Protestuesit në Durrës akuzuan policinë dhe institucionet ligjzbatuese se kishin dështuar të mbronin gratë edhe kur dhuna ndaj tyre ishte denoncuar.
Aktivistë dhe qytetarë në Durës marshuan paraditen e së dielës duke kërkuar ndalimin e dhunës ndaj grave dhe marrjen e masave nga policia, kjo e fundit u akuzua se nuk kishte mbrojtur gratë që kishin urdhër mbrojtjeje. Dhjetra qytetarë përgjatë marshimit më 8 mars, Dita Ndërkombëtare e Gruas, qëndruan për disa minuta në shenjë proteste përpara godinës së policisë, gjykatës dhe bashkisë së qytetit.
Më 26 shkurt në Durrës u shënua viktima e dytë në pak muaj nga dhuna në familje. 59-vjeçarja Hajdije Tasuni u vra nga bashkëshorti i saj në dyqanin ku punonin. Aktivistët pretenduan se nëna e 3 vajzave e kishte raportuar dhunën në polici dhe kjo e fundit kishte tentuar ndërmjetësimin duke mos marrë në mbrojtje të dhunuarën.
“Mos u bëj kryeplaku i fshatit, mos ndërmjetëso”, shkruante pankarta drejtuar bluve të qytetit. “Policia si dera e parë ku trokasin viktimat shpesh herë bën ndërmjetësin midis viktimës dhe dhunuesit për arritjen e pajtimit, duke u bërë shkak për acarim të mëtejshëm të situatës”, tregoi për BIRN Erisilda Shpata, avokate dhe aktiviste pranë Koalicionit Gender Paqe dhe Siguri.
Vetëm në vitin 2019 sipas statistikave të Gjykatës së Durrësit u regjistruan 250 kërkesë padi për lëshimin e urdhërit të menjëhershëm të mbrotjes, 705 kërkesë padi kërkonin zgjidhjen e martesës dhe u referuan 65 çështje penale për akuzën “Dhunë në familje”.
“Është një kauzë globale, nuk është vetëm në Shqipëri, të njëjtat probleme ndodhin edhe në Evropë”, shprehet për BIRN Shyqyri Myrtollari. “Shqetësimi më i madh është se vrasjet e fundit që kanë ndodhur në vend kanë qenë me urdhër mbrojtje dhe nuk ka marrë askush përgjegjësi që t’i ndalonte këto vrasje”, shton 24 vjeçari i cili jeton në Gjermani.
Nga analiza e njoftimeve të Policisë së Durrësit në dy muajt e parë të vitit 2020 janë referuar 6 raste të dhunës në familje, 4 prej të cilëve të lidhura drejtpërdrejtë me dhunimin fizik e psikologjik të bashkëshorteve. Të premten në zonën e plazhit një 50 vjeçar dhunoi gruan e tij dhe më pas tentoi të vetëvritej.
“Është menatliteti jonë, Shqipëria nuk është emancipuar ende. Meshkujt që vrasin mendojnë se e kanë të drejtën ta bëjnë”, analizon Alesia Mema. “Femra sot ende ka frikë të ndahet nga bashkëshorti që e dhunon sepse druhet se do e paragjykojnë, mbase familja nuk e pranon”, shton për BIRN vajza që i është bashkuar marshimit.
Përgjatë vitit 2019 në Durrës 2 gra ranë viktimë e bashkëshortëve. Shifër që u përsërit edhe në 2 muajt e parë të këtij viti. Në të gjithë vendin humbën jetën 7 gra, ndërsa aktivistët ngejnë alarmin se në qytetin bregdetar rastet e dhunës në familej janë të larta.
“Sipas INSTAT-it përgjatë vitit 2018 Durrësi është renditur në vend të parë për numrin e grave që kanë raportuar dhunë në raport me numrin e popullsisë, duke rezultuar 34 raste për 10 mijë banore gra”, tregon avokatja Erisilda Shpata. “Edhe sa vrasje duhet të ndodhin që qytetarët të ngrihen?”, shton ajo.
Bashkia e Durrësit së fundmi ka zgjedhur koordinatoren vendore për dhunën në familje pas një mungese prej disa vitesh. Problem tjetër sipas aktivistëve për të drejtat e grave dhe vajzave mbetet mos zbatimi i urdhërave të mbrojtjes që jep gjykata, si pasojë e mungesës së strehëzave rajonale.