Qindra familjeve myslimane në Berat, me të ardhura mininale, u ndihmuan përgjatë Ramazanit me ushqime për iftarë e syfyr, nga një grup aktivistësh të rinj.
Zenel Hoxhallari, nga lagja periferike “Uznovë” e Beratit, është besimtarë mysliman dhe prej vitesh agjëron e mban Ramazan. Por ky vit për 31 vjeçarin, baba i një djali të vogël, ka qenë më i vështirë për shkak të ndërprerjes së punës e pamundësive ekonomike.
Hoxhallari, punon në një prej fasonerive në Berat dhe gjatë periudhës së pandemisë ka bërë disa herë pushime të një pas njëshme e ka punuar me orar të reduktuar, me një pagë që nuk është kurrë e mjaftueshme për të dhe familjen.
“Më shumë nuk kemi punuar këto kohë se sa kemi punuar”, thotë ai, ndërsa tregon se në shtëpi ka të ëmën e sëmurë dhe se një pagesë paaftësie për punë që merrte ajo ka vite që ua kanë hequr. “Çatia e shtëpisë më ka rënë. Jetojmë me qira dhe djalin e kam të vogël, si përballojë të gjitha me rrogën time”, thotë ai.
Megjithatë burri nuk hoqi dorë prej besimit. Ai agjëroi si çdo vit tjetër dhe kur nuk kishte ushqim çilte për iftar me një gotë uji. “Në rastin më të mirë kam pasur pilaf ose ndonjë frut”, tregon ai.
Zeneli, nuk është i vetmi mysliman, që këto ditë të shenjta të argjërimit të shoqëruar me epideminë, është përballur me vështirësi. Qindra familje u vunë në situatë të vështirë për shkak të mbylljes së vendeve të punës dhe problemeve ekonomike që shoqëruan karantinimin 2 mujorë të vendit.
Në vite normale xhamitë do të shtronin iftare për të pamundurit dhe besimtarët do të ftonin njëri tjetrin nëpër shtëpi, por ndalimet për shkak të epidemisë e kanë bërë këtë të pamundur. Megjithatë një grup të rinjsh të mbledhur në rrjetet sociale nën emrin “Garuesit e Mirësive”, u bënë bashkë për të shpërndarë ushqime te besimtarët në nevojë, përfshi familjen e Zenelit.
Geraldo Koro, koordinator i nismës për njerëzit në nevojë thotë se në pamundusi për të organizuar iftare ata vendosën “t’i çonim ushqime familjeve të varfëra, kryesisht ata që kanë qenë të argjirueshëm”.
34 vjeçari, i shkolluar në medrese, tha se ndihma ishte vijim i një tradite me mbështejen e Myftinisë së Beratit, kur ata çdo vit Ramazani ndihmonin për shtrimin e iftareve falas për të argjirueshmit në nevojë.
“Garuesit e Mirësive”, është një faqe në rrjetin social Facebbok, që ne të rinjtë mysliman beratas, të shkolluar në Medrese, me njohje të vjetër me njëri-tjetrin, e përdorëm në ndihmë të nismës tonë për të ndihmuar familjet e varfëra, me kontribute të dhëna nga bizneset, donacione, qytetarë”, thotë Koro për BIRN.
Ai tregoi se me ndihmën e Këshillit të Qarkut dhe supermarketeve të qytetit ishin lejuar të vendosnin shporta në hyrje të tyre, në të cilat qytetarët dhuronin ushqime, të cilat ata më pas i kanë shpërndarë në qytet dhe në disa fshatra, ndërkohë që nisma do të vazhdojë deri në fund të muajit të Ramazanit.
“I falenderojmë të gjithë. Bizneset e qytetit, donatorët e ndryshëm, subjektin që na ndihmoi për prodhimin e shportave që vendosëm në supermarkete, por mbi të gjitha qytetarët e Beratit që hoqën nga blerjet e tyre qoftë dhe një produkt të vetëm, në ndihmë të familjeve myslimane në nevojë”, thotë Koro.
Aktivistët thonë se kanë ndihmuar deri në 20 maj, 650 familje në nevojë, fal ndihmave me ushqime të mbledhura në mënyrë vullnetare. “Myftinia me anë të Imamëve të xhamive në qytet dhe në fshatra, ka të dhënat për familjet myslimane në nevojë, por ne nuk kemi ndihmuar vetëm familjet myslymane, pasi nuk mund të rrish dhe të shohësh dikë që vuan dhe mos ta ndihmosh sepse nuk është myslyman”, thotë Koro.
Familja e Zenel Hoxhallarit, është ndihmuar disa herë me ushqime, gjatë këtij muaji Ramazani, ndaj dhe 31 vjeçari që ka mbi supe një mal me halle, ndihet me fat për ndihmat e marra.
“Vëlla Geraldo, më ka ndihmuar disa herë me ushqime. M’i ka sjellë në shtëpi dhe fal tij dhe Zotit ja kam dal disa ditë të kem vakte më të mira argjërimi dhe ushqime për familjen”, thotë 31 vjeçari, duke falenderuar aktivistët.
Ndihmën e të rinjve e vlerëson edhe Myftiu i Beratit, Baftjar Myftiu. “Këtë vit Ramazani, nuk i hapëm dot xhamitë për t’i krijuar mundësi çdo besmitari të falej. Nuk shtruam dot asnjë iftar të përbashkët, me miqtë, apo besimtarët tanë. Nuk do të kryejmë as faljen e madhe të Bajramit në shesh, siç e kemi traditë. Por, me ndihmën e të rinjëve, aktivistëve tanë ne arritëm që të mbushim tavolinat e familjeve të varfëra me vaktet e argjërimit, kështu mbushëm zemrat dhe shpirtrat tanë, që nuk na i mbushi festa si çdo vit”, thotë për BIRN, Myftiu.