Lajm15 May 2019

Ambasada e SHBA-së kritikon Kosovën për emërime “jo etike”

Aleati më i rëndësishëm i Kosovës ka dënuar atë që e quan një kulturë emërimesh kandidatësh "të pakualifikuar" në poste të larta në vend, disa prej të cilëve kanë dënime për krime lufte.

Autor: Blerta Begisholli BIRN Prishtinë
Printo

Flamuri i Kosovës dhe ai i Shteteve të Bashkuara. Foto: Facebook/U.S. Embassy Pristina, Kosovo

Ambasada e SHBA-së në Kosovë të martën kritikoi atë që ajo e quajti një seri emërimesh politike zyrtarësh “të pakualifikuar” të cilët ose janë dënuar për krime lufte ose janë paditur për krime të rënda ose dyshohen për abuzim pushteti.

“Në një demokraci, individët e emëruar në poste të larta duhet të pasqyrojnë një figurë etike dhe të kualifikuar për botën. Për fat të keq, modeli i emërimeve të Kosovës paraqet të kundërtën e kësaj,” tha ambasada e SHBA-së.

“Individë të pakualifikuar, ata të cilët sistemi gjyqësor i ka ndëshkuar apo po i gjykon për krime të rënda, si dhe ata që kanë treguar gatishmëri për të vepruar pa u ndëshkuar dhe të abuzojnë me autoritetin e tyre, nuk kanë vend në postet publike,” vazhdoi ajo.

Ambasada reagoi ndaj raporteve të mediave për një sërë emërimesh të kohëve të fundit të individëve me të kaluar kriminale ose me lidhje të qarta politike me zyrtarë në pushtet.

Pasi Sylejman Selimi, i cili u shpall fajtor për krime lufte për torturimin e një të burgosur civil në një qendër paraburgimi të UÇK-së, u emërua si këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj në shkurt, ambasadori amerikan Philip Kosnett në Twitter tha: “Kriminelët e luftës nuk kanë vend në qeverinë e Kosovës,” raportoi BIRN më 6 shkurt.

Pasi ish-luftëtar i UÇK-së Naser Shala u emërua kreu i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ambasada gjermane dhe ajo britanike u ankuan se ai nuk kishte kualifikimet e duhura për këtë post.

Ambasadori britanik më pas u tërhoq nga bordi i kësaj agjencie në shenjë protestë – një veprim që ambasada e SHBA-së mbështeti në Twitter.

Kohët e fundit, Veton Ademi u emërua si inspektor në Administratën Tatimore të Kosovës të martën, duke pretenduar se i detyrohej për këtë post anëtarësimit të tij në partinë e kryeministrit, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Megjithatë. pasi u kontaktua nga BIRN, Ademi mohoi të ishte punësuar për shkak të përkatësisë së tij politike, duke thënë se ai ishte i kualifikuar për postin.

Pavarësisht kritikave të vazhdueshme ndërkombëtare për emërimet e pakualifikuara, por të lidhura politikisht, këta kandidatë ende po zgjidhen për poste të larta në sektorin publik.

Diplomatët britanikë thonë se qeveria ka zënë një sërë postesh publike të nivelit të lartë gjatë dy viteve të fundit me njerëz me kualifikime të dyshimta, duke shpërfillur këshillat e dhënë nga ambasada.