Lajm11 Feb 2019

Abuzim me të miturën, arrestohet oficeri i policisë

Një punonjës i policisë së Shkodrës u arrestua pas publikimit në media të nje video sipas të cilës ai kishte kryer abuzim seksual me një të mitur.

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

Foto Ilustruese: flickr.com

Një punonjës i policisë së Shkodrës u arrestua menjëherë pas publikimit në media të nje video sipas të cilës ai kishte kryer abuzime seksuale me një të mitur.

Berhan Bajrakurti,  me detyrë oficer i policimit në komunitet në Gruemirë të Malësisë së Madhe, u denoncua në portalin Neësbomb.al nga një grua anonime. Denoncimi përfshinte një video, në të cilën oficeri shfaqej i zhveshur, që sipas gruas i ishte dërguar vajzës së saj 15-vjeçare. Gruaja akuzoi punonjësin e policisë për abuzim, përndjekje dhe kërcënim për të mos lejuar denoncimin.

Gruaja u ankua se nuk i ishte marrë denoncim as në komisariatin e Koplikut dhe as Drejtorinë e Policisë në Shkodër.

Pas publikimit të video Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e Bajrakurtit. “Në Shkodër është arrestuar menjëherë punonjësi i policisë që është shfaqur në videon e publikuar në media”, thuhet në një njoftim të shkurtër.

Policia e Shkodrës ndërkohë mohoi të kishte pasur denoncim që nuk ishte marrë parasysh. Bajrakurti apo persona pranë tij nuk qe e mundur të kontaktoheshin. Denoncimi për Bajrakurtin vjen vetëm pak ditë pas raportimit të një ngjarje të rëndë në Kavajë, ku një e mitur ishte përdhunuar nga një grup adoleshentësh.

Të dielën dhjetra qytetarë marshuan në rrugët e Tiranës në protestë kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave.