotjes plastike dhe nivelet e larta të interesit publik mund të jenë thelbësore për disa zgjidhje. Në shumë vende, pastrimet e plazheve lokale ndodhin rregullisht dhe po fitojnë me shpejtësi popullaritet. Është sugjeruar gjithashtu që pavarësisht pikave të nxehta me mbetje plastike ne oqeane, shumë sende të mëdha plastike i merr deti dhe një pjesë e konsiderueshme e mbeturinave plastike që përfundojnë në det vijnë nga komunitetet bregdetare apo ata të lumenjve.

Mendoni në nivel global, veproni në nivel lokal

Kjo garanton shpresë për krijimin e rrjeteve të komunitetit që mund të luftojnë ndotjen e plastikës në nivel lokal. Këto rrjete duhet të zgjerohen përtej pastrimit të plazhit apo lumit për të përfshirë dhe angazhuar grupe të shumta dhe individë në shoqëri.

Këto palë të interesuara, të cilët kanë një interes të përbashkët në oqeanet e shëndetshme, duhet të përfshijnë shitësit lokalë të cilët mund të ofrojnë skema të kthimit të shisheve dhe materialeve të tjera të riciklueshme dhe madje të reduktojnë ose eliminojnë shitjen e produkteve të tilla si kallame plastikë, filxhanë kafeje një përdorimësh, qese plastike dhe enë plastike për të marrë ushqim me vete.

Këshillat vendorë mund të ngrenë ndërtesa për grumbullimin e mbeturinave ose riciklim për vizitorët e plazhit dhe të vendosin gjoba për hedhjen e mbeturinave pranë plazheve dhe lumenjve.

Komunitetet përgjegjëse për menaxhimin e mjedisit të tyre lokal kanë treguar se janë efikas në zonat bregdetare, por problemet gjithnjë lindin me ngritjen e këtyre qasjeve në nivel kombëtar ose ndërkombëtar.

Ekziston një nevojë e qartë për politika që mbështesin nismat lokale, në vend që t’i luftojnë ato. Për shembull, politikat qeveritare duhet të bëjnë thirrje menjëherë për ndalimin e paketimit plastik jo të rëndësishëm, në vend që “të punojnë për një objektiv eliminimi të mbetjeve plastike të shmangshme deri në fund të vitit 2042”, siç tregon aktualisht plani mjedisor 25 vjeçar në Mbretërinë e Bashkuar.

Paketimet duhet të bëhen menjëherë të riciklueshme dhe skemat e nxitjes së riciklimit, siç është pagesa për riciklim, duhet të futen shpejt, përtej qasjeve të përdorura nga shitësit lokalë.

Zgjidhjet teknologjike mund dhe duhet të jenë pjesë e qasjes tonë ndaj problemeve mjedisore, pavarësisht nga ndotja plastike ose ndryshimet klimatike. Megjithatë, ato mund të jenë pjesë e një zgjidhjeje.

Skemat që ndryshojnë qëndrimet dhe fuqizojnë komunitetet në nivel lokal mund të jenë efektive në mbarë botën, por ata kanë nevojë për mbështetje nga politikat kombëtare dhe ndërkombëtare për të sjellë ndryshime reale. Aktualisht, ndotja dhe burimet natyrore etiketohen si viktima të nevojshme në ndjekjen e rritjes ekonomike.

Mungon politika mbështetëse për komunitetet bregdetare dhe derisa kjo të vihet në vend, nuk do të dalë asnjë mrekulli e teknologjisë së lartë për të na shpëtuar.

Marrë me autorizim nga Weforum.org