Vendimi në një gjyq për vrasje, që përfshin liderët e partisë neo-naziste Agimi i Artë, mund të ketë pasoja të thella për të ardhmen e ekstremit të djathtë në Greqi.
E ardhmja e ekstremit të djathtë të Greqisë është në fije të perit, me afrimin e një vendimi në gjyqin e Agimit të Artë për përfshirje në vrasjen në vitin 2013 të një reperi antifashist.
Vrasja e Pavlos Fyssas në një periferi të Athinës përkoi me shtimin e rëndësisë kombëtare të kësaj partie, një vit pasi ajo fitoi për herë të parë vende në parlamentin kombëtar pas zemërimit popullor gjatë viteve të krizës ekonomike.
Por edhe pse është e pamundur të thuhet se si do të vendosë gjykata, grekët tashmë e kanë dhënë vendimin e tyre, duke e nxjerrë partinë jashtë parlamentit në zgjedhjet e korrikut 2019. Në nëntor, një sondazh i dha asaj vetëm 1.4 për qind mbështetje.
Një vendim fajësie, ndoshta deri në qershor, do të shënojë “një hap të madh në reduktimin e terrorizmit të ekstremit të djathtë në Greqi”, tha Dimitris Psarras, një gazetar që ka raportuar për partinë që nga themelimi i saj në vitet ’80.
Por Dimitris Christopoulos, një profesor në Departamentin e Shkencave Politike dhe Historisë në Universitetin Panteion, tha se hapësira e lënë nga Agimi i Artë do të mbushej.
“Dënimi i Agimit të Artë do të bëjë që formacione të tjera të mbushin boshllëkun politik dhe ideologjik të partisë”, tha Christopoulos, ish-president i Federatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, një organizatë që mbledh bashkë OJQ të të drejtave të njeriut në të gjithë botën.
“Këto formacione nuk do të përdorin një fjalor nazist dhe nuk do të kryejnë mësymje, por ato do të përvetësojnë një narrativë të ekstremit të djathtë, si ai i përdorur nga Fronti Kombëtar Francez.”
Një lirim nga akuzat, paralajmëroi ai, “do të jetë një goditje për demokracinë”.
“Mësymja si pjesë e rutinës së saj”
Në vitin 2015, Agimi i Artë u bë partia e tretë më e madhe në parlamentin grek, një simptomë e hidhërimit të ndjerë nga shumë nacionalistë grekë pas vitesh recesioni dhe një ndjenjë poshtërimi në duart e kreditorëve në Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Megjithatë, farat e rrëzimit të partisë u mbollën më 28 shtator 2013, kur drejtuesi i Agimit të Artë, Nikos Michaloliakos, dhe katër deputetë të partisë – Ilias Kasidiaris, Ilias Panagiotaros, Ioanis Lagos dhe Nikos Michos – u arrestuan dhe u prangosën nga policë të maskuar të kundër terrorizmit për vrasjen e Fyssas 11 ditë më parë.
Ata hodhën fyerje ndaj gazetarëve në komisariat.
Fyssas ishte një artist antifashist hip-hopi, i njohur për pikëpamjet e tij politike. Ai dhe një grup miqsh ishin duke shkuar në shtëpi kur u sulmuan nga një grup anëtarësh të Agimit të Artë. Njëri nga sulmuesit, George Roupakias, dyshohet se nxori një thikë dhe goditi disa herë me thikë në gjoks Fyssas-in. Fyssas vdiq në moshën 34 vjeçare.
Prokurorët akuzuan Agimin e Artë për drejtimin e një bande kriminale, duke e përshkruar partinë si një strukturë të ngjashme me një ushtri që vepronte nën kontrollin absolut të Michaloliakos.
Gjashtëdhjetë e nëntë persona, përfshirë Roupakias, dolën në gjyq në prill 2015, me akuza që përfshinin jo vetëm vrasjen e Fyssas, por edhe dy sulme të tjera të dyshuara të Agimit të Artë – ndaj katër peshkatarëve egjiptianë në vitin 2012 dhe ndaj një grupi sindikalistësh të lidhur me Partinë Komuniste të Greqisë në vitin 2013. Deri në fund të gjykimit, do të shqyrtohen rreth gjashtëdhjetë raste dhune të pretenduar nga ana e Agimit të Artë.
“Ndryshimi midis Agimit të Artë dhe çdo grupi tjetër të ekstremit të djathtë në Greqi është se Agimi i Artë kryente mësymje si pjesë e rutinës së tij”, tha Chrissa Papadopoulou, një avokate për familjen Fyssas.
“Ata që kryenin ato sulme ishin anëtarë të partisë dhe liderët e tyre u mësonin për nazizmin, hierarkinë, disiplinën dhe armët. Ata ishin gjithmonë të gatshëm të vepronin kundër rivalëve të tyre politikë, por vetëm nëse lidershipi ua urdhëronte këtë gjë.”
Ngritja në pushtet nga kriza financiare
Agimi i Artë u themelua në vitin 1980 si një revistë politike që herë pas here shfaqte Adolf Hitlerin në faqet e saj. Ajo filloi të rritej në vitet 1990 pas protestave greke në lidhje me emrin e fqinjit verior të Greqisë, Maqedonisë, pasi kjo e fundit u shkëput nga Jugosllavia federale në vitin 1991.
Megjithatë, shtrirja e saj ishte e kufizuar, deri në vitin 2012, kur u zgjodh për herë të parë në parlamentin Grek dy vjet pasi Greqia kaloi një nga krizat e saj më të mëdha financiare dhe iu drejtua kolegëve të saj të BE-së që ta shpëtonin. Në vitin 2015 ajo u bë partia e tretë më e madhe në parlament.
Partia i përqendroi përpjekjet e saj në zona të varfra, të goditura më keq nga kriza financiare dhe nga vështirësitë që ata kalonin si pasojë e një kushti për ndihmat e vazhdueshme.
Duke u dhënë ushqim falas grekëve gjatë ditës, anëtarët e partisë sulmonin emigrantët dhe rivalët politikë gjatë natës.
“Agimi i Artë u premtoi grekëve se do të hakmerrej ndaj politikanëve që supozohej se do të fajësoheshin për mjerimin e tyre”, tha Psarras, gazetari investigativ.
Vetë Psarras doli në gjyq, duke paraqitur statutin origjinal të Agimit të Artë si provë e identifikimit të partisë me nazizmin, veçanërisht me “Parimin e udhëheqësit” që ajo mbështet.
“Ky ishte parimi udhëzues i partisë naziste gjermane”, tha ai. “Sipas këtij parimi, udhëheqësi është mbi çdo gjë. Ai ka një pushtet metafizik mbi të gjithë; është ai që urdhëron.”
Avokatët e mbrojtjes e kundërshtuan vërtetësinë e dokumentit.
“Unë jam një viktimë”
Dashuria e partisë për simbolikën dhe ceremoninë fashiste është e dokumentuar mirë. Njëri nga të pandehurit, Kasidiaris, ka tatuazh një kryq svastika në krah; ish-deputeti i Agimit të Artë, Panagiotis Iliopoulos, ka shkruar ‘Sieg Heil’ në dorë ndërsa një i pandehur tjetër, Lagos, ka shqiponjën perandorake, ‘Reichsadler’, tatuazh në gjoksin e tij.
Partia së fundmi botoi edhe kalendarin e saj për vitin 2020. Kopertina e tij përmban fjalët, “Kur të nisemi ne, le të dridhet toka”. Që thihet se ishin fjalët e fundit të ministrit të propagandës së Hitlerit, Joseph Goebbels, para se të vriste veten në Berlin në maj 1945.
Të akuzuarit mohojnë çdo përfshirje në vrasjen e Fyssas-it dhe janë përpjekur të distancohen nga Roupakias.
“Jam i pafajshëm”, tha Michaloliakos në gjykatë. “Jam viktimë e një komploti dje kam qenë nën shënjestër gjatë 25 viteve të fundit.”
Megjithatë, njerëzit e dhanë vendimin e tyre në korrik 2019, kur Agimi i Artë nuk arriti të hynte për herë të parë në shtatë vjet. Në shtator, partia mbylli selinë e saj në Athinë.
Gjyqi, megjithatë, ndryshoi rrjedhë në dhjetor, kur prokurorja Adamantia Oikonomou i tha gjykatës se në fakt nuk kishte prova që lidershipi i Agimit të Artë luajti ndonjë rol në planifikimin ose ekzekutimin e vrasjes së Fyssas.
Vëzhguesit e etiketuan ndërhyrjen një “farsë” dhe familja e viktimës shprehu zemërim. Papadopoulou, avokati i familjes Fyssas, tha se kjo “nuk ishte e bazuar në ligj”.
Avokatët presin një vendim në fillim të qershorit. Nëse dënohen, drejtuesit e Agimit të Artë rrezikojnë të përballen me deri në 10 vjet burg.