Lajm16 May 2018

Adriatik Llalla i shmanget Kolegjit, avokati: S’kam komunikim me të prej dy javësh

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pritet të vendosë vazhdimin ose jo të vetingut për ish-kreun e akuzës, Adriatik Llalla, por seanca e parë shtoi pikëpyetjet mbi vendodhjen dhe shmangien e mundshme të tij. 

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Foto: LSA

Ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla iu shmang përballjes me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të mërkurën, në seancën ku ishte planifikuar të shqyrtohej vazhdimi ose jo i procesit të vetingut për të. Në vend të Llallës u paraqit avokati Sokol Hazizaj, i cili deklaroi se e përfaqësonte subjektin me prokurë ndonëse “nuk kishte komunikuar direkt me të prej më shumë se dy javësh”.

Procesi i rivlerësimit për ish-kryeprokurorin Llalla nisi në nëntor 2017 dhe u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi ai dha dorëheqjen nga mundësia për të marrë një pozicion tjetër në sistemin e drejtësisë më 12 shkurt 2018. Vendimi i pushimit u kundërshtua nga Komisioneri Publik-por dy përfaqësuesit e këtij institucioni, Florian Ballhysa dhe Dariel Sina nuk patën mundësinë të parashtronin argumentet e tyre në seancën e së mërkurës.

Njoftimi i Llallës dhe indirekt, pikëpyetjet mbi vendodhjen e tij dominuan seancën në Kolegjin e Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohet në këtë proces nga kryesuesi Sokol Çomo, relatori Luan Daci dhe anëtarët Ina Rama, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari.

Avokati Hazizaj nuk u dha një përgjigje shteruese pyetjeve.

Hazizaj tha se subjekti i rivlerësimit nuk kishte dijeni për ankimimin e Komisionerit Publik dhe se vetë ai ia kishte komunikuar këtë fakt nëpërmjet bashkëshortes, thuajse dy javë më parë. Ai shtoi se prokura e përfaqësimit-që sipas Kolegjit ishte e përgjithshme, i jepte atij të gjithë tagrat e përfaqësimit të Llallës në këtë proces.

I pyetur se kur kishte komunikuar për herë të fundit me Llallën, Hazizaj u përgjigj: Më tepër se dy javë më parë!

Trupi gjykues u tërhoq për të shqyrtuar nëse prokura e përfaqësimit të avokatit Hazizaj ishte e vlefshme për procesin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe vendosi më pas se avokati duhej ta plotësonte atë, duke përfshirë vullnetin e subjektit të rivlerësimit, Adriatik Llalla për t’u përfaqësuar përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Trupi gjykues vendosi gjithashtu të përsërisë shpalljen për ankimimin e Komisionerit Publik si dhe të përsërisë thirrjen për njoftimin e Adriatik Llallës.

Mbarimi i mandatit në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe dorëheqja nga sistemi i drejtësisë nuk e kurseu Llallën nga përballja me bilancin e tij në krye të organit të akuzës. Pas largimit nga detyra, ai u shpall publikisht “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit me dyshimin se ishte përfshirë në korrupsion masiv.

Gjithashtu, Llalla është subjekt i një procedimi penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për veprat penale të korrupsionit dhe të pastrimit të parave, ndërkohë që transaksionet e tij multimilionëshe në shitblerjen e pronave janë në proces hetimi.

I gjendur nën akuzë nga Prokuroria dhe me llogari ende të pambyllura me procesin e vetingut, ish-kryeprokurori Llalla nuk është shfaqur në publik prej muajit mars.

Në seancën përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, avokati Sokol Hazizaj u pyet se sa kohë i duhej për të njoftuar klientin e tij dhe u përgjigj: “Jo më pak se 15 ditë”.

Seanca e ardhshme për Llallën u caktua më 31 maj.