Lajm14 Mar 2019

Aksioni anti fajde në Shkodër, sekuestrohen gjysmë milioni euro

12 persona u arrestuan dhe 4 janë në kërkim me akuza të pastrimit të parave dhe aktiviteteve financiare të paligjshme. Operacioni i policisë dhe prokurorisë së Shkodrës solli sekuestrimin e rreth gjysmë milioni euro. Mes të arrestuarve ish-zyrtarë të lartë lokalë dhe ish-kancelari i Gjykatës së Shkodrës.

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

Para të sekuestruara nga operacioni “Maranaj” i policisë dhe prokurorisë së Shkodrës. Foto: Policia e Shtetit

Një hetim i prokurorisë dhe policisë në Shkodër, me mbështeje të njësive operacionale të Policisë së Shtetit, u finalizua të enjten me arrestimin e 12 personave të akuzuar për pastrim parash dhe fajde. Katër të dyshuar u shpallën në kërkim, ndërsa policia njoftoi se kishte sekuestruar 238 mijë Euro, 272 mijë dollarë, 414 mijë lekë, 20 automejte, 1 revolver, 1 armë gjahu pa leje,  5 kompjutera dhe 50 celularë.

Policia bëri me dije si ishin sekuestruar edhe një numër dokumentesh përfshi kontrata, akte dhe deklarta noteriale, për pasuri e transaksione financiare të dyshuara. “Në vazhdim të hetimit me vendim të Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër u dhanë 19 masa sigurie, nga të cilat; 16 masa arrest me burg; 2 masa “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi Publik” ; 1 masë sigurimi “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, si dhe 22 masa të tjera për kontrolle banesash e ambientesh”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Operacioni i koduar “MARANAJ” është ndërmarrë sipas policisë pas një hetimi disa mujor, ndërsa të ndaluarit dhe personat e shpallur në kërkim akuzohen për “Pastrimit të Produkteve të Veprës penale”, “Ushtrim aktiviteti financiar të paliçensuar”, “Shpërdorim detyre”, “Prodhim dhe Mbajtje pa leje e armeve luftarake dhe municioneve” dhe “Mos kallzim krimi”.

Policia bëri me dije se personat jepnin para me fajde dhe më pas përdornin kërcënimet për të marrë pas paratë dhe interesat e lartë. BIRN mësoi se hetimet kishin filluar nga kallëzimi i një biznesmeni që ishte kërcënuar për mos kthimin pas të shumës.

Kryeministri Edi Rama përshendeti aksionin pak minuta pasi ai u njoftua nga policia, duke shkruar në profilin e tij në Twitter se tani “Shkodra është më e qetë e më e sigurtë se asnjëherë dhe Policia e Shtetit çdo ditë më efikase”.

Sipas policisë ishin “krijuar dyshime të arsyeshme si dhe janë gjetur e sekuestruar prova materiale që hedhin dritë mbi aktivitetin kriminal” të 16 të akuzuarve. Policia njoftoi se ishin arrestuar B. A. 61 vjeç, E. M., 33 vjeç, A.B. 22 vjeç, A.D. 39 vjeç, M.B. 31 vjeç, V.N, 37 vjeç, E.F., 38 vjeç, E.Q., 41 vjeç, P.V., 54 vjeç, L.S., 48 vjeç, N.A. 52 vjeç. Veç të arrestuarve ndaj një noteri dhe dy personave të tjerë u morën masa të ndalimit të ushtrimit të shërbimit publik dhe “detyrim paraqitje”. Mes tyre është edhe ish-kancelari i Gjykatës së Shkodrës.

Ndërkohë një person i identifikuar si I.S. 38 vjeç u arrestua nga policia në Morinë, ndërsa synoi të arratisej në Kosovë. BIRN mësoi se bëhej fjalë për ish-drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Policia bëri me dije se ishte duke hetuar për dokumentimin “e të gjitha pasurive të vëna nga aktiviteti kriminal, me qëllim sekuestrimin, konfiskimin dhe rikuperimin tek viktimat e krimit”. Në njoftim bëhet me dije se në aksion u përfshinë 160 forca policore dhe 30 automjete të policisë.