Lajm4 Jul 2019

Aktivistë nga Ballkani një javë protesta kundër hidrocentraleve

Ambientalistët e shqetësuar për dëmin që i shkaktohet lumenjve në Ballkan nga hidrocentralet planifikojnë një javë protesta nën sloganin “Luemnjtë tanë – Jo hec-e” në disa kryeqytete të Ballkanit.

Autor: Mladen Lakic BIRN Sarajevë
Printo

Foto që lajmëron javën e protestave. Foto kortezi e Save the Blue Heart of Europe/Radomir Duvnjak

Duke filluar nga kjo të shtunë deri më 16 korrik, protesta kundër dëmit të shkaktuar në mjedis nga hidrocentralet do të organizohen në disa kryeqytete të Ballkanit, nën emrin “Action Weeks for Balkan Rivers”, një aksion i përbashkët i disa organizatave joqeveritare mjedisore.

“Lumenjtë e Ballkanit nuk janë lumenj normalë europianë. Ata janë më të mirët në Europë. Nuk ka rajone të tjera me kaq shumë lloje lumenjsh – lumenj me ujë të pastër kristal, lumenj të egër me ishuj, ujëvara, pyje aluviale e kështu me radhë – dhe janë plot me jetë. Në këta lumenj jetojnë edhe 113 lloje peshqish në rrezik zhdukjeje,” tha Ulrich Eichelmann, një nga organizatorët e protestave, për BIRN.

Kryeqytetet e Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Sllovenisë, Bosnjës dhe Greqisë do të organizojnë protesta, duke filluar nga e shtuna në Tiranë, Shqipëri, dhe duke u mbyllur më 16 korrik në Athinë, Greqi.

Eichelmann tha se java e veprimit ishte e para e këtij lloji. Veprime të ngjashme ishin organizuar më parë, me të njëjtin qëllim, por jo të gjitha brenda një jave.

Mungesa e komunikimit midis ambientalistëve dhe vendimmarrësve ishte një pjesë e madhe e problemit, shpjegoi Eichelmann.

“Ne nuk kemi qasje të madhe me liderët politikë dhe kjo jo për fajin tonë. Ne jemi gjithmonë të lumtur të flasim në çdo kohë dhe të diskutojmë çështjet, por situata është kryesisht që vendimmarrësit nuk duan të flasin me ne. Kjo duhet të përmirësohet,” vuri në dukje ai.

Nevoja për të shfrytëzuar “potencialin e papërdorur të ujit” është një nga argumentet më të dëgjuara nga mbështetësit e hidrocentralit, ndonëse raportet e ndryshme të ekspertëve kanë paralajmëruar kujdes rreth kësaj qasjeje dhe pasojave të saj.

Hidrocentralet tashmë përdoren gjerësisht në të gjithë rajonin dhe mijëra projekte të reja janë planifikuar për një të ardhme të afërt. Në rajon janë planifikuar të ndërtohen tani rreth 3,000 hidrocentrale.

Ata që tërheqin vëmendjen më kritike në Bosnje janë në Krusçcca, Doljanka, Buk Bijela në Drina dhe Medna në lumin Sana. Në Serbi, ata janë në Stara Planina, Rakita dhe Parku Nacional Kapaonik. Në Shqipëri hidrocentralet e kontestuara janë në Kalivaç dhe Poçem në lumin Vjosa. Të tjerë në qendër të vëmendjes janë projekti i lumit Shushica dhe Mavrovë në Maqedoninë e Veriut.

Bankëatch, një rrjet i përbërë nga disa OJQ në Ballkan, paralajmëroi në një raport nga viti 2017 për dëmet që edhe hidrocentrale të vogla mund t’i shkaktojnë natyrës dhe biodiversitetit.

Ai rekomandoi rritje të monitorimit dhe përdorim të masave restauruese në tetë projekte hidrocentralesh në lumenj në Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut, të gjitha të financuara me para publike europiane. Një studim i mbështetur nga Komisioni Europian tha se tani 387 hidrocentrale të vogla operojnë në të gjithë Ballkanin Perëndimor.