Lajm8 Mar 2020

Aktivistet shënojnë 8 Marsin me protestë kundër dhunës më bazë gjinore

Qindra gra, vajza dhe djem, aktivistë për të drejtat  e njeriut, marshuan të dielën në rrugët e Tiranës kundër dhunës sistemike ndaj grave dhe vajzave dhe sistemin e institucionalizuar të pabarazisë gjinore.

Autor: Nensi Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Qindra aktivistë, gra, vajza dhe djem protestuan të dielën në Tiranë | Foto : Nensi Bogdani

Me brohoritjet “edhe lule, edhe të drejta”, qindra aktivistë, gra, vajza dhe djem nga Tirana por edhe rrethe të tjera të vendit, marshuan të dielën në rrugët e kryeqytetit në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Marshim nisi në rrugën Sami Frashëri përballë Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe vijoi drejt selisë së Këshillit të Ministrave në Bulevardi Dëshmorët e Kombit.

“Gruan e shohin si plaçkë pune, fytyra e shtetit shqiptar sot është fytyra e një burri të dhunshëm,” u ankua aktivistja Gresa Hasa. “Solidariteti ynë me njëra-tjetrën është i pakompromis” shtoi ajo, duke ngjallur brohoritma nga pjesëmarrësit në protestë.

Dhuna me bazë gjinore merr forma të ndryshme dhe jo detyrimisht konsiston në dhunë fizike. Forma të dhunës gjinore konsiderohen gjithashtu edhe dhuna psikologjike, dhuna ekonomike, sjelljet shtrënguese dhe kontrolluese, dhunë seksuale, ngacmim seksual, etj.

Dita Ndërkombëtare e Gruas e ka zanafillën në një konferencë të Partisë Socialistë Amerikanë në vitin 1910, ku u sugjerua nga revolucionarja gjermane Klara Zetkin që çdo 8 Mars të kremtohet një ditë në nderim të grave dhe luftës se tyre për të drejta të barabarta.

Sipas të dhënave të raportuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave në publikimin “Dhuna Ndaj Vajzave dhe Grave 2018”,  52,9% e grave të moshës 18-74 vjeç kanë përjetuar “ndonjëherë” një nga pesë llojet e ndryshme të dhunës me bazë gjinore gjatë jetës së tyre.

Sipas aktivistes për të drejtat e njeriut, Deni Sanxhaku gratë dhe vajzat në Shqipëri janë të pasigurta dhe të diskriminuara.

“Nuk jemi të sigurta në shtëpi, në rrugë, në shkollë, në mjedisin e punës, në bare,  kudo që ecim. Nëse vijmë nga periferia, nëse jemi me aftësi ndryshe, nëse jemi gra rome, lezbike, trans, apo thjeshtë gra në moshë , atëherë qasja ndaj nesh na detyron ta sigurojmë jetesën në mënyra të mbinjerëzishme” u shpreh Sanxhaku, e cila theksoi se sot në këtë protestë ato refuzojnë të jenë gra të nënshtruara të cilat rrinë kokulur ndaj padrejtësive.

“Sot denoncojmë dhunën sistemore dhe padrejtësinë patriarkale,” vazhdoi Sanxhaku. “Nuk është thjeshtë dhuna e një burri abuzues, por ajo e një sistemi të tërë që institucionalizon pabarazinë”.

Në protestë merrte pjesë së bashku me bashkëshortin dhe ambasadorja e Suedisë në Tiranë, Elsa Hastad, e cila nënvizoi se ndihej shumë krenare që kaq shumë njerëz janë mbledhur dhe janë bashkuar për të luftuar dhunën me bazë gjinore.

“Suedia ka një qeveri feministe. Ne mbështesim një botë pa dhunë gjinore, dhe gjithashtu e mbështesim fuqishëm këtë marshim të sotshëm”, tha Hastad, e veshur me një bluze pambuku të verdhë ku shkruhej “Suedia e do barazinë”.

“Mendoj se është tepër e rëndësishme që kaq shumë organizata, qytetarë të thjeshtë me familjet dhe fëmijët e tyre dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë mbledhur këtu sot, në këtë protestë, dhe ndihem krenare për këtë”, përfundoi ajo.