Vetëm tetë muaj pas marrjes së postit, drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qato deklaroi dorëheqjen nga posti ndërsa akuzat e saj ndaj koncesionarit Gjoka Konstruksion për falsifikim të ecurisë së punimeve, si dhe akuzat e Gjokës ndaj Qatos për manipulim të një tenderi 18 milionë eurosh, mbeten pa përgjigje.
Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qato njoftoi dorëheqjen e saj nga ky post duke falënderuar Ramën për besimin dhe duke u shprehur “e gatshme për një punë tjetër”. Dorëheqja e Qatos erdhi vetëm 48 orë pasi shkëmbeu akuza të rënda me kompaninë Gjoka Konstruksion, akuza të cilat dorëheqja duket se nuk ndihmon për t’i sqaruar.
“vetëm pak ditë më parë jam akuzuar nga një kompani lidhur me një procedurë, të cilën unë e gjykoj plotësisht të drejtë dhe ligjore,” deklaroi Qato në faqen e saj në Facebook. “…jam edhe në pamundësi normaliteti në një punë,” vijon më tej deklarata. [Link]
Qato, e cila e mori postin në fjalë në janar të këtij viti pas zbulimit të skandalit të kompanisë DH Albania, u përfshi në një skandal të ri pak ditë më parë, kur një dokument i rrjedhur në media sugjeroi se kompania Gjoka Konstruksion, e cila ka koncesionin e rugës së Arbrit, ka falsifikuar ecurinë e punimeve në tre tunele të kësaj rruge me synimin për të plotësuar kriteret për fitimin e një tenderi për një segment tjetër rrugor të njohur si Loti 7 i rrugës Kardhiq – Delvinë, ku përfshihet edhe një tunel në Qafën e Skarficës.
Dokumenti, i cili ishte një raport inspektimi i ARRSH në rrugën e Arbrit, u konfirmua si i vërtetë nga vetë Qato.
Gjoka Konstruksion akuzoi menjëherë Qaton si përgjegjëse për rrjedhjen e dokumentit, e cilësoi raportin e inspektimit të pavërtetë dhe akuzoi Qaton se ka manipuluar tenderin për tunelin e Skarficës, në të cilin, Gjoka kishte ofruar afro 4.2 milionë euro më pak se sa oferta e shpallur fituese.
Partia Demokratike në opozitë e cilësoi një farsë dorëheqjen.
“Largimi i Sonila Qatos, pjesë e luftës së brendshme për vjedhjen e milionave eurove me kompanitë e Edi Ramës,” deklaroi Jorida Tabaku nga PD.
Lexo më shumë:
Autoriteti i Rrugëve shkëmben akuza për tenderin 19 milion euro me kontraktorin