Në një protestë të organizuar të martën përpara Ministrisë së Brendshme, aktivistë dhe familjarë të 27-vjeçarit Enea Ftoji akuzuan policinë se kishte dhunuar për vdekje të riun e komunitetit egjiptian, ndërsa i bënë thirrje autoriteteve të mos heshtin për këtë shkelje të të drejtave të njeriut.
Aktivistë të të drejtave të njeriut dhe familjarë të Enea Ftoj, 27-vjeçarit që gjeti vdekjen në komisariatin e policisë në Korçë më 17 maj, protestuan të martën përpara Ministrisë së Brendshme, ku i bënë thirrje ministrit Xhafaj dhe institucioneve përgjegjëse të marrin masa për zbardhjen e së vërtetës.
Duke mbajtur në duar foto të të riut, i cili doli i vdekur nga paraburgimi i Korçës, ku priste masën e sigurisë pas arrestimit për vjedhje, aktivistët akuzuan policinë se e ka rrahur për vdekje 27-vjeçarin dhe se po e mbulon ngjarjen.
“I bëjmë thirrje Ministrisë së Brendshme që të marrë masa ndaj personave përgjegjës të komisariatit të policisë Korçë që shkaktuan vdekjen e të riut Ene Ftoji,” tha në protestë aktivisti Ervis Çota, ndërsa shtoi se aktivistëve u mohua leja për të protestuar.
Një ditë më parë, ekspertiza mjekoligjore paraprake doli në përfundimin se vdekja e babait të tre fëmijëve, Enea Ftoj, nuk kishte ardhur prej dhunës, duke konfirmuar kështu pretendimet e policisë për vdekje nga shkaqe natyrale.
Familjarët e të ndjerit të cilët udhëtuan drejt Tiranës për protestën denoncuan se policia kishte tentuar dy herë t’u ndalonte atyre makinën ndërsa vinin drejt kryeqytetit dhe të zemëruar thanë se i afërmi i tyre ishte vrarë dhe nuk kishte vdekur nga shkaqe natyrale.
“Kur fëmija kishte vdekur në rajon, pse nuk u lajmërua familja? E marrin fëmijën me një batanije, e hedhin aty në makinë…” u shpreh e ëma e Enea Ftojit.
“Të mashtrohen prindërit kur fëmija kishte vdekur… E kishin përdhunuar, e kishin vrarë, e kishin prerë edhe nuk tregonin; deshin të fshihnin ato të palarat ata,” shtoi ajo.
Duke treguar ngjarjet për gazetarët, vëllai i Ftojit tregoi se ata kishin tentuar disa herë ta vizitonin familjarin e tyre në paraburgim por policia i kishte ndaluar dhe u kishin thënë ta takonin në gjyq, ku ata mësuan se Enea kishte vdekur “për shkaqe natyrale”.
“Tërë krahun e shpatullën e kishte të thyer, brinjën po, këmbën, duart, kokën dhe fytyrën e kishte të qepur,” tha ai duke treguar nofullat.
“Të meritonte dënimin, ta vuante, jo t’i bënin masakër,” shtoi i vëllai.
Aktivisti i Lëvizjes Rinore Egjiptiane Rome Gentian Serjani i tha BIRN se ngjarja lidhej me paragjykimin dhe se institucionet duhet të ndërhynin për të ndëshkuar përgjegjësit.
“Jemi këtu për të sensibilizuar dhe për ta institucionin e ministrisë së brendshme dhe drejtuesin e saj për t’u shprehur dhe për të mos qëndruar në heshtje për rastin në fjalë, pasi kemi të bëjmë me humbje jete dhe shkelje të të drejtave të njeriut,” tha Serjani.
“Ministri me heshtjen bëhet bashkëpunues në krim… Pra këtu kemi të bëjmë me diskriminim, diskriminim i të varfrit dhe diskriminim i të varfrit egjiptian më pas,” shtoi ai.
Serjani gjithashtu i bëri thirrje qeverisë të marrë masa për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.
“Është momenti kur duhet t’i bëjmë thirrje ligjvënësve ndoshta për rishikimin e procedurave të ndalimit, por edhe për vendosjen e disa kamerave në komisariate,” përfundoi Serjani.
Aktivistët pjesëmarrës nënshkruan në protestë një peticion, ku kërkuan nga Ministria e Brendshme të merren masa ndaj personave përgjegjës në komisariatin e Korçës dhe ia dorëzuan atë ministrisë.
Në një deklaratë për shtyp të hënën, Komiteti Shqiptar i Helsinkit nxiti autoritetet të verifikojnë pretendimet e familjarëve. Ai gjithashtu shprehu shqetësim për disa mospërputhje të dokumentacionit dhe pretendimeve të policisë, ndërsa dënoi moslajmërimin e familjarëve në çastin e vdekjes së të afërmit të tyre në komisariat.
Prokuroria po vazhdon hetimet për ngjarjen, ndërsa priten ende rezultate të tjera të shkaqeve të vdekjes.