Dhjetëra artistë dhe qindra mbështetës të tyre u mblodhën të premten në Teatrin Kombëtar dhe konfirmuan vendosmërinë e tyre për të luftuar planet e qeverisë për falje të një pjese toke të teatrit në këmbim të një godine të re për aktorët.
Artistët e Teatrit Kombëtar të mbështetur nga një grup qytetarësh dhe artdashësish u mblodhën të premten në sheshin pranë teatrit për të kundërshtuar planin e qeverisë për t’i dhënë kompanisë Fusha sh.p.k një kontratë partneriteti publik-privat që do t’i lejonte përfitimin e një pjesë të madhe toke të Teatrit Kombëtar përkundrejt ndërtimit të një godine të re teatri.
Artistët përsëritën kërkesën e tyre për moscënim të territorit të teatrit ndërsa i bënë qeverisë thirrje të tërheqë projektligjin e jashtëzakonshëm si kushtin e tyre të vetëm për të vazhduar diskutimet e hapura një ditë më parë në një dëgjesë mes tyre dhe Bashkisë së Tiranës, ku aktorët shprehën në mazhorancë pikëpamjet e tyre për ruajtjen e territorit të teatrit.
Projektligji i shpallur së fundmi ka në plan të japë tokën drejtpërsëdrejti kompanisë Fusha sh.p.k duke shmangur ligjet aktuale mbi menaxhimin e pronës publike apo mbi partneritetin publik-privat,
“Do të mblidhemi çdo ditë këtu, që të shohin këta njerëz që kjo tokë ka zot, ky teatër ka zot, ka zot shpirtin e atyre aktorëve të cilët nuk do të vdesin kurrë,” tha mes brohorimash aktori Arben Derhemi.
“[Teatri]… meriton që të qëndrojë këtu, por jo në këtë gjendje, i restauruar,” tha në protestë regjisori Alert Çeloaliaj. “Në qoftë se duhet të ketë një teatër të ri dhe modern Tirana, le ta ketë diku tjetër,” shtoi ai.
“Kemi frikë të kërkojmë dhjetë teatro të reja, sepse çfarë duhet të shisnim atëherë veç teatrit kombëtar, nga Vjosa e poshtë apo nga Fani e lart?” ironizoi ai.
Aktorja legjendare e teatrit dhe filmit, Roza Anagnosti u ngjit në skenë për të shprehur dhimbjen e saj për rrezikun që i kanoset teatrit dhe kontributit të aktoreve ndër vite.
“Sot më kanë shty më tepër ato figura të mrekullueshme grash që kanë themelu dhe kanë sakrifiku jashtëzakonisht për këtë teatër,” tha Anagnosti, ndërsa përmendi aktoret Liza Vorfi, Behie Çela, Drita Pelingu, Violeta Manushi, Besa Imami, Afërdita Taçi, Margarita Xhepa, Yllka Mujo.
Aktorë dhe regjisorë të tjerë u ngjitën në skenën e improvizuar dhe i bënë thirrje publikut t’i bashkohet kauzës së tyre për të mbrojtur të mirën e përbashkët, pronën publike kombëtare të teatrit.
“Lironi veten nga frika, kërkoni llogari, mos e lini të rrëshkasë Shqipërinë në këtë farë feje,” u bëri thirrje pjesëmarrësve regjisori Robert Budina.