Lajm7 Sep 2018

Abuzime të shumta në monopolin e tregut bujqësor të Tiranës

Autoriteti i Konkurrencës shpalli se monopoli i tregut bujqësor të Tiranës, i krijuar me një vendim të "qeverisë Rama" dhe shumicës së djathtë të Bashkisë së Tiranës të drejtuar në atë kohë nga Lulzim Basha, ka kryer abuzime të shumta me pozicionin monopol.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Treg bujqësor. Foto Ilustruese

Autoriteti i Konkurrencës urdhëroi masa të jashtëzakonshme kundër kompanisë EKMA Albania, e cila ka nën pronësi tregun e vetëm të produkteve bujqësore të Tiranës dhe akuzohet nga AK për abuzime të rënda me pozicionin monopol. Sipas vendimit, kompania detyrohet të nënshkruajë kontrata të reja me tregtarët pasi ato ekzistuesit konsiderohen abuzive dhe të njëanshme ndërsa udhërohet menjëherë që të ndalojë faturimin e ujit dhe dritave më shtrenjtë nga sa shiten nga OSHEE dhe UKT.

Më 25 qershor, Autoriteti urdhëroi hapjen e një “hetimi të thelluar” për të parë nëse krijimi i një tregu privat disa vjet më parë dhe mbyllja mes protestave e një tregu tjetër privat me urdhër të Bashkisë Tiranë, në atë kohë të drejtuar nga Lulzim Basha, ka krijuar apo jo “kufizim të konkurrencës”, si dhe Ministrisë së Bujqësisë të qeverisur në atë kohë nga koalicioni PS-LSI. [Link vendimi]

Sipas vendimit, tregu nën pronësinë e kompanisë EKMA Albania sh.p.k funksionon si një hapësirë ku merren me qira ambiente, magazina dhe vende me qëllim tregtimin e produkteve agro-ushqimore në qytetin e Tiranës.

“Në këto kushte për tregtarët e shumicës nuk ka një alternativë tjetër për të tregtuar produktet e tyre, si rrjedhojë nuk ka zëvendësueshmëri nga ana e kërkesës”, thuhet në rezultatin e vrojtimit fillestar.

Autoriteti thekson se krijimi i këtij tregu dhe pozicioni i tij monopol është paraprirë nga dy vendime, njëri i Ministrisë së Bujqësisë dhe tjetri i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Fillimisht ishte ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti i cili firmosi një udhëzim [link], i cili nuk i referohet asnjë ligji por thotë se tregu agro-ushqimor me shumicë duhet të “jetë jashtë vijës së verdhë” si dhe disa kritere të tjera. Pastaj ishte Këshilli Bashkiak i Tiranës, i cili në prill 2015 miratoi një vendim të ngjashëm duke iu referuar udhëzimit të Panaritit. [link]

Në hetimin paraprak, Autoriteti vëren se këto dy vendime kanë krijuar efektivisht një monopol në treg. Sipas bilancit të kompanisë fitimet e saj neto në vitin 2016 ishin 307 milionë lekë nga të ardhura totale prej afro 500 milionë lekësh.

Për këto arsye, Autoriteti vendosi hapjen e hetimit të thelluar mbi këtë ndërmarrje.

Autoriteti nuk u mjaftua me hetimin paraprak dhe ndërhyu sërish në 6 shtator, kur urdhëroi “masa të përkohshme” pas një hetimi të shkurtër që zbuloi abuzime të shumëfishta nga ana e pronarit të tregut, kompanisë EKMA Albania.

“Komisioni i Konkurrencës, duke patur parasysh që ndërmarrja EKMA ABANIA ka një pozitë dominuese në treg dhe është e vetme në ofrimin e shërbimit për dhënien me qira të ambienteve për magazinim dhe tregtimin e produkteve agro-ushqimore në qytetin e Tiranës, ka konkluduar se ndodhemi përballë një situate urgjence, për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në këtë treg,” thuhet në vendimin e publikuar në faqen e internetit të autoritetit. [Link].

Vendimi urdhëron qiradhënësin të ulë çmimet e qirave për tregtarët si dhe të hartojë kontrata të reja që të respektojnë barazinë e palëve kontraktore. Vendimi zbulon gjithashtu që qiradhënësi u ka tarifuar çmime të larta për ujë e drita tregtarëve, duke u kthyer në një rishitës të shërbimeve publike të OSHEE dhe UKT.

“Ndërmarrja EKMA ALBANIA SHPK të ndalojë menjëherë faturimin mbi çmimin ligjor të miratuar nga institucionet kompetente (faturuar nga OSHEE dhe UKT)”, thuhet në vendim.

EKMA Albania administrohet nga Klodian Allajbeu dhe është nën pronësinë e Haxhi Bardhit dhe kompanive Anamark e Agromark, sipas ekstraktit të kësaj kompanie të publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Gjatë vitit 2017, kompania kishte 500 milionë lekë të ardhura dhe 323 milionë lekë fitime neto, me një normë fitimi në raport me të ardhurat prej 65%.