Lajm9 Jan 2019

Akuza për favore seksuale sjell procedim penal për gjyqtarin e Fierit Roland Hysi

Publikimi i një videoje në emisionin "Stop" në TV Klan ku gjyqtari duket se i kërkon ryshfet dhe favore seksuale në nëne të divorcuar në këmbim të vendimit për kujdestarinë e fëmijës solli hapjen e hetimeve nga Prokuroria për Krimet e Rënda në Tiranë.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Fier
Printo

Printscreen nga video e transmetuar në emisionin Klan.

Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur të mërkurën se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur procedim penal “kryesisht” pas publikimit të një videoje të regjistruar në mënyrë të fshehtë dhe të publikuar nga Televizioni Klan të martën në mbrëmje ku shfaqet një nënë e divorcuar të cilës i kërkohen para dhe favore seksuale në shkëmbim të një vendimi gjyqësor për dhënien e kujdestarisë mbi fëmijën.

“Duke u nisur nga pamjet filmike të transmetuara në datën 08.01.2019 në emisionin “Stop” të televizionit Klan, prokuroria ka regjistruar kryesisht procedim penal për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë,” thuhet në njoftim.

Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm është një vepër penale që dënohet deri me 2 vjet burg ndërsa korrupsioni pasiv i gjyqtarëve dënohet deri në katër vjet burg.

Në njoftim thuhet se në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shtetit janë duke u kryer veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe të përgjegjësisë penale të personave të përfshirë.

Bisedat e siguruara nëpërmjet kamerave të fshehta përfshihen disa gjyqtarë dhe psikologia Elona Meçani, e cila është në rolin e ndërmjetëses. Në pamje shfaqet fakti se zonja i jep psikologes 500 euro për gjyqtarin Hysi duke i premtuar edhe 500 euro të tjera pasi gjyqi të përfundojë në favorin e saj. Ndërkohë, në ambientet e një lokali shfaqet gjyqtari Roland Hysi i cili i kërkon favore seksuale nënës së divorcuar. [Link]

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor me anë të një njoftimi për shtyp në të cilin shprehet se, pasi u njoh me videon e shfaqur në emisionin investigativ “STOP”, shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për ngjarjen dhe për implikimin e mundshëm të gjyqtarit apo gjyqtarëve të përmendur në këtë emision.

“Këshilli Lartë Gjyqësor, duke vlerësuar sjelljet dhe veprimet e gjyqtarit në raport me ligjin, nxit shqyrtimin dhe verifikimin e plotë të gjithë kësaj ngjarje, nga strukturat përkatëse. Shkeljet e rënda të etikës dhe që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit, ishin arsye për të cilën reforma në drejtësi doli si domosdoshmëri, dhe do të jetë arsye që kjo reformë, me të gjithë institucionet e reja të sapo ngritura, të vijojë përpara betejën ndaj çdo lloj korrupsioni të shfaqur, në të gjitha nivelet, me qëllimin final sigurimin e sundimit të ligjit, pavarësinë dhe eficiencën e gjyqësorit”, citohet në njoftim.