Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i ka thënë kreut të NATO-s së Kosova mbetet e angazhuar për të krijuar një ushtri të rregullt, pavarësisht paralajmërimeve nga NATO se kjo lëvizje është e gabuar dhe e rrezikshme.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i tha sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të enjten në telefon se Kosova ishte e angazhuar për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK, në një ushtri, një ditë pasi NATO i bëri thirrje që të mos e bënte.
“Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vetvete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të ruajtur dhe mbrojtur vlerat Perëndimore,” shkroi Haradinaj në Facebook pas bisedës me Stoltenbergun.
“Duke shprehur mirëkuptimin për pozitën e tij, unë gjithashtu e informova Stoltenbergun se Kosova është e përkushtuar ndaj një procesi tranzicioni të FSK-së, i cili do të sigurojë një ushtri profesionale, multietnike dhe të besueshme që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës,” shkroi ai.
Parlamenti i Kosovës ka planifikuar 14 dhjetorin për një votim në leximin e dytë të projektligjeve që zgjerojnë kompetencat e FSK-së.
“Një veprim i tillë është i gabuar. Shkon kundër këshillës së shumë aleatëve të NATO-s. Dhe mund të ketë pasoja serioze për integrimin e ardhshëm euroatlantik të Kosovës,” tha Stoltenberg të mërkurën.
Para se deputetët e Kosovës të votonin projektligjet e para në tetor, NATO bëri thirrje për “konsultime të plota” me “të gjitha komunitetet” në vend, që do të thotë kryesisht serbët.
NATO tha për BIRN në tetor se mbështeste “zhvillimin” e FSK-së, por se ndryshimet e mëdha duhet të shoqëroheshin me konsultime me të gjitha komunitetet e prekura dhe me vetë NATO-n.
Ajo theksoi se Aleanca mbetet e angazhuar për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës nëpërmjet operacionit të saj, KFOR.
Parlamenti i Kosovës miratoi leximin e parë të projektligjeve në tetor.
Pakica serbe e Kosovës vazhdon të jetë kundër krijimit të një ushtrie të Kosovës, një qëndrim që e ndan edhe Beogradi, i cili mohon ekzistencën e Kosovës si shtet.