Lëvizja për Universitetin i ka cilësuar zgjedhjet të cilat po mbahen në kushtet e pandemisë si tallje që vjen nga qeveria dhe ortakëria e saj me burokracinë universitare.
Paraditen e së enjtes janë zhvilluar zgjedhjet në 12 universitete publike të Shqipërisë, për senatin akademik, dekanët e fakulteteve dhe drejtuesit e departamenteve të universiteteve.
Këto zgjedhje janë konsideruar nga studentët e Lëvizjes për Universitetin (LPU) si jo legjitime pasi përkojnë me një periudhë kur shumica e studentëve janë larguar nga universiteti për shkak të mbarimit të vitit akademik, si edhe për shkak se Komisioni Institucional Zgjedhor (KIZ) nuk arriti të miratohet nga Senati Akademik.
“Situata e vështirë nuk na ka ndaluar të kritikojmë talljen e vazhdueshme të qeverisë me studentët”, shkruajnë aktivistët e lëvizjes për Universitetin.
“Ortakëria midis qeverisë dhe burokracisë universitare nuk mungoi as kësaj radhe ku kërkohej me çdo kush zhvillimi i zgjedhjeve”, shtuan ata duke thënë se zgjedhjet e sotme në universitet janë deri tani më të turpshme dhe më diskriminuese.
Lëvizja për Universitetin është një grupim studentësh aktivistë të cilët që prej vitit 2015 kundërshtojnë zgjedhjet universitare me karakter jolegjitim dhe jo demokratik sipas tyre.
Këta studentë kërkojnë që pesha e votës dhe fjalës së tyre të merret parasysh dhe jo të mbetet në nivelet e deritanishme.
“Pesha e votës studentore mbetet 10%, ndërkohë që mungesa e studentëve në auditore e bën paraprakisht zero pjesëmarrjen e tyre”, u shpreh sot njëra prej aktivisteve të Lëvizjes për Universitetin gjatë një proteste suimbolike pranë godinës së Universitetit të Tiranës.
“Pa rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë dhe rritjen në 50% të peshës së votës studentore në universitete nuk mund të ketë zgjedhje”, përfunduan përfaqësuesit e LPU-së , duke theksuar se rezistenca e tyre do të vazhdojë.