Aktivistë të Lëvizjes për Universitetin kanë qëlluar me vezë ndaj kryeministrit Rama, pa e prekur atë, megjithatë ata janë keqtrajtuar gjatë shoqërimit për në komisariatin e policisë. Policia mohoi dhunën ndërsa një avokat i të drejtave të njeriut u ndalua të kontaktojë me studentët e ndaluar.
E përditësuar: Policia ndalon avokatin dhe mohon dhunën ndaj studentëve
Policia e Tiranës nuk lejoi një avokat të të drejtave të njeriut të kontaktojë tetë studentët e ndaluar nga policia për protestën ndaj kryeministrit Edi Rama te fakulteti i Shkencave të Natyrës në Tiranë.
Studentët e Lëvizjes për Universitetin dhe qytetarë të tjerë u mblodhën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku po merren në pyetje studentët e ndaluar nga policia. Njëri prej aktivistëve bëri të ditur se një avokat i ofruar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit nuk u lejua të kontaktojë studentët e ndaluar.
Ndërkohë, Policia e Shtetit deklaroi se nuk ka ushtruar dhunë ndaj studentëve, megjithëse pamjet e kapura me video amatore flasin ndryshe.
Disa studentë nga Tirana dhe Prishtina protestuan ndaj kryeministrit Edi Rama sot paradite duke bërtitur “Hajdut!” “Hajdut!”, ndërsa ky i fundit gjendej në mjediset e universitetit për një takim pa lidhje me universitetin. Në çastet e fundit, disa protestues hodhën disa vezë në drejtim të kryeministrit. Asnjë nga vezët e hedhura nuk e gjeti shënjestrën.
Sipas policisë, “disa të rinj kanë qëlluar me objekte të ndryshme në drejtim të mjetit të Kryeministrit të Republikës”.
“Sqarojmë publikun se nga Policia e Shtetit nuk është keqtrajtuar askush, si dhe përgënjeshtrojmë çdo pretendim të cilësdo Partie politike që akuzon Policinë për ushtrim dhune ndaj protestuesve,” thuhet në deklaratë.
Një grup aktivistësh të Lëvizjes për Universitetin kanë qëlluar me vezë kryeministrin, Edi Rama, pas një takimi të organizuar në Fakultetin e Shkencave Sociale.
Tetë studentë të Lëvizjes janë shoqëruar dhe keqtrajtuar nga policia pas ngjarjes.
Dëshmitarët në vendngjarje i thanë BIRN se asnjë nga vezët e qëlluara kundrejt kryeministrit Rama nuk e ka prekur atë.
Studentët janë në pritje të procedurave të policisë në Komisariatin nr. 2 në Tiranë.
Lëvizja për Universitetin ka organizuar për një vit e gjysmë protesta kundër Ligjit të Arsimit të Lartë, një ligj polemik që synon të ndajë fondet publike me universitetet private, i kundërshtuar edhe nga disa profesorë dhe specialist të fushës së arsimit.