Situata e rënduar dhe kriza ekonomike e krijuar nga pandemia e COVID-19, e ka bërë pothuajse të pamundur rimëkëmbjen ekonomike të familjeve të komunitetit Rom dhe Egjiptian; duke i shtyrë aktivistët t’i kërkojnë qeverisë të zyrtarizojë profesionet të tyre informale.
Paraditen e së hënës, aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri, dorëzuan pranë institucioneve shtetërore një peticion të firmosur nga 1100 qytetarë, në të cilin kërkohej mbështetje për formalizimin e profesioneve që ushqejnë familjet e këtyre komuniteteve vulnerabël.
Ky peticion u dorëzua nga aktivistët pranë institucionit të Kryeministrisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Ministrisë së Rindërtimit.
“Nisur nga situata që shkaktoi dhe pandemia, një pjesë e konsiderueshme e familjeve rome dhe egjiptiane, që përfaqësojnë një shtresë vulnerabël dhe me probleme ekonomike, e kanë pasur të pamundur të ushtronin aktivitetin e tyre informal për pothuajse 3 muaj, e si pasojë as të nxjerrin të ardhura”, u shpreh Romina Sefa, përfaqësuese e Qendrës për Advokim Social.
Ajo theksoi se nëse në kushte të tjera formalizimi i punonjësve informal do ishte i pamundur, në kushtet e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia ky proces përbën një nevojë jetike për familjet e komunitetit.
Nëpërmjet peticionit të realizuar online, për shkak të masave të distancimit social, i është kërkuar qeverisë të përfshijë tek programi i ndihmës lidhur me COVID-19, dy kategori të komunitetit Rom – shitësit ambulant informal si dhe ata që merren me mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme, por edhe të profesioneve të lira si elektricist, hidraulik, saldator, të cilët i sigurojnë të ardhurat si të punësuar informal.
Sipas censusit të publikuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në vitin 2014, minoriteti Rom dhe Egjiptian në Shqipëri llogaritet të ketë një popullsi prej 18,276 banorësh.
Ky minoritet bën pjesë në shtresën më të varfër të popullsisë dhe gjatë 2 muajve te fundit po përballet gjithashtu me pasojat ekonomike të shkaktuara prej masave kufizuese të COVID-19.
“Të krijohet një fond që siguron mbështetjen e tyre pas situatës së pandemisë e në vazhdim, pasi shumë prej tyre e përballojnë jetesën me shitjen e rrobave të përdorura apo mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme, aktivitete që ka kanë qenë e pamundur për këto muaj,” u shpreh për BIRN aktivistja Jeta Pera, duke bërë thirrje për krijimin e një pakete të veçantë që garanton mbështetjen e tyre ,e pse jo edhe nëpërmjet granteve të drejtpërdrejta.
Aktivistja Sefa si edhe aktivisti Fatjon Kaca, shprehen se së bashku me të tjerë përfaqësues të organizatave në mbrojte të komunitetit Rom dhe Egjiptian, shpresojnë dhe kërkojnë që qeveria t’i formalizojë këta punëtorë informal në mënyrë që atyre të mos iu duhet më të futen nëpër kontenierë, por të shkojnë në mënyrë direkte nëpër familje për të mbledhur mbetjet e riciklueshme me një mjet identifikues dhe një uniformë, gjë që mund t’u mundësohet nëse zyrtarizohet dhe puna e tyre.
Aktivistët e komunitetit Rom dhe Egjiptian nëpërmjet këtij peticioni gjithashtu kërkuan të reflektohet mbi procedura ligjore, të cilat të bëhen më pas të zbatueshme në mbështetje të komunitetit.
“Në momentin që këta punonjës formalizohen , qeveria arrin të mbledhë taksa prej tyre, por nga ana tjetër nëpërmjet këtij procesi punonjësit mund të sigurojnë të ardhura më të vazhdueshme për familjet e tyre”, tha Romina Sefa, duke theksuar se kështu mund të ketë një balancë midis interesit shtetëror dhe atij të komunitetit.