Lajm13 Sep 2018

Aeroporti bullgar pushon nga puna stafin pas gabimeve të sigurisë

Aeroporti i Sofjes të enjten pushoi nga puna një punonjës dhe sanksionoi disa të tjerë pasi një grup prej 40 udhëtarësh libanezë kaluan në aeroport pa u kontrolluar – një gabim i sikletshëm për një vend që kërkon t’i bashkohet zonës pa viza të BE-së.

Autor: Martin Dimitrov BIRN Sofje
Printo

Terminali 2, aeroporti i Sofjes. Foto: Wikipedia.

Departamenti i sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Sofjes të enjten tha se kishte shkarkuar nga puna një punonjës dhe kishte sanksionuar disa të tjerë pasi nuk arritën të kryejnë kontrolle sigurie mbi një grup prej 40 turistësh libanezë më 3 shtator.

Mediat cituan se menaxhimi i aeroportit kishte fajësuar disa menaxherë dhe mbikëqyrës për gabimin, të cilët morën sanksione administrative dhe paralajmërime zyrtare.

Menaxhimi i aeroportit konfirmoi të mërkurën se një grup prej 40 pasagjerësh libanezë, të cilët arritën me Bulgaria Air nga Bejruti më 3 shtator, u lejuan të përziheshin me pasagjerë të tjerë që ishin duke u larguar nga aeroporti dokumentet e të cilëve tashmë ishin kontrolluar.

Pasagjerët që udhëtonin drejt destinacioneve të tjera të BE-së hipën në fluturimet e tyre lidhëse pa kaluar kontrollin e pasaportave apo të sigurisë, tha menaxhmenti i aeroportit.

“Pasagjerët që vinin nga një vend i tretë u përzjenë me pasagjerë të cilët ishin kontrolluar tashmë. Autoritetet u informuan menjëherë për rastin dhe u morën veprimet e nevojshme, duke garantuar standardet e përgjithshme të sigurisë,” thuhej në deklaratën e aeroportit të mërkurën.

Ky nuk është gabimi i parë i tillë në aeroport. Më 13 korrik, një avion privat u nis drejt Greqisë nga Sofja pa iu nënshtruar kontrolleve të sigurisë.

Më 20 mars, të gjithë pasagjerët që u ulën nga Parisi u lejuan të hynin në territorin bullgar pa iu nënshtruar kontrolleve. Në atë kohë, të gjithë policët kufitarë të turnit dhe stafi u qortuan ose në disa raste u pushuan nga puna.

Gabimet e sigurisë janë një siklet për një vend që kërkon t’i bashkohet zonës Shengen pa pasaporta të BE-së.

Të mërkurën eurodeputeti Manfred Werber, pretendenti kryesor për postin e Jean-Claude Juncker si kreu i ardhshëm i Komisionit Europian, mbështeti kërkesën e Sofjes për t’u bashkuar me zonën Shengen.

“Vendi i Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë është në Shengen dhe ky vendim nuk duhet të shtyhet,” tha ai në parlament në Strasburg të mërkurën.

Eurodeputeti gjerman mbështeti kërkesën e Bullgarisë për në Shengen në gusht gjatë një vizite në kufirin bullgaro-turk.

Atje theksoi Bullgarinë si një model të mirë të kontrollit të suksesshëm të kufirit dhe si një vend që përputhet me të gjitha kërkesat për pranim në zonën pa kufij.