Gjykata e Krimeve të Rënda miratoi kërkesën për sekuestrimin e 1 % të aksioneve me vlerë 113 milionë lekë në bankën Credins, pas akuzave për “deklarim të rremë të pasurisë” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale” ndaj deputetit Alfred Peza.
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi nën sekuestro preventive aksionet e bashkëshortes së deputetit Alfred Peza në bankën Credins, në kuadër të hetimit të nisur nga Prokuroria e Përgjithshme për veprat penale të “fshehjes së të ardhurave”, “pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “…deklarimit të rremë të pasurisë”.
Përmes një njoftimi për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se sekuestroja preventive u vendos mbi 1 % të aksioneve me vlerë 113 milionë lekë.
“Nga hetimi i zhvilluar në lidhje me këtë procedim penal, rezulton se shtetasi Alfred Peza dhe bashkëshortja e tij, Mirela Ndini, posedojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe likujditete, të cilat janë tjetërsuar, duke kryer blerjen e masës prej 1% të aksioneve të Bankës Credins sha,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Duke u bazuar në hetimin e deritanishëm, Prokuroria deklaroi se ka dyshime të arsyeshme që bashkëshortët Alfred Peza dhe Mirela Ndini kanë krijuar dhe shtuar depozita bankare me të ardhura të pambuluara dhe të paevidentuara në regjistrat publikë, çka sipas Prokurorisë përbën dyshim për ligjshmërinë e tyre.
Prokuroria e Përgjithshme i ka referuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda hetimin pasuror të deputetit të Partisë Socialiste, Peza dhe në bazë të ligjit Antimafia është marrë nga gjykata miratimi i sekuestros preventive.
Sipas Prokurorisë, analiza financiare e bashkëshortëve Peza-Ndini ndër vite, pas zbritjes së shpenzimeve është 51 milionë lekë, ndërkohë, vlera e aseteve në pronësi të tyre është 135 milionë lekë.
“Pra, rezulton se bashkëshortët Peza-Ndini kanë një pasuri prej rreth 84 milionë lekë të reja, të cilën nuk e justifikojnë me burime financiare të njohura,” shton Prokuroria në njoftimin për shtyp.
Hetimi për pasurinë e deputetit Peza nisi kryesisht nga Prokuroria në janar 2017, pas publikimit në media se bashkëshortja e tij kishte blerë 1% të aksioneve në bankën Credins. Pas nisjes së hetimeve, Peza tha se paratë ishin kursime të familjes, të deklaruara prej tij në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ditën kur u shpall deputet i Kuvendit.