Ndërsa ora e hapjes së kutive të votimit afron, palët politike shkelën në mënyrë të përsëritur rregullin e heshtjes zgjedhore gjatë ditës së shtunë për të denoncuar njëra-tjetrën për blerje votash e frikësim votuesish ndërsa policia njoftoi një seri kallëzimesh për korrupsion zgjedhor.
Të 24 orët para ditës së zgjedhjeve duhet të jenë periudhë heshtjeje zgjedhore, ku palëve politike u ndalohet të bëjnë deklarata apo të bëjnë thirrje për votim, një masë e zbatuar në shumë vende të botës me synimin për të ruajtur qetësinë, për të shmangur konfliktet e mundshme dhe për t’i dhënë mundësinë votuesve të reflektojnë dhe të peshojnë opsionet në lojë para se të votojnë.
Por të 24 orët para datës 25 qershor 2017 në Shqipëri duket se qenë aspak periudhë zgjedhore. Palët hodhën akuza të shumta ndaj njëra-tjetrës për blerje votuesish apo frikësimin e tyre si dhe përdorën rrjetet sociale për të bërë thirrjet e fundit për votim.
Partia Socialiste përmes faqes së saj në Facebook publikoi njoftime të njëpasnjëshme duke bërë thirrje për të votuar këtë opsion, ndërsa edhe vetë kryeministri Edi Rama publikoi postime në faqen e tij zyrtare duke luajtur me të birin në Vlorë, por pa dhënë mesazhe politike.
Edhe Lulzim Basha u përpoq të prekë votuesit duke publikuar foto familjare.
Lëvizja Socialiste për Integrim vijoi të mbajë aktive në Facebook reklama si dhe postime të shumta. Heshtja gjatë periudhës 24 orëshe para zgjedhjeve si dhe gjatë ditës së zgjedhjeve është detyrim ligjor në Shqipëri, por është shkelur në mënyrë të përsëritur edhe në të shkuarën pa ndonjë ndëshkim.
Shkelja e heshtjes zgjedhore qe vetëm një nga shkeljet e shumta të standardeve zgjedhore të raportuara.
Policia e Shtetit njoftoi për një numër rastesh të ndalimeve të personave në dyshimin se qenë angazhuar në blerjen e votuesve përmes shpërblimeve të ndryshme. Në Shkodër, pesë persona u arrestuan pasi u gjetën duke shpërndarë çeqe në emër të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, nën supozimin se këto çeqe qenë dëmshpërblim për përmbytjet që ndodhën në Shkodër në vitin 2010. KESH njohu rreth 5 milionë euro dëme që duhej t’i shpërblente ndaj banorëve të fushës së nën-Shkodrës për përmbytjet e atij viti, por refuzoi t’i paguante për vite me rradhë deri pak muaj më parë, me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2017.
Policia njoftoi gjithashtu edhe Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, të cilit media pranë qeverisë i referohet si “emërim i LSI”, është i dyshuar për blerje votash. Sipas policisë, një biznesmen i ka ofruar para qytetarëve në zonat përreth Cërrikut, një bashki që kontrollohet nga viti 2015 nga LSI.
Lëvizja Socialiste për Integrim nga ana e saj akuzoi se Partia Socialiste po blen vota në zonën përreth Ksamilit, në Qarkun Vlorë. Top-Channel raportoi se një numër emigrantësh që po kthehen për të votuar nga Greqia janë kërcënuar “për të mos votuar Partinë Socialiste”. Votat e emigrantëve, ndonëse janë vetëm disa mijëra, mund të bëjnë diferencën për mandatet që do të marrin palët në qarqet Gjirokastër dhe Vlorë.
Zona të nxehta me akuza e kallëzime për blerje vote janë edhe Elbasani, Vora në Tiranë e Berati.