Projektligji për forcimin e një agjencie të centralizuar ankesash në mandatin e tretë të kryeministrit Edi Rama u prit me kritika nga opozita, por edhe nga deputeti socialist, Fatmir Xhafaj.
Komisioni parlamentar i Ligjeve debatoi të martën projektligjin “Për bashkëqeverisjen” të qeverisë “Rama”, përmes së cilit synohet të forcohet një agjenci për trajtimin e ankesave të qytetarëve dhe ngritjen e saj pothuajse në nivelin e një ministrie.
Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje funksionon prej 4 vitesh në varësinë e kryeministrit Edi Rama, por mazhoranca kërkon që t’i japë asaj fuqi kontrolluese mbi institucionet e administratës publike dhe pushtetit vendor. Zanafilla e kësaj agjencie ishte platforma elektorale e Partisë Socialiste shqipëriaqëduam.al.
Projektligji u prezantua në Komisionin e Ligjeve nga ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila tha se Agjencia ishte një mekanizëm demokratik për ‘ndërmjetësimin mes qytetarëve dhe shtetit’.
Drafti parashikon që Agjencia do t’i presë ankesat e qytetarëve për mosmarrjen e shërbimeve apo rasteve korruptive në një portal dhe nëpërmjet koordinatorëve të saj në çdo institucion do të kërkojë zgjidhjen e problemeve. Sipas projektligjit, çdo institucion ka detyrim të përgjigjet brenda një afati 10-20 ditë dhe Agjencia mund të propozojë masa administrative deri në shkarkim të titullarëve.
Por deputetët demokratë në Komisionin e Ligjeve e krahasuan Agjencinë me grupet e kontrollit “punëtor-fshatar” gjatë regjimit komunist, ndërsa deputeti socialist, Fatmir Xhafaj nuk i kurseu kritikat për cilësinë e projektligjit.
“Kjo agjenci do të jetë një kamzhik në duart e kryeministrit,” tha deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, ndërsa shtoi se nevoja për këtë institucion tregon se administrata publike nuk ka funksionuar gjithë këto vite.
Deputetja demokrate Dhurata Çupi tha në cilësinë e relatores së opozitës se institucioni i “bashkëqeverisjes’ do të dublonte institucionet e administratës dhe do të bunkerizonte komunikimin me publikun.
Çupi i quajti patronazhistë, koordinatorët e Agjencisë në çdo institucion dhe ngriti shqetësimin për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve që do të aksesonin platformën.
“Shqipëria ka institucionet e veta të llogaridhënies, çdo institucion është i detyruar t’u përgjigjet qytetarëve,” tha Çupi.
Sipas relacionit të opozitës, projektligji krijon problematika lidhur me disa parime kushtetuese; parimin e ndarjes së pushteteve; parimin e autonomisë vendore dhe parimin e hierarkisë së normave.
“Duke u maskuar në marrëveshje ndërmjet Agjencisë dhe organeve vendore, synon praktikisht vendosjen e tyre nën kontrollin e pushtetit ekzekutiv” shtoi Çupi.
Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj tha në komision se projektligji ‘është i shkruajtur keq’.
“A duket normale dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Kodin Administrativ që Agjencia është edhe vlerësuese, edhe përpunuese e politikave shtetërore? Përqendrimi i një sërë kompetencash në dorën e agjencisë, edhe të urdhërojë, edhe të ndëshkojë, edhe të ndërmjetësojë, edhe të kontrollojë, të gjitha i bën një njeri, a nuk janë në konflikt?”- pyeti Xhafaj ministren Spiropali.
Ai shtoi se drafti nuk parashikon kriteret e përgjegjësitë për zgjedhjen e drejtorit e të koordinatorëve, si dhe ka paqartësi se si agjencia do të bashkëjetojë me zyrat përkatëse të ankesave që ka çdo institucion.
“Po ngremë një armatë kontrollorësh pa thënë se çfarë cilësish i bën ata të tillë,” kritikoi Xhafaj, ndërsa në fund votoi pro në parim.
Kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka, njëherazi relatore e projektligjit vlerësoi qëllimin e tij për rritjen e shërbimit ndaj publikut. Sipas saj, mekanizmat e kësaj agjencie janë alternative dhe nuk mbivendosin dhe as anashkalojnë organet e tjera të administratës publike.
Projektligji do të kalojë në diskutimet e grupeve të punës që do të ngrejë ky komision, ku deputetët mund të sjellin propozime për riformulimin e tij.