Shembja e një masivi gurësh plagosi dy minatorë në Bulqizë në një nga galeritë që menaxhohen nga kompania AlbChrome. Një nga minatorët u soll në Tiranë në gjendje të rëndë.
Dy minatorë u plagosën dhe njëri prej tyre u nis me helikopter drejt Tiranës në gjendje të rëndë, pas një aksidenti në një nga galeritë e kromit në Bulqizë. Policia njoftoi se Selim Zeneli, 50 vjeç dhe Mentor Gjeta, 31 vjeç u plagosën rreth orës 13:00 të mesditës së martë, ndërkohë që shkaqet janë ende në hetim.
Sipas komunikatës paraprake të policisë mësohet se gjatë punës në nivelin e 17 të minierës, “nga tavani i galerisë është shkëputur një masiv shkëmbor që ka zënë poshtë dy minatorët”. Policia tha se menjëherë në galeri ka mbërritur grupi i kërkim-shpëtimit, që u ndihmua edhe nga minatorët e tjerë të turnit duke bërë të mundur nxjerrjen mbi sipërfaqe të dy minatorëve që kishin mbetur të bllokuar.
Të plagosurit janë dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Bulqizës dhe mjekët kanë konstatuar se njëri prej tyre ndodhej në gjendje më të rëndë. Minatori është dërguar me helikopter drejt Tiranës, për të marrë ndihmë mjeksore të kualifikuar. Burime nga spitali i Bulqizës i thanë BIRN se të plagosurit kanë pësuar dëmtime kryesisht në kokë dhe gjymtyrët e poshtme.
Galeria ku ndodhi aksidenti menaxhohej nga kompania AlbChrome –pjesë e grupit Balfin, që është koncensionari më i madh në zonën e Bulqizës. Në një reagim për BIRN, grupi Baflin deklaroi se minatorët e aksidentuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që nënvizoi se kompania Alb Chrome ka marrë masa e nevojshme për të minimizuar aksidentet.
“Kompania Alb Chrome ka angazhuar menjëherë skuadrën e gatshme të kërkim – shpëtimit, ka nxjerrë minatorët nga vendi i aksidentit dhe ka kontaktuar me Ministrinë e Mbrojtjes për transportimin e njërit prej tyre në spitalin e Traumës në Tiranë” tha Sokol Kondi, manaxher i marrëdhënieve me publikun për grupin Balfin. “Njëri prej [minatorëve] ka pësuar një frakturë në njërën këmbë,” shtoi ai.
Aksidentet në zonën minerare të Bulqizës janë bërë thuajse të përjavshme. Shtatë minatorë dhe një punëtore seleksionimi kanë humbur jetën prej nëntorit të vitit të kaluar, ndërsa mjaft të tjerë janë plagosur. BIRN gjeti në një shkrim të mëparshëm se megjithëse konstatoheshin probleme për sigurinë në miniera, masat ndaj koncesionarëve ishin kryesisht gjoba, ndërsa faji për aksidentet mbetej mbi viktimat.
Kondi tha se aksidenti nuk kishte ardhur si pasojë e mungesës së masave të sigurisë në galeri dhe insistoi që kompania Alb Chrome i merrte seriozisht çështjet e sigurisë në minierë.
“Do të donim të theksonim se aksidentet që ndodhin në Bulqizë, ku ka kompani dhe galeri të shumta minerare, nuk kanë asnjë lidhje me kompaninë Alb Chrome, e cila i ka marrë të gjitha masat përkatëse të sigurisë,” përfundoi ai.
* Ky shkrim është përditësuar për të reflektuar deklaratën e grupit Balfin