Lajm15 Mar 2019

Aktivistët kritikojnë si të pamjaftueshëm kufizimin e koncesioneve nga qeveria

Aktivistët mjedisorë u shprehën të zhgënjyer nga një nismë e qeverisë për të ndërprerë koncesionet me ofertë të pakërkuar në shumë fusha me përjashtim të energjisë, duke argumentuar se mbrojtja e ekosistemit kërkon minimalisht një moratorium për hidrocentralet e reja.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Nga e majta në të djathtë, Nihat Dragoti, Elvana Tivari, Olsi Nika, Irena Dule dhe Xhemal Mato gjatë një konference për shtyp në Tiranë më 15 mars 2019.

Disa aktivistë mjedisorë dhe ekspertë ligjorë kritikuan si të pamjaftueshme nismën e Ministrisë së Financave për të ndërprerë praktikën e koncesioneve me propozim të pakërkuar në disa fusha me përjashtim të sektorit të energjisë. Aktivistët kërkuan që kufizimi të zbatohet para së gjithash në sektorin e hidrocentraleve të vegjël, si një masë e domosdoshme për t’i dhënë fund shfrytëzimit pa kritere të lumenjve dhe përrenjve të vegjël në të gjithë Shqipërinë, një praktikë e shumëdebatuar kjo si në drejtim të mbrojtjes së natyrës ashtu edhe në drejtim të leverdishmërisë ekonomike.

“Ne kemi ndjekur rrugët ligjore për të kundërshtuar projektet e HEC-eve në luginën e Vjosës, të Osumit, etj. e megjithatë mendojmë se kjo do të ishte një betejë e pafund pasi legjislacioni aktual favorizon dhënien e lejeve të reja pa zbatuar standardet më të larta për ruajtjen e mjedisit,” tha Olsi Nika, nga organizata EcoAlbania në një konferencë për shtyp të zhvilluar të premten.

Aktivistët thanë se kishin kërkuar pranë Kuvendit të Shqipërisë heqjen e të drejtës së biznesit për të bërë propozime të pakërkuara në hidroenergjetikë bashkë me shtimin e detyrimit për të kryer studime fizibiliteti gjithëpërfshirëse, të cilat duhet të marrin parasysh jo vetëm llogaritë ekonomike por edhe llogaritë mjedisore. Por propozimet e tyre u hodhën poshtë nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë, sipas aktivistëve.

Në janar të këtij viti, Ministria e Financave propozoi në Kuvendin e Shqipërisë ndalimin me ligj të koncesioneve, të cilat janë bërë simbol i qeverisë aktuale dhe asaj të shkuar dhe që janë shoqëruar shpesh me dyshime për korrupsion dhe me akuza për mungesë të leverdisshmërisë ekonomike.

Ekspertja ligjore Elvana Tivari theksoi në konferencë se kuadri ligjor ekzistues është i pamjaftueshëm për të garantuar interesin publik në rastin e ofertave të pakërkuara për koncesione në sektorin e energjisë elektrike.

Projektligji [Link] është aktualisht në proces shqyrtimi në Kuvendin e Shqipërisë dhe në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese u pranua propozimi që propozimet e pakërkuara për koncesione hidrocentralesh të pezulloheshin deri në vitin 2021, por sipas aktivistëve, të njëjtat propozime nuk u pranuan në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

Projektligji pritet të shqyrtohet së shpejti në seancë plenare.

Aktivistët shprehën gjithashtu mosbesim ndaj nismës së deklaruar nga ministrja e re e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku për “skanimin” e kontratave koncesionare.

Nihat Dragoti, ekspert mjedisor nga organizata INCA tha: “Procesi i skanimit ka ndodhur edhe më parë dhe nuk ka sjellë asgjë. Aktualisht ka muaj që flitet për të por ende nuk ka ndodhur asgjë. Mënyra e vetme për të trajtuar problemin është një moratorium së paku disavjeçar ndaj koncesioneve të reja, i ngjashëm me moratoriumin e pyjeve apo gjuetisë, për të lejuar kohë për të kryer studimet e nevojshme mbi lumenjtë, mundësitë për prodhim energjie dhe pasojat mjedisore.”

Irena Dule, eksperte e drejtësisë, theksoi gjithashtu faktin se ndonëse ministria ka mundësi ligjore të ndalojë projektet aktualisht në proces, ajo e ka të vështirë të veprojë kundër projekteve që kanë tashmë kontrata.

Ministria e Energjisë deklaroi dhjetorin e kaluar nisjen e një procedure kontrolli për koncesionet ekzistuese pasi aktivistët zbuluan edhe një rast tjetër të ndërtimit të hidrocentraleve në një zonë të ndjeshme si ajo e kanionit të Holtës në Gramsh.

Por aktivistët rikujtuan se ministrat e shkuar në ministrinë përgjegjëse për sektorin e energjisë kanë premtuar shpesh kontroll të rreptë të koncesioneve por këto premtime nuk kanë pasur pasoja.

“Aktualisht procedurat vijojnë. E vetmja mënyrë për t’i ndaluar është ndryshimi në ligj,” tha Dragoti.