Lajm8 Oct 2019

Aktivistët ecin në Tiranë për muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit

Për të njëmbëdhjetin vit radhazi, qytetarë, diplomatë dhe zyrtarë publikë bënë një ecje në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për nevojën e parandalimit të kancerit të gjirit.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Aktivistë, mjekë dhe diplomatë duke ecur në Tiranë më 8 tetor 2019 për ndërgjegjësimin ndaj problemit të kancerit të gjirit. Foto: BIRN

Disa dhjetëra aktivistë organizuan një ecje ndërgjegjësuese për kancerin e gjirit në Tiranë pasditen e së martës nga Pallati i Kongreseve për te sheshi Skënderbej. Ky ishte i njëmbëdhjeti vit rradhazi i zhvillimit të këtij aktiviteti që organizohet nga YWCA Albania, një organizatë për të drejtat e grave.

Sopranoja Ermonela Jaho përshëndeti aktivistët me një mesazh të regjistruar ku njoftoi edhe mbajtjen e një koncerti bamirësie për këtë qëllim.

“Unë kam shumë besim se dita kur kanceri i gjirit nuk do të jetë më një problem për jetën dhe shëndetin tonë nuk do të jetë e largët,” tha Jaho në mesazhin e saj. “Por kjo varet shumë nga vetë ne, sa informohemi, sa rregullisht kryejmë vetë një kontroll një herë në muaj dhe sa rregullisht kryejmë një kontroll te mjeku specialist,” shtoi Jaho.

Por pavarësisht optimizmit, Ambasadori i Kombeve të Bashkuara Brian Williams theksoi se mbi 500 mijë gra vijojnë të vdesin çdo vit nga kanceri i gjirit në të gjithë botën dhe se shumica e tyre vdesin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Sipas Williams, shkaku kryesor për këtë është diagnostikimi me vonesë i sëmundjes.

“Por ka lajme të mira”, shtoi Williams. “Vdekshmëria nga kanceri i gjirit në Shqipëri ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit, gjë që tregon për rritjen e rasteve të diagnostikimit të hershëm”.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca i bëri thirrje burrave të jenë ndihmues dhe nxitës që gratë të kryejnë kontrollet e nevojshme mjekësore, të cilat shpesh nuk kryhen për çështje të stigmës apo mentalitetit.

YWCA Albania shpërndau edhe çmime për disa nga aktivistet e saj, të cilat kanë punuar për ndërgjegjësimin e shoqërisë për kancerin e gjirit që prej më shumë se një dekade.