Pretendimet polemike se Gjykata e Hagës ka thënë në mënyrë indirekte se Sllobodan Millosheviçi ishte i pafajshëm, po trumbetohen me të madhe nga ministrat serbë, por analistët besojnë se ata thjesht po përpiqen të rehabilitojnë ish-liderin e tyre dhe veten.
Dy ministra serbë – ministri i jashtëm Ivica Daçiç dhe ministri i punës Aleksandar Vulin – kanë shprehur kënaqësi të madhe prej disa ditësh në lidhje me pretendimet se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, i cili dënon ish-liderin serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, thotë gjithashtu se ish-presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviç nuk ishte fajtor për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Daçiç dhe Milutin Mrkonjiç, kolegu i tij në Partia Socialiste Serbe – ish-partia e Millosheviçit – madje kanë propozuar ngritjen e një monumenti për liderin e tyre të të dikurshëm.
“Ne të gjithë e dinim se Millosheviçi nuk ishte fajtor. Emrin e tij duhet t’ia vëmë një rruge dhe t’i ngremë një monument në Beograd. Do ta kërkoj këtë mbi varrin e tij kur të ketë ditëlindjen më 20 gusht”, tha të hënën Mrkonjiç.
“Kur një tribunal i tillë pranon se Millosheviçi nuk ka marrë pjesë në një organizatë kriminale, është e qartë se Serbia kishte të drejtë”, tha Vulin të shtunën.
Daçiç tha ndërkohë se vendimi i Karaxhiç gjithashtu tregon se vetë Serbia ishte e pafajshme për krime lufte në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Por disa analistë serbë sugjerojnë se politikanët thjesht po i përdorin këto pretendime të pafajësisë së Millosheviçit në një përpjekje për të rehabilituar politikat e ish-liderit dhe rolin e tyre në luftërat e viteve 1990, të cilat vendi ende nuk i sheh objektivisht.
Pretendimet se Millosheviçi doli i pafajshëm nga gjykata e OKB-së u bë një temë e nxehtë diskutimi në Serbi pas publikimit të një artikulli nga gazetari britanik, Neil Clark në uebsajtin rus RT, ku citohej një artikull i mëparshëm nga Andy Ëilcoxson në një faqe interneti pro-Millosheviçit, quajtur Slobodan-Milosevic.org.
Clark akuzoi median botërore për shpërfillje të lajmit se “një nga figurat më të demonizuara të periudhës moderne” është shpallur i pafajshëm.
“Edhe ICTY e la në hije këtë, thellë në vendimin 2590 faqësh të gjyqit të liderit serb të Bosnjes, Radovan Karadxhiç, i cili u dënua në mars për gjenocid [në Srebrenicë}, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit,” shkroi ai.
ICTY ka konfirmuar se në gjyqin e Karaxhiç është thënë se “nuk kishte mjaftueshëm prova për të treguar se Sllobodan Millosheviç kishte rënë dakord me planin” e lidershipit serb të Bosnjës për të kryer gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Bosnje dhe Hercegovinë.
Por në të njëjtin paragraf thuhej se gjithashtu se “Millosheviçi dha ndihmë në krijimin e personelit, dispozitave dhe armëve ndaj serbëve të Bosnjës gjatë konfliktit”.
Tribunali i Hagës ka theksuar gjithashtu se nuk ka nxjerrë konkluzione në lidhje me fajësinë apo pafajësinë e Millosheviçit gjatë gjykimit të Karaxhiçit.
“Gjyqi i Karaxhiçit ishte i tij dhe vetëm i tij, për këtë arsye nuk ka asnjë ndikim në këtë çështje të veçantë përkundër Sllobodan Millosheviçit,” tha gjykata me bazë në Hagë për radion Ballkani i Lirë.
Artikulli Clark është cituar gjerësisht nga politikanët pro-Millosheviçit, por Nemanja Stjepanoviç nga Qendra Ligjore për të Drejtat e Njeriut argumentoi se konkluzioni se ish-udhëheqës është i pafajshëm është nxjerrë jashtë kontekstit të vendimit të Karaxhiçit.
“Në gjyqin e Karaxhiç, askush nuk gjykoi Millosheviçin, as nuk u prezantuan prova kundër tij dhe shtetit serb. Roli i Millosheviçit thjesht u ilustrua shkurt për hir të kuptimit të kontekstit,” tha për BIRN Stjepanoviç.
Ai tha se në qoftë se citojmë në mënyrë selektive çështjet e Tribunalit, si rasti kundër Milan Martiç, ish-president i entitetit të vetëshpallur Republika e Krajinës Serbe, Millosheviçi mund të shihet si fajtor për përfshirje në një organizatë kriminale për të kryer gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Kroaci.
“Natyrisht, kjo nuk është e saktë nga ana ligjore, pasi çdo rast merret në konsideratë më vete. Sa për Millosheviçin, në gjyqin e tij kishte shumë prova… Nëse doni të gjykoni për çështjen e tij, duhet të kontrolloni se çfarë bëri ICTY deri në vdekjen e tij,” shtoi ai.
Trashëgimi e fuqishme
Ndjekjet penale kundër Millosheviçit u ndërprenë pas vdekjes së tij në qeli në qendrën e burgimit të OKB-së më 11 mars 2006.
Megjithatë aleatët e tij ende kanë ndikim në Serbi sot – njerëz si ministri i jashtëm Daçiç, i cili ishte zëdhënës i ish-liderit dhe tani drejton ish-partinë e tij. Daçiç është zëvendëskryeministër i vendit gjithashtu.
Dora e djathtë e Millosheviçit, Nikola Sainoviç, që u lirua pasi shleu dënimin me burg për pjesëmarrje në një organizatë kriminale me synonte shpërnguljen me dhunë të popullatës shqiptare të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999, tashmë është anëtar i bordit kryesor të Partisë Socialiste.
Ministri i punës, Vulin ndërkohë ishte anëtar i të Majtës së Bashkuar Jugosllave, partisë së gruas së Millosheviçit, Mira Markoviçit.
Dejan Anastasijeviç, një gazetar që raportoi luftërat e viteve 1990 dhe dëshmitar i gjyqit të Millosheviçit, tha për BIRN se trashëgimia e ish-liderit në Serbi është ende e fuqishme.
“Të gjithë në Serbi duhet ta njohin rolin kriminal të Millosheviçit, për të cilën Serbia duhet të ketë turp, jo të jetë krenare,” tha Anastasijeviç.
Ai argumentoi se Vulin dhe Daçiç po përpiqeshin të rehabilitonin të shkuarën e tyre si bashkëpunëtorë të Millosheviçit, dhe tha se ishte ironike që dy burra të cilët shpesh e kanë kritikuar ICTY, tani e konsideronin atë si autoritet përfundimtar.
Stjepanoviç pohoi se shërbimet serbe të sigurimit dhe ushtria janë ende plot me njerëz të Millosheviçit, gjë që po parandalon reformat reale.
Ai përmendi rastin e shefit të ushtrisë serbe, Ljubisha Dikoviç, i cili u akuzua për krime lufte në katër fshatra në Kosovë në vitin 1999 – akuza që Dikoviç i mohon fuqishëm.
“Si regjimi Demokratik [partia e cila erdhi në pushtet pas rrëzimit të Milloseviçit në vitin 2000] dhe ai i tanishëm [udhëhequr nga Partia Progresive Serbe] e mbrojnë [Dikoviçin], madje duke i dhënë atij medalje nderi,” tha ai.
Lustracioni i dështuar
Si Stjepanoviç dhe Anastasijeviç thanë se besonin se dështimi për të ekspozuar anëtarët e regjimit të Millosheviçit në vitet e para pas rënies së tij, ishte vendimtar në lejimin që trashëgimia e tij të ekzistojë edhe sot.
Ligji i lustracionit të Serbisë hyri në fuqi në vitin 2003, ku thuhej se të gjithë zyrtarët e ardhshëm publikë duhet të kontrollohen për shkelje të të drejtave të njeriut që nga viti 1976, kur ish-Jugosllavia ratifikoi Paktin Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike.
Por ligji nuk është zbatuar dhe parlamenti serb ka dështuar edhe në plotësimin e komisionit që ka për detyrë zbatimin e lustracionit. Pothuajse të gjithë anëtarët e komisionit më pas dhanë dorëheqjen në vitin 2004, për shkak të mungesës së mbështetjes së qeverisë. Ligji më pas skadoi në vitin 2013.
Kritikët shpesh kanë thënë se arsyeja përse ligji nuk u zbatua ishte mungesa e vullnetit politik.
“Pas vitit 2000, ishim mundësinë t’i jepnim fund trashëgimisë së Millosheviçit njëherë e përgjithmonë. Megjithatë, kjo nuk u bë dhe pas vrasjes së [kryeministrit Zoran] Djingjiç [në vitin 2003], vetëm sa kemi shkuar prapa,” tha Stjepanoviç.
“Tani, jemi në pozitën më të keqe për t’u përballur me të kaluarën tonë të luftës dhe rolin e Millosheviçit,” shtoi ai.
Jo të gjithë politikanët e lartë të lidhur dikur me Millosheviçin kanë kërkuar ta përdorin atë si kapital politik duke përdorur pretendimet se ICTY mendonte se ish-udhëheqësi jugosllav ishte i pafajshëm.
Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç – që ishte ministër informacioni në administratën e Millosheviçit në fund të viteve 1990 – ka refuzuar të komentojë në argumentin e bërë nga disa prej ministrave të tij.
“Nuk kam kohë të merrem me ato gjëra… Nuk kam as synimin më të vogël të kthehem në vitet 1990, jetoj dhe punoj për të ardhmen e Serbisë,” tha Vuçiç.