Lajm18 Jun 2019

Aftësi profesionale, a mundet KPA të ndërtojë “metodologji” të re vlerësimi?

Gjyqtari Gentjan Medja i Gjykatës Administrative Tiranë u përball në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit me kërkesën e Komisionerit Publik për "rivlerësim" të kriterit profesional sipas një metodologjie të re të propozuar nga Komisioneri, ndërsa Medja e konsideroi propozimin antikushtetues.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kolegji i Posaçëm i Apelimit në seancën e subjektit Gentjan Medja në Tiranë më 17 qershor 2019. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Komisioneri publik kërkoi para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të rivlerësojë gjyqtarin Gentjan Medja për kriterin e aftësive profesionale në bazë të një metodologjie të re dhe të detajuar të propozuar prej atij vetë, por kërkesa e tij u kundërshtua si antikushtetuese dhe përtej detyrave të ngarkuara nga ligji ndaj këtij institucioni nga ana e gjyqtarit Medja.

Medja u konfirmua në detyrë në korrik 2018 pasi doli i përshtatshëm në të treja kriteret, por vlerësimi profesional për të shkaktoi debate.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pati konkluduar se vendimet e Medjas të shqyrtuara si pjesë e rivlerësimit profesional, kishin mangësi, përfshirë mosrespektim të afateve të gjykimit, moszbardhje të vendimeve dhe urdhrave të gjykatës si dhe referenca të gabuara të ligjeve. Por këto probleme, të cilat u justifikuan nga Medja si rrjedhojë e mbingarkesës anormale në punë të gjyqtarëve të gjykatave administrative, e ndanë KPK ku dy anëtarë votuan konfirmimin ndërsa një anëtare dhe vëzhguesi i huaj ishin të opinionit se Medja duhej të rrëzohej.

Lexo edhe:

“Të metat profesionale” ndanë anëtarët e KPK për gjyqtarin Gentian Medja

Konfirmohet në detyrë gjyqtari i Gjykatës Administrative Gentian Medja

ONM kundër vendimit të KPK-së për gjyqtarin Gentian Medja

Por Komisioneri Publik nuk kërkoi automatikisht rrëzimin e Medjas në seancën e të hënës më 17 qershor 2019, por propozoi një metodë të re dhe më të detajuar vlerësimi, e cila, nëse do të pranohet nga KPA, do të mund të shërbejë si shembull për proceset e tjera të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kriterin profesional. Sipas propozimit, vendimet apo dokumentet gjyqësore që janë pjesë e procesit të rivlerësimit profesional duhet të klasifikohen në kritere vlerësuese duke përcaktuar shenja pozitive apo negative për të nxjerrë një shumatore finale që të tregojë në mënyrë më pak subjektive nëse subjekti është i aftë, “me mangësi” apo “i papërshtatshëm”. Në një proces të zakonshëm, rivlerësimi profesional bazohet duke përzgjedhur në mënyrë rastësore pesë dokumente nga lista e dokumenteve të prodhuara nga subjekti i rivlerësimit si dhe duke pranuar tre dokumente që subjekti i rivlerësimit i zgjedh vetë. Në rastin e Medjas, KPK kërkoi edhe pesë dokumente te tjera duke shqyrtuar përfundimisht trembëdhjetë vendime.

Komisioneri përmendi një listë të gjatë me probleme në këto vendime ndërsa Medja i rrëzoi pretendimet si të pabaza ose i argumentoi me ngarkesën e lartë në punë.

Në lidhje me mosmbajtjen e rregullt të procesverbaleve gjyqësore, Medja tha se nuk janë gjetur pasoja negative nga këto probleme ndërsa për “mosrespektimin e afatave” shpjegoi rast pas rasti se bëhej fjalë për shkelje me një apo dy ditë dhe se këto ishin shkaktuar për shkaqe objektive. Medja argumentoi se gjatë periudhës në proces shqyrtimi, atij i ishte dashur të kryente 7 deri në 18 seanca gjyqësore në ditë për shkak të transferimit të menjëhershëm të të gjitha çështjeve të karakterit administrativ nga gjykatat e zakonshme në gjykatat administrative kur këto të fundit u krijuan në vitin 2012. Duke qenë se gjykatat administrative janë shumë më pak në numër dhe në staf se gjykatat e zakonshme, secilit gjyqtar iu ngarkuan njëherësh qindra çështje.

Medja argumentoi më tej se afatet në shqyrtimin e çështjeve gjyqësore janë sugjeruese dhe jo detyruese, për shkak se kohëzgjatja e një procesi  varet shumë nga faktorë të tjerë, si infrastruktura e gjykatës, disponibiliteti i gjyqtarëve në rastet e gjykimeve me trupë, apo kompleksiteti i çështjes gjyqësore.

Në lidhje me kërkesën për të zhvilluar një metodologji më të detajuar vlerësimi nga ajo aktuale, Medja argumentoi se një nismë e tillë është antikushtetuese, për shkak se ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve sanksionon se rivlerësimi kryhet nga “Organi përkatës i vlerësimit të aftësive profesionale” dhe jo nga vetë KPK dhe se miratimi i një metodologjie të tillë nga ana e KPK mund të cënojë parimin kushtetues që thotë se institucionet zbatojnë detyrat e lëna nga ligji dhe nuk e bëjnë ligjin vetë. Ai argumentoi më tutje se miratimi i një metodologjie të ndryshme nga ajo që është përcaktuar në mënyrë të detajuar në ligjin aktual shkel parimin e sigurisë juridike për subjektet e rivlerësimit.

Komisioneri publik falënderoi Medjan për argumentimin dhe nuk pati kundërshtime të mëtejshme. Gjykata e ndërpreu seancën për ta vijuar atë më 9 korrik 2019. Seanca ishte në mënyrë të pazakontë e gjatë, ku argumentimi me gojë i Medjas zgjati më shumë se dy orë.