Dhjetëra aktivistë u mblodhën të shtunën përpara drejtorisë së policisë në Tiranë, ku kritikuan ashpër mosveprimin policor ndaj denoncimeve të dhunuesve të grave dhe vajzave, ndërsa vendi numëroi 6 viktima të dhunës me bazë gjinore për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018.
Një grup të rinjsh aktivistë, mbështetur nga dhjetëra qytetarë organizuan të shtunën një protestë përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku dënuan mosveprimet e policisë për të marrë në mbrojtje gratë, viktima të dhunës me bazë gjinore.
Aktivistët shkëmbyen tensione me policinë para nisjes së protestës, pasi efektivët këmbëngulën që protesta të mos zhvillohej përpara drejtorisë, por në trotuarin matanë rrugës.
Protestuesit dënuan ashpër forcat e policisë, të cilat kanë marrë denoncime për kërcënime dhe dhunë nga viktimat e ardhshme të diskriminimit gjinor me pasojë vdekjen, por nuk kanë bërë sa duhet për t’i garantuar atyre jetën.
“Ne jemi këtu sot për t’i kërkuar llogari këtij shteti, se pse nuk i merr parasysh rastet e të gjitha vajzave që kanë ardhur të denoncojnë dhunën dhe ndërkohë kanë përfunduar të vdekura,” tha në protestë aktivistja Gresa Hasa.
“Femicidi është ndoshta problemi më madhor dhe më i tmerrshëm në këtë vend,” shtoi ajo.
Duke përmendur emrat e grave të vrara, aktivistja organizatore e protestës Entenela Ndrevataj i quajti vrasjet e grave të parandalueshme, por cilësoi si zhgënjim reagimin e policisë që lejoi vrasjet e tyre.
Irena Shtraza, një aktiviste e të drejtave të grave tërhoqi nga ana tjetër vëmendje për viktimën e dhunës me bazë gjinore në Durrës pak javë më parë, ku një nënë e gjashtë fëmijëve u vra nga bashkëshorti i saj.
“Rasti i Durrësit ishte akoma më i rëndë, pasi ishte momenti kur policia mund të përdorte forcën e padisë publike” tha ajo, duke shtuar se nëna e fëmijëve jetim do të ishte tashmë gjallë.
“Është një rast skandaloz, që tregon se sistemi është i dështuar, se policia nuk di të bëjë akoma punën e saj,” tha Shtraza ndërsa i bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë dhunën.
…
Protestuesit kritikuan edhe mbulimin mediatik të vrasjeve të grave së fundmi, ndërsa i akuzuan gazetarët për romantizim të vrasjeve, të cilat sipas aktivistëve janë femicide shqetësuese për shoqërinë shqiptare.
Një tjetër protestues dënoi gjithashtu mosangazhimin e grave politikane në kauzat e mbrojtjes së të drejtave dhe barazisë gjinore në vend.
“Ndihem i ofenduar që sot nuk shikoj gra politikane, që zihen në parlament apo në studio televizive. Të ishin këtu që të mbronin të drejtat tuaja, që duhet të mbrohen përmes forcës së ligjit,” tha ai.
Pjesëmarrëse të ndryshme në protestë morën fjalën dhe denoncuan aspekte të tjera të mbylljes mendore të grave shqiptare, ardhur si pasojë e mentalitetit patriarkal që i sheh ato si pronë të burrit.
“I thashë një shoqes sime ‘hajde ikim nesër të protestojmë’. E dini çfarë më thotë? ‘Përse të protestoj unë, kur burri më lë të dal?” u shpreh një protestuese.
“Unë jam nënë e një vajze 12-vjeç dhe më shumë shpenzoj kohë me të për t’i treguar sa e fortë, sa e rëndësishme, sa e barabartë është në shoqëri… sesa mund të harxhoj kohë me të për përgatitje akademike,” shtoi një tjetër protestuese.