Duke analizuar shpenzimet e tre universiteteve kryesore në vend, një grup aktivistësh zbuluan se pjesa më e madhe e buxheteve të universiteteve shkojnë për shpenzime luksi.
Një monitorim i publikuar të hënën nga Qëndresa Qytetare, një OJQ e përqendruar te roli i shoqërisë civile në llogaridhënien e autoriteteve, mbi tre universitete publike në Shqipëri zbuloi se universitetet investojnë pak për fusha kërkimore dhe përmirësim të kushteve të studentëve, ndërsa pesha më e madhe e shpenzimeve të tyre lidhet me mobilim zyrash, shpenzime luksi dhe pagesa jashtë çmimeve të tregut.
Monitorimi u shtri në universitete publike të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit gjatë periudhës shtator 2017 deri në mars 2018 dhe u fokusua te mënyra e shpenzimit të të ardhurave nga tarifimi i studentëve dhe buxheti i shtetit përmes analizimit të transaksioneve të thesarit. Ai testoi gjithashtu transparencën e universiteteve përmes kërkesave për të drejtë informimi te institucionet arsimore përkatëse.
“Nga monitorimi i transaksioneve rezulton se tre universitetet publike janë më larg shkencës dhe më pranë luksit të zyrave, pasi nuk kanë shpenzuar asnjë vlerë për studime dhe kërkime përgjatë monitorimit 7-mujor,” tërhoqën vëmendje monitoruesit.
Ata zbuluan se shuma të mëdha parash u shpenzuan nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës për pajisje zyrash, nga Universiteti i Elbasanit për abonime televizive, ndërsa Universiteti i Tiranës shpenzoi rreth 39 milionë lekë për likuidime të punonjësve të hequr nga puna padrejtësisht.
Një tjetër flamur i kuq sipas monitorimit janë shpenzimet e larta të Universitetit të Durrësit (10.7 milionë) dhe atij të Elbasanit (13.9 milionë) për shërbimin e sigurisë.
BIRN kontaktoi përmes email universitetet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit për të komentuar mbi gjetjet e monitorimit, por nuk mori përgjigje në kohën e publikimit.
“E vetmja gjë që studentët shohin çdo ditë nga gjithë kjo shumë e shpenzuar është një roje sigurie tek dyert e godinave,” thuhet në monitorim, ku tërhiqet vëmendja se kjo shifër është gati tre herë më e ulët për universitetin e Tiranës.
Rigels Xhemollari, drejtues i Qëndresës Qytetare tha për BIRN se gjetjet qenë shqetësuese për raportin universitet-student.
“Kemi universitete me buxhete të pasura dhe shërbime të varfra,” tha Xhemollari, duke shtuar se universitetet shqiptare kanë tarifat më të larta në Europë, por cilësinë më të ulët të arsimit.
Sipas tij, financat e universiteteve duhet të jenë transparente dhe t’i nënshtrohen buxhetimit me pjesëmarrje, ku të vendosin vetë studentët.
“Sot përveçse në terr të plotë, luksi i zyrtarëve ka prioritet ndaj investimeve për internet, biblioteka dhe mjete shkollore,” përfundoi Xhemollari.
Në lidhje me nivelin e transparencës, monitorimi i renditi dobët universitetet publike, të cilat nuk kthyen në kohë përgjigjet për informacionet që duhej t’i kishin tashmë të listuara online.
Universiteti i Tiranës u denoncua nga monitoruesit se mbifaturon në shkelje të ligjit informacionin e ofruar me një tarifë prej 1000 lekësh sipas një rregullore të brendshme, ndërkohë që legjislacioni parashikon se kostoja e shërbimit nuk duhet të tejkalojë kostot fikse të printimit ose informacioni të jetë pa pagesë nëse ai kërkohet përmes e-mail.
Monitoruesit nxitën universitetet të jenë më transparente në publikimin dhe konsultimin për shpenzimet e tyre, ndërsa i bënë thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit të auditojë këto institucione për të kontrolluar rastet e shpenzimeve anormale dhe të pajustifikuara nga institucionet e arsimit të lartë.
Ata gjithashtu rekomanduan që Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të marrë masat administrative ndaj mospublikimit të informacionit nga universitetet sipas detyrimit ligjor.