Në përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga kriza institucionale që u krijua pas refuzimit të kuvendit ndaj kërkesës së prokurorisë për arrestimin e Tahirit, Rama iu hakërrye me fyerje dhe sharje gazetarëve që po e prisnin pas daljes nga kuvendi, duke shkaktuar zemërim dhe thirrje për bojkot nga ana e gazetarëve.
Sharjet dhe fyerjet e kryeministrit Edi Rama ndaj medias dhe gazetarëve nuk janë asgjë e re dhe kanë ndodhur në mënyrë të përsëritur gjatë viteve të fundit, por një valë e re abuzimi ndaj gazetarëve që po e intervistonin jashtë selisë së kuvendit të mërkurën më 25 tetor arriti në një nivel të ri përçmimi dhe solli protesta dhe thirrje për bojkot ndaj tij.
“Turp për të gjithë ju dhe të gjithë ata si ju që ende nuk keni kuptuar se për çfarë bëhet fjalë dhe vijoni të tollovisni miletin me këto pyetje pa pikë sensi”, iu drejtua Rama gazetarëve, ndërsa këta të fundit e pyetën për atë që opozita e konsideron si një precedent dhe një fazë të re pandëshkueshmërie, refuzimin nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të kërkesës së prokurorisë për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri, i akuzuar për korrupsion dhe trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.
Rama gjendet aktualisht nën kritika të shumta për votimin e tij dhe të deputetëve të Partisë Socialiste kundër arrestimit të Tahirit. Partia Socialiste thotë se e refuzoi kërkesën për arrestim sepse beson se prokurorët kanë “arsye politike” për të kërkuar këtë masë. Opozita e përbërë nga PD dhe LSI thotë se përmes refuzimit të lejimit të arrestimit, Rama ka shkatërruar parimet themelore kushtetuese ndërsa prokuroria akuzoi pak ditë më parë kryeministrin për mungesë sinqeriteti në luftën kundër korrupsionit. Argumenti bazë është që në praktikën e Kuvendit të Shqipërisë, kërkesat e prokurorisë duhet thjeshtë të miratohen pasi kuvendi ku ka tagër të gjykojë cilësinë e provave apo vlefshmërinë e veprimeve të prokurorisë. Për më tepër, mosdhënia e lejes për arrestim përbën një precedent, përmes të cilit, maxhoranca parlamentare mund t’i japë të drejtë vetes tani e tutje të rrëzojë çdo kërkesë prokurorie për arrestim të një deputeti apo ministri thjesht duke e hedhur poshtë si “të motivuar politikisht”. Rama dhe deputetët e tij nuk kanë dhënë ndonjë provë apo nuk kanë shpjeguar se pse besojnë se prokuroria ka qëllime politike pas kërkesës për arrestimin e Tahirit.
Në përpjekje për të hequr vëmendjen nga këto pyetje themelore, Rama i shpjegoi argumentet e tij për refuzimin e kërkesës duke sulmuar verbalisht gazetarët e pranishëm me një bateri fjalësh fyese pa lidhje me çështjen.
“Nuk keni kuptuar akoma që jemi sot në kushte thjeshtë të qarta për këdo që merr mundimin të lexojë pesë rreshta para se sa të kuturiset t’u tregojë të tjerëve duke abuzuar me misionin e ndërmjetësit të opinionit publik se për çfarë bëhet fjalë”, i tha Rama gazetarëve para se të shtonte se argumenti i tij qe që prokuroria nuk pengohet në hetimin e Tahirit nga mosdhënia e lejes së arrestimit.
I akuzuar se e ka lënë vendin në duart e krimit, Rama ia hodhi fajin medias për problemet duke thënë: “Jeni pjesë e këtij problemi të madh jo në rastin konkret por në tërësi që ka Shqipëria ku akuzat kërcasin… përditë. Ju i përçoni akuzat si një tel bakri që as ka detyrën të gjykojë dhe as ka përgjegjësinë për atë që përçon”.
Duke dhënë sinjalin se shpërthimi i Ramës nuk qe i momentit por i paramenduar, të pesëmbëdhjetë minutat e sulmit verbal u publikuan nga vetë Rama në një platformë në Facebook të njohur si ERTV.
Një pjesë e gazetarëve përdorën rrjetet sociale për të shprehur protestën e tyre ndaj fyerjeve të kryeministrit ndërsa disa shoqata gazetarësh dhe disa opinionistë bënë thirrje për bojkotin e kryeministrit.
Duke shkruar te Lapsi.al, opinionisti Andi Bejtja i bëri thirrje gazetarëve të bojkotojnë raportimet nga kryeministri. “Me gjithë problemet, me gjithë padituritë, me gjithë kompromiset, madje dhe me faktin e shëmtuar se shpeshherë media ka qenë dhe zgjatim i politikës, media shqiptare është më pak e qelbur dhe me profesionale se politika shqiptare”, shkroi Bejtja.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetareve te Shqipërisë kritikuan gjithashtu komentet e kryeministrit duke i konsideruar ato si përpjekje për të frikësuar gazetarët.
Edhe Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë kritikoi Ramën duke e konsideruar gjuhën dhe leksionet e kryeministrit “të papranueshme”. Unioni bëri thirrje për bojkotin e kryeministrit ditën e premte.
Rama, ashtu si edhe paraardhësi i tij Sali Berisha kanë përdorur në mënyrë të përsëritur sharjet dhe fyerjet ndaj medias si një mënyrë për të shmangur përgjegjësitë ndaj problemeve të ndryshme, përfshirë akuzat për korrupsion dhe abuzim me pushtetin apo pyetjet në lidhje me premtimet elektorale të pambajtura. Berisha përdori togfjalësha të tillë si “media e krimit”, “hanxhar i krimit”, “mafia e betonit” apo “media e opozitës” për të denigruar akuzat për abuzim me pushtetin ndërsa Rama ka përdorur togfjalësha të tillë si “kazan”, “helm”, “shpifës”, “sharlatanë”, “rrezik për opinionin publik” apo “injorantë”.