Analize13 Jun 2018

A mund të shpëtohet Euro?

Nëpër të gjithë eurozonën, udhëheqësit politikë po hyjnë në një gjendje paralize: shtetasit dëshirojnë të mbeten në BE, por ata dëshirojnë gjithashtu që të mos ketë më masa kursimi dhe të ketë një rikthim te mirëqenie. Por për sa kohë Gjermania i thotë atyre se nuk  mund t'i kenë të dyja, kjo do të sjellë vetëm një rezultat: më shumë dhimbje, më shumë vuajtje, më shumë papunësi dhe rritje edhe më të ngadaltë.

Autor: Joseph E. Stiglitz Project Syndicate Nju Jork
Printo

Flamuri i Bashkimit Europian. Foto: Kirsty Wigglesworth/AP

Euro mund të jetë në prag të një krize tjetër. Italia, ekonomia e tretë më e madhe në Eurozonë, ka zgjedhur atë që mund të përshkruhet më së miri si një qeveri Euroskeptike. Kjo nuk duhet të habisë askënd. Përplasja në Itali është një episod tjetër i parashikueshëm (dhe i parashikuar) në sagën e gjatë të organizimit difektoz të monedhës së përbashkët, në të cilën fuqia dominuese, Gjermania, pengon reformat e nevojshme dhe këmbëngul në politika që i përkeqësojnë problemet strukturore, duke përdorur retorikë që dukshëm synon të ndezë pasione.

Italia ka ecur keq që kur u krijua euro. Prodhimi i Brendshëm Bruto real i saj (i përshtatur me inflacionin) më 2016 ishte në të njëjtin nivel si më 2001. Por e gjithë eurozona si e tërë nuk ka ecur shumë mirë. Nga viti 2008 deri më 2016, PBB reale e saj u rrit me vetëm 3% në total. Më 2000, një vit pasi u krijua euro, ekonomia e SHBA-së ishte vetëm 13% më e madhe se sa ajo e Eurozonës; më 2016 ajo ishte 26% më e madhe. Pas një rritjeje reale me 2.4% më 2017 – jo mjaftueshëm për të kapërcyer dëmet e një dekade krize – ekonomia e Eurozonës po dobësohet sërish.

Nëse një vend ecën keq, fajin për këtë e ka ky vend; nëse shumë vende ecin keq, fajin e ka sistemi. Siç e thashë unë në librin tim Euro: Si Monedha e Përbashkët Kërcënon të Ardhmen e Europës,euro ishte një sistem pothuajse i dizajnuar për të dështuar. Ajo ia hoqi qeverive mekanizmin kryesor të pështatjes (përcaktimin e interesave dhe të kursit të këmbimit); dhe, në vend që të krijonte institucione të tjera për të ndihmuar vendet të përballeshin me situata të ndryshme ku mund të binin, ajo imponoi kufizime të reja – shpesh të mbështetura në teori politike dhe ekonomike të diskretituara – mbi deficitet, borxhet e madje edhe politikat strukturore.

Euro supozohej të sillte mirëqenie të përbashkët, e cila mund të forconte solidaritetin dhe të sillte përparime në objektivin europian për integrim. Në fakt ajo ka bërë krejt të kundërtën, duke ngadalësuar rritjen dhe duke mbjellë përplasje.

Problemi nuk qëndron te mungesa e ideve se si mund të lëvizet përpara. Presidenti i Francës

Emmanuel Macron, në dy fjalime të mbajtura në Sorbonë shtatorin e kaluar dhe kur mori Çmimin Karli i Madh për Unitetin e Europës në maj, ka artikuluar një vizion të qartë për të ardhmen e Europës. Por Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel efektivisht ka hedhur ujë të ftohtë mbi propozimet e tij, duke sugjeruar, për shembull, shuma qesharake parash për t’u investuar në fusha në të cilat ka nevojë urgjente për investime.

Në librin tim, unë theksova nevojën urgjente për një skemë të përbashkët për sigurimin e depozitave, për të shmangur tërheqjen e depozitave në vendet e dobëta. Gjermania duket se e pranon rëndësinë e një bashkimi bankar për funksionimin e monedhës së përbashkët, por, njësoj si Shën Augustini, përgjigjja e saj ka qenë, “O Zit, më bëj të pastër, por jo tani.” Bashkimi bankar në dukje është një reformë që duhet të ndërmerret diku në të ardhmen, nuk ka rëndësi se çfarë dëmi po ndodh sot. Problemi kryesor i zonës monetare është si të korrektohen problemet në kursin e këmbimit, të tilla si ato me të cilat po përballet Italia sot. Përgjigjja e Gjermanisë është të hedhë barrën mbi vendet e dobëta të cilat sakaq po vuajnë nga papunësia e lartë dhe ritmi i ulët i rritjes ekonomike. Ne e dimë se çfarë sjell e gjitha kjo: më shumë dhimbje, më shumë vuajtje, më shumë papunësi e madje edhe rritje më të ngadaltë. Edhe nëse rritja rimëkëmbet, PBB nuk arrin kurrë nivelin që do të kishte arritur në rast se do të ndiqej një strategji më e arsyeshme. Alternativa është që të zhvendoset një pjesë e barrës së përshtatjes te vendet e fuqishme, me paga më të larta dhe kërkesë më të lartë të mbështetur nga programet qeveritare të investimeve.

Ne kemi parë aktet e para dhe të dyta të kësaj drame shumë herë tashmë. Një qeveri e re është zgjedhur, duke premtuar se do të bëjë një punë më të mirë në negociatat me Gjermaninë për t’i dhënë fund masave të kursimit dhe për të dizajnuar një program më të arsyeshëm reformash strukturore. Nëse gjermanët nuk luajnë nga vendi, kjo nuk e ndryshon rrjedhën e gjërave në ekonomi. Ndjenjat antigjermane rriten dhe çdo qeveri, pavarësisht nëse i përket qendrës së majtë apo qendrës së djathtë, që sugjeron se ka nevojë për reforma, nxirret nga zyra. Partitë anti-estabilishment fitojnë pikë. Përplasja shtohet.

Nëpër të gjithë eurozonën, udhëheqësit politikë po hyjnë në një gjendje paralize: shtetasit dëshirojnë të mbeten në BE, por duan gjithashtu t’i japin fund masave të kursimit dhe të rikthehen te mirëqenia. Atyre u kanë thënë se nuk mund t’i kenë që të dyja. Gjithnjë me sytë nga Europa veriore ku shpresohet të ndodhë ndryshimi, qeveritë në telashe ruajnë vijën e tyre, ndërkohë që vuajtjet për popujt e tyre rriten.

Qeveria socialiste e kryeministrit të Portugalisë António Costa përbën përjashtim nga kjo tendencë e përgjithshme. Costa ia doli të udhëheqë vendin e tij te rikthimi i rritjes ekonomike (2.7% më 2017) dhe të arrijë një shkallë më të lartë popullariteti (44% e portugalezëve mendojnë se qeveria po punonte më mirë nga sa pritej në prill 2018).

Italia mund të rezultojë një përjashtim tjetër – veçse në një kuptim shumë të ndryshëm. Atje, ndjenjat anti-euro gjenden si në të majtë ashtu edhe në të djathtë. Tashmë që partia e ekstremit të djathtë Lidhja e Veriut është në pushtet, Matteo Salvini, udhëheqësi i kësaj partie dhe një politikan me eksperiencë, mundet me të vërtetë të kryejë kërcënimet që fillestarët gjetkë nuk guxojnë t’i bëjnë. Italia është mjaftueshëm e madhe, dhe ka ekonomistë të shumtë krijues, për të menaxhuar një dalje de facto – duke krijuar në praktikë një sistem me dy monedha dhe me kurs fleksibël, i cili mund të ndihmojë për të rikthyer mirëqenien. Kjo mund të dhunojë rregullat e Euros, por barra e largimit de jure, me të gjitha pasojat e saj, pas kësaj do të zhvendoset në Bruksel dhe Frankfurt ndërsa Italia mund të besojë se një paralizë në BE mund të shmangë ndarjen finale. Cilatdo qofshin pasojat e kësaj, eurozona do të mbetet e dobësuar.

Nuk ka nevojë që kjo të ndodhë. Gjermania dhe vendet e tjera në Europën veriore mund ta shpëtojnë euron duke treguar më shumë humanizëm dhe më shumë fleksibilitet. Por, duke parë aktet e para të kësaj drame shumë herë, nuk jam i bindur nëse ata janë të gatshëm të ndryshojnë skenar.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Can the Euro Be Saved?