Lajm8 Jun 2018

Aksidentohet minatori në një nga galeritë e kromit në Martanesh

Një tjetër minator u plagos në galeritë e nxjerrjes së kromit, ndërsa sipas administratorit të kompanisë tentoi të kontrollonte vonesën e një shpërthimi të komanduar mine.

Autor: Sami Curri, Hysen Likdisha BIRN Bulqizë
Printo

Stoqet e kromit dhe qyteti i Bulqizës. Foto: Vladimir Karaj/ Arkiv

Një aksident ndodhi gjatë shpërthimit të një mine në një nga galeritë e kromit në Martanesh. Policia njoftoi se aksidenti ndodhi paraditen e të premtes në zonën e Batrës, ndërsa i plagosuri u identifikua si Naim Lela 53-vjeç, i cili punonte për kompaninë e administruar nga Dhurim Kurti. Pas ndihmës së parë minatori u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës për shkak të dëmtimeve në fytyrë dhe sy dhe sepse në spitalin e Burrelit nuk kishte mjekë specialist për këtë rast.

Policia njoftoi se “gjatë punës është aksidentuar në galeri shtetasi Naim Lela, rreth 53 vjeç,  banues në Mat, i cili po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Burrelit, jashtë rrezikut për jetën”.  Ndërkohë administratori i kompanisë Dhurim Kurti i tha BIRN se i plagosuri ishte specialisti më i mirë që ata kishin dhe se incidenti nuk kishte qenë i rëndë. Kurti i tha BIRN se “minatori ishte goditur në fytyrë nga disa cifla guri, në  momentin kur është afruar të kontrollojë pse shpërthimi i komanduar po vonohej”. Sipas administratorit dëmtimi ishte i lehtë dhe i plagosuri ishte dërguar në Tiranë për siguri.

Kirurgu i spitalit të Burrelit i tha BIRN se nuk mund të fliste se sa të rënda ishin plagët për shkak se nuk ishte specialist, ndërsa edhe mjekët pranë Spitalit të Traumës nuk dhanë një diagnozë të qartë të dëmtimeve, por thanë se minatori kishte dëmtime në fytyrë. BIRN mësoi se minatori po mbahej nën vëzhgim.   Të afërm të të plagosurit në spital  i thanë BIRN se nuk ishin informuar për ccfarë kishte ndodhur.

Aksidentet në galeritë e Bulqizës janë bërë të shpeshta dhe në disa raste u kanë kushtuar jetën minatorëve.