Pas një takimi me organizatat e medias, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë Peter Zingraf dekaroi publikisht se “rregullimi i medias online duhet të bëhet në përputhje me standardet europiane.”
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë Peter Zingraf iu bashkua të mërkurën shqetësimeve të shprehura nga organizatat për mbrojtjen e lirisë së medias si dhe Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në lidhje me nismat kontroverse të qeverisë Rama që synojnë krijimin e një sistemi kontrolli administrativ mbi mediat në internet.
“…po ndjek debatin aktual rreth projektligjeve për rregullimin e mediave online dhe kam marrë dijeni për rezervat e gazetarëve, shoqërisë civile por edhe të përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare si Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave dhe Ambasadori i BE-së,” deklaroi Zingraf në faqen në Facebook të ambasadës së Gjermanisë në Tiranë.
“Është thelbësore që rregullimi i mediave online të bëhet në përputhje me standartet evropiane dhe praktikat e mira. Gazetarët kanë nevojë për hapësirë lirie të mjaftueshme dhe njëkohësisht për siguri ligjore. Unë i inkurajoj institucionet shqiptare, të rishikojnë projektligjet në koordinim të ngushtë me gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave,” shtoi Zingraf pas një takimi me drejtorin e Institutit të Medias Remzi Lani dhe drejtoreshën e BIRN Albania Kristina Voko.
Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë dy projektligje, të cilat janë prezantuar si “paketa anti-shpifje” ndërsa janë kritikur nga organizatat shqiptare dhe ndërkombëtare të medias si “nisma censure”, të tilla që nuk kanë precedent të ngjashëm në vendet e botës demokratike.
Deklarata e Zingaf vjen pas kritikave të ambasadorit të BE Luigi Soreca dhe përfaqësuesit të OSBE për lirinë e shprehjes Harlem Desir.
Pavarësisht kësaj, qeveria nuk i ka tërhequr projektligjet ndërsa kryeministri Edi Rama i tha gazetarëve në korrik se nuk ishte në dijeni të kritikave.
Projektligjet gjenden aktualisht në axhendën e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë.
Lexo më shumë:
Rama injoron OSBE dhe organizatat për ligjet e medias
Qeveria bën një vesh shurdh ndaj shqetësimeve të KiE-së për paketën ‘anti-shpifje’
“Ligj Censure”! Shoqatat e medias i kërkojnë Ramës të tërheqë nismën antishpifje
Organizatat ndërkombëtare kritikojnë draftet e ‘kontrollit shtetëror të medias online’