Lajm4 Mar 2021

Aksident tjetër në galeritë e kromit, plagoset një minator

Një minator i kompanisë Albchrome në Bulqizë përfundoi në spital të mërkurën me dëmtime në gisht dhe në kokë, ndërkohë që numri i incidenteve në dy muaj i tejkalon ato të vitit 2020.

Autor: Sami Curri BIRN Bulqizë
Printo

Stoqet e kromit në qytetin e Bulqizës. Foto ilustruese: Vladimir Karaj/ Arkiv

Një tjetër minatorë u plagos në një nga galeritë e kromit të kompanisë Albchrome në Bulqizë të mërkurën.

Zëdhënësja e Policisë Dibër, Bora Mikli i tha BIRN në një bisedë telefonike se ngjarja ka ndodhur në nivelin e 18-të, në turnin e parë. Ky është aksidenti i gjashtë në tre muajt e parë të këtij viti në galeritë e Albchrome, ndërkohë që vetëm tre aksidente ishin raportuar gjatë gjithë vitit 2020.

Një burim nga spitali i Bulqizës i tha BIRN se minatori kishte dëmtuar njërin gisht dhe kishte fërkime në kokë, por pa pasoja për jetën. Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e identifikoi minatorin si Ylli Gjura, që punonte në minierën e Bulqizës prej 30 vjetësh.

“Nuk është ndonjë gjë e madhe thonë, se vetëm kokën dhe gishtin ka vrarë. Çfarë duhet të vrasë një minator që të quhet aksident dhe të publikohet lajmi?!” shkruan Beqir Duriçi, anëtar i Këshillit Sindikal në SMBB.

Kompania AlbChrome –pjesë e grupit Balfin tha se gjendja e minatorit që u plagos është e mirë, por pretendoi se aksidenti nuk ishte i lidhur me probleme të sigurisë në punë.

“Ka pësuar vetëm një frakturë të gishtit tregues të njërës dorë dhe pritet të rikthehet në punë shumë shpejt,” thuhet në reagimin e Albchrome.

E pyetur mbi rritjen e numrit të aksidenteve në muajt e parë të këtij viti krahasuar me vitin 2020, Albchrome pretendoi se në analizën e kryer me institucionet shtetërore nuk është konstatuar ndonjë shkelje apo shmangie të rregullores teknike apo të sigurisë.

Kromi është minerali më i rëndësishëm i Shqipërisë nga pikëpamja ekonomike. Sipas Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore për vitin 2020 kishte 126 kompani të licencuara për të shfrytëzuar rezervat e kromit në zonën e Bulqizës, eksportet e së cilit arrijnë në rreth 100 milionë euro në vit.

Por industria e nxjerrjes së kromit është edhe një nga fajtoret kryesorë për aksidentet në punë. Të dhënat e Inspektoriatit Shtetëror të Punës tregojnë një bilanc tragjik të aksidenteve në miniera, ku vetëm gjatë tre viteve të fundit dhe dy muajt e parë të këtij viti u plagosën 105 minatorë dhe humbën jetën 19 të tjerë.