Analize20 Jan 2021

A mund t’i besohet sërish Amerikës?

Pas euforisë fillestare për fitoren e Joe Biden ndaj Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2020, europianët që atëherë e kanë parë politikën amerikane të zbresë në një dhunë anti-demokratike. Një sondazh i kohëve të fundit sugjeron se mund të duhet shumë kohë para se besimi i tyre në marrëdhëniet transatlantike të mund të rikthehet përsëri.

Autor: Carl Bildt Project Syndicate Stokholm
Printo

Flamuri amerikan. Foto: Pixabay.

Një psherëtimë lehtësimi përfshiu të gjithë Europën kur u bë e qartë se Joe Biden do të zëvendësonte Donald Trump-in në Shtëpinë e Bardhë. Lidershipi i ri në Shtetet e Bashkuara do të nënkuptonte se pas katër vjet përçarje në marrëdhëniet transatlantike, kishte ardhur më në fund një epokë bashkëpunimi konstruktiv për çështje bilaterale dhe globale.

Por gjatë javëve të fundit, ajo ndjesia e mëparshme e lehtësimit ia ka lënë vendin nervozizmit ndërsa skena politike e SHBA-së është zytur në thellësi të reja mosfunksionimi. Institucionet demokratike të Amerikës i kanë rezistuar sulmeve ndryshe nga çdo gjë që është parë që nga Lufta Civile. Sulmi ndaj Kapitolit më 6 janar – i transmetuar drejtpërdrejt dhe që habiti të gjithë botën – nuk do të harrohet shpejt.

Urrejtja dhe përbuzja për demokracinë e shfaqur nga kryengritësit nuk do të zhduken me largimin e Trump. Miliona mbështetës të Trump në të gjithë vendin do të vazhdojnë të besojnë se zgjedhjet u vodhën. Trump e ka lënë shoqërinë amerikane thellësisht të plagosur dhe Europën me një ndjenjë të qëndrueshme nervozizmi dhe shqetësimi për të ardhmen e aleatit të saj prej një kohe të gjatë.

Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga fillimi i dhjetorit, kur Komisioni Euopian publikoi një dokument që përshkruan vizionin e tij për bashkëpunimin e ripërtërirë BE-SHBA. “Me një ndryshim të administratës në SHBA, një Europë më këmbëngulëse dhe nevojën për të hartuar një botë post-koronavirus”, liderët e BE-së panë një “mundësi që vjen një herë në një brez për të hartuar një axhendë të re transatlantike për bashkëpunimin global”. Shpresat ishin të mëdha. Biden dhe ekipi i tij mbresëlënës i këshilltarëve kanë bërë të qartë se ata do të kontaktojnë miqtë dhe aleatët për të adresuar sfidat e ngutshme globale të tilla si ndryshimet klimatike, kërcënimet ndaj shëndetit publik dhe rritja e pushtetit të Kinës.

Por ndërsa institucionet dhe qeveritë europiane do të qëndrojnë të gatshme t’i përgjigjen thirrjes së Amerikës, ato nuk duhet t’i marrin lehtë gjërat. Erërat kanë ndryshuar. Një sondazh i 11 vendeve anëtare të BE-së i porositur nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet e Jashtme (ECFR) tregon se qëndrimet europiane ndaj SHBA-së kanë ndryshuar ndjeshëm gjatë epokës së Trump. Shumica e të anketuarve në vendet anëtare të BE-së besojnë se sistemi politik i SHBA-së është prishur, që Europa nuk mund të mbështetet te SHBA-ja për mbrojtjen e saj, se Kina do të jetë më e fuqishme se SHBA-ja brenda një dekade, dhe se Europa nuk duhet të mbajë anë në një konflikt mes këtyre dy vendeve.

Në të gjithë vendet e anketuara, 51% nuk ​​mendojnë se SHBA-ja mund të kapërcejë përçarjet e saj të brendshme dhe të investojë në adresimin e çështjeve kryesore globale që kanë të bëjnë me të ardhmen e Europës. Megjithëse ka sigurisht dallime midis vendeve, ato janë të vogla. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, me “marrëdhëniet e saj të veçanta” me Amerikën, 81% e të anketuarve besojnë se sistemi politik i SHBA-së është prishur plotësisht ose disi. Vetëm në Hungari dhe Poloni një shumicë beson të kundërtën e kësaj.

Për më tepër, ndërsa sondazhet e tjera tregojnë se qëndrimet ndaj Kinës janë ngurtësuar në të gjithë Europën, 60% e europianëve do të preferonin që Bashkimi Europian të qëndronte jashtë rivalitetit Sino-Amerikan. Vetëm 22% e të anketuarve në sondazhin e ECFR mendojnë se Europa duhet të mbështesë SHBA-në, ndërsa 6% mendojnë se duhet të jetë në krah të Kinës. Qëndrimet rreth SHBA-së janë shumë më të rezervuara sesa në të kaluarën dhe besimi në aftësinë e Europës për të formësuar të ardhmen e saj është rritur (nëse kjo pikëpamje pasqyron realitetin është një çështje tjetër).

Ky ndryshim i qartë i qëndrimeve europiane nuk mund të vinte në një kohë më të keqe. Në një botë marrëdhëniesh që ndryshojnë pushtet, bashkëpunimi SHBA-BE është i nevojshëm urgjentisht. Nuk ka asnjë mënyrë që secila palë të triumfojë kundër sfidave globale duke dalë e vetme. Lidhja transatlantike është themeli mbi të cilin duhet të mbështeten rrjete më të gjera bashkëpunuese globale.

Por nervozizmi i europianëve pas ngjarjeve të fundit në SHBA nuk mund të fshihet lehtë. Kjo do të vonojë, duke nënkuptuar të paktën një farë ndikimi në diplomaci dhe politikëbërje. Rreziku i menjëhershëm është që trazirat politike të Amerikës do të forcojnë ata që tashmë po bëjnë thirrje që Europa të kryesojë rrugën e saj, të ndërtojë barriera të reja ose të tërhiqet nga bota. Nëse aleati tradicional dhe natyror i Europës nuk është më i besueshëm, çfarë zgjedhje tjetër ka? Kjo është pyetja që shqetëson tani politikat evropiane.

Biden, natyrisht, do të mirëpritet me një gëzim thuajse universal në pjesën më të madhe të Europës. Por do të duhet shumë më shumë kohë për të zgjidhur çështjen nëse Trump ishte një devijim historik apo një paralajmërues i asaj do të vijë.

Zhvendosja në opinionin publik europian do të paraqesë një sfidë të vazhdueshme për udhëheqësit amerikanë dhe europianë. Administrata Biden duhet të bëjë gjithçka që mundet për të rivendosur besimin te shoqëria dhe politikbërja europiane dhe liderët europianë duhet të bindin një audiencë të brendshme skeptike se duhet të mbështesë masat për të rivendosur lidhjet transatlantike. Sondazhi i ECFR sugjeron që liderët evropian do ta kenë shumë të vështirë punën. Por dështimi nuk është aspak një zgjedhje. Me një lidership të ri në Uashington, tani është koha të sigurohemi që makthi i katër viteve të fundit të mos përsëritet më kurrë.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Can America Be Trusted Again?