Rastet e dhunës sollën në vëmendje të drejtat e kafshëve në Shqipëri, ku aktivistët po kërkojnë ndëshkime më të ashpra për dhunuesit, ndërsa prej disa vitesh tashmë vullnetarët kafshëdashës kanë strehuar dhe ndihmuar në adoptimin e qenve dhe maceve të braktisura në Shqipëri.
Në periferi të Shkodrës, një kor të lehurash lajkatare paralajmërojnë këdo që i afrohet për një mikrpitje përkëdhelëse. Një strehë për qentë e braktisur të cilët janë në pritje të një familje adoptuese që t’i ofrojë përkujdesje, operohet në këtë zonë në baza vullnetare nga një grup aktivistësh.
Animals Need Me, është një grupim prej dhjetë vullnetarësh të cilët kujdesen prej katër vitesh e gjysmë për qindra kafshë në nevojë në Shkodër. Synimi i tyre është të adoptojnë qentë dhe macet e braktisura dhe të sterilizojnë ata të rrugës.
Izabela Sala, një vullnetare pranë këtij grupimi, tregon për BIRN se dashuria për kafshët dhe dëshira për t’i ofruar atyre një jetë sa më të mirë, i nxit në punën e vet.
“Gjatë këtyre viteve janë sterilizuar më shumë se 900 qen në Shkodër, për të minimizuar mundësinë e rritjes së numrit të qenve. Nga streha e Animals Need Me ka dalë një numër i konsiderueshëm qensh që janë adoptuar dhe sot e kësaj dite jetojnë të lumtur me familjet e tyre,” tha Sala për BIRN.
Ajo shprehet optimiste për marrëdhënien e kafshëve me njerëzit së fundmi, ku shton se ka pasur një edukim në vazhdim këto kohë që njerëzit të mbajnë në shtëpi një kafshë të adoptuar.
Në kryeqytet, nga ana tjetër të tronditur nga rastet e abuzimit çnjerëzor të kafshëve, aktivistët kanë përveshur mëngët për të mbledhur 20 mijë firma në sloganin “1 ligj 4 putra”.
Fushata që drejtohet nga grupimi Animal Rescue Albania, dhe që shtrihet në të gjithë Shqipërinë kërkon cilësimin si vepër penale dhe dënimin me burg rastet e vrasjes, keqtrajtimit, braktisjes dhe shfrytëzimit të kafshëve.
Eva Shalësi, një nga vullnetaret në Tiranë tha për BIRN se aktivistët janë të vendosur ta çojnë përpara peticionin për më shumë mbrojtje për kafshët.
“[Duam] të kemi një ligj që do të dënojë dhunën dhe keqtrajtimin ndaj kafshëve. Mendojmë që vendosja e ligjit do të parandalojë jo vetëm dhunën ndaj kafshëve por edhe individët që mund të jenë të rrezikshëm në shoqëri,” tha Shalësi.
Ajo shtoi se synimi kryesor i Animal Rescue Albania, e cila ka ndërmjetësuar në adoptimin e qindra qenve dhe maceve brenda dhe jashtë Shqipërisë, është sterilizimi i qenve të rrugës dhe një marrëdhënie e shëndetshme mes kafshëve dhe njerëzve.
Peticioni ia ka dalë të mbledhë deri të premten (20 tetor) 19,860 firma për të çuar përpara iniciativën ligjore të dënimit të dhunës ndaj kafshëve në kuadër të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Qindra aktivistë i janë bashkuar nismës në ndërgjegjësimin për mbrojtjen kafshëve në Shqipëri.