Lajm13 Jun 2018

Aktivistët mjedisorë të vendosur të luftojnë në gjykatë kontratën e Kalivaçit

Organizata në krye fushatës për një Vjosë pa diga shprehet se do të vazhdojë betejën për mbrojtjen e lumit e fundit të egër në Europë dhe se po peshon mënyrat e kontestimit në gjykatë të kontratës së HEC-it të Kalivaçit.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Lumi i Vjosës pranë Tepelenës. Foto: Wikipedia

Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës lajmëroi të mërkurën lidhjen e kontratës koncensionare për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit me koncorsiumin fitues kompaninë turke “Ayen Enerji” dhe atë shqiptare “Fusha SH.P.K”.

Nënshkrimi i kontratës, vjen nëntë muaj pas shpalljes fituese të dy kompanive në tetor 2017 dhe i hap rrugë ndërtimit të hidrocentralit mbi lumin Vjosë përgjatë dy viteve të ardhshme.

Pavarësisht thirrjeve të aktivistëve mjedisorë shqiptarë dhe europianë për të mos ndërtuar hidrocentrale në Vjosë, në lumin e fundit të egër në Europë, qeveria shqiptare i ripërtëriti planet e saj dydekadëshe pas anulimit në 2017 të një kontrate të papërmbushur koncensionare për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit nga kompania italiane Kalivaçi Green Energye biznesmenit Becchetti.

Olsi Nika, drejtues i organizatës Eco Albania, një OJF në qendër të luftës së mjedisorëve për mbrojtjen e lumit Vjosë nga HEC-et, i tha BIRN të mërkurën se finalizimi i kontratës kishte qenë çështje kohe.

“Tani fillon përsëritja e procesit të kundërshtimit,” tha Nika, duke e konsideruar arrogancë këmbënguljen e qeverisë shqiptare për hidrocentrale në lumin e Vjosës pavarësisht thirrjeve për mbrojtjen e lumit dhe vetë premtimit të kryeministrit Rama për ta shpallur Park Kombëtar.

“Do të peshojmë hapjen e procedurave ligjore për ta kundërshtuar në gjykatë,” shtoi Nika, ndërsa konfirmoi angazhimin e mjedisorëve të përfshirë për të vazhduar betejën.

“Absolutisht! Do të vazhdojmë betejën!” përfundoi ai.

Përveç Kalivaçit, përgjatë lumit të Vjosës, qeveria shqiptare lidhi gjithashtu më herët një kontratë koncensionare për një hidrocentral në Poçem.

Megjithatë, në maj 2017, me një vendim të paprecedent, Gjykata Administrative e shpalli të pavlefshme kontratën e koncesionit dhe dokumentet shoqëruese të Poçemit, duke i dhënë të drejtë 38 banorëve të fshatit Kutë, Mallakastër dhe të tre organizatave mjedisore shqiptare dhe ndërkombëtare që ishin kundër ndërtimit të hidrocentralit.

Qeveria shqiptare e apeloi vendimin dhe beteja ligjore për Poçemin vazhdon në Gjykatën Administrative të Apelit.

Duke i konsideruar veprimet e qeverisë shqiptare si shkelje të angazhimeve të marra në vitin 1998 nga ratifikimi i Konventës së Bernës për ruajtjen e florës dhe faunës dhe mjedisit natyror të Europës, organizata Eco Albania dhe partnerët e saj ndërkombëtarë janë ankuar pranë Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës.

Ekspertja Theresa Schiller nga organizata Europiane e Fondit të Trashëgimisë Natyrore, Euronatur, e cila ndodhet në Shqipëri në një seri takimesh me zyrtarë shqiptarëtë nivelit qendror dhe vendor në lidhje me ankimimin për shkelje të Konventës së Bernës për Poçemin, i tha BIRN përmes telefonit se ajo është kundër planeve të qeverisë shqiptare për të ndërtuar hidrocentrale në Vjosë.

“Jemi totalisht kundër hidrocentraleve në Vjosë,” tha Schiller.

“Veçanërisht sepse – mesa dimë – nuk ka studim të ndikimit në mjedis, gjë që do të na mundësonte të dinim ndikimin e hidrocentraleve këtu,” shtoi ajo.

Një investigim i BIRN në 2017, zbuloi se investitorët dhe agjencitë përgjegjëse publike, i lanë jashtë konsultimeve për projektin e hidrocentralit të Poçemit mbi lumin Vjosë banorët e zonave që përmbyten, institucionet vendore dhe organizatat mjedisore.

Përgjatë dy viteve të fundit, aktivistët mjedisorë shqiptarë dhe ndërkombëtarë kanë marrë nisma të ndryshme për të shpëtuar lumin e fundit të egër të Europës, Vjosën. Një grup kajakistësh lundruan në disa lumenj të Ballkanit për ditë me radhë për t’i bërë thirrje qeverive të tërhiqen nga planet hidroenergjetike.

Planet e qeverisë shqiptare për të ndërtuar hidrocentrale mbi lumin Vjosë janë kritikuar edhe nga Parlamenti Europian, që i ka bërë thirrje Tiranës zyrtare të marrë në konsideratë propozimin për ta kthyer luginën në një park kombëtar.

228 shkencëtarë nga vende të ndryshme të botës iu bashkuan në shtator 2016 përpjekjes së aktivistëve dhe studiuesve shqiptarë për të mbrojtur lumin Vjosë dhe kërkuan një moratorium 3-vjeçar për t’i dhënë kohë ekspertëve të studiojnë në thelb pasuritë ekologjike të saj.

Në prill 2017, një grup shkencëtarësh gjatë ekspeditës së tyre në terren regjistruan 300 lloje gjallesash të ndryshme në Vjosë, përfshirë 41 lloje speciesh që janë gjetur për herë të parë në Shqipëri, duke e renditur lumin që buron në malet e Pindit në Greqi dhe derdhet në detin Adriatik, si një prej lumenjve me rëndësi Europiane për sa i përket biodiversitetit.

Lajme të lidhura:

Banorët e luginës së Vjosës dhe aktivistët triumfojnë mbi qeverinë në gjykatë

Rihapja e koncensionit të Kalivaçit shuan shpresat për një Vjosë pa hidrocentrale

I kërcënuar nga hidrocentralet, lumi i fundit i egër në Europë zbulon sekretet e tij

Diga që kërcënon lumin e fundit të egër në Europë u miratua pa konsultime