Lajm10 Aug 2018

Ambasadorja e Gjermanisë: Vetingu i sukseshëm, të plotësohen vendet vakante

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë përgëzoi punën e bërë deri tani nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa kërkoi ngritjen sa më shpejt të KLGJ e KLP dhe plotësimin e vendeve vakante në gjykatën e Lartë e Kushtetuese.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Ambasadorja e Gjermanisë në Tirane Susanne Schutz, gjatë një konference shtypi. Foto: LSA

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Susanne Schütz bëri thirrje për krijim të shpejtë të institucioneve të reja të drejtësisë dhe rikthimin në funksion të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Një një mesazh të shpërndarë nga Ambasada e Gjermanisë, Schütz pasi e cilësoi procesin e vetingut një sukses dhe premtoi mbështetje të Gjermanisë tha se ishte e rëndësishme të krijoheshin institucionet e reja. “Prandaj është e rëndësishme të krijohen këshillat e lartë për plotësimin e vendeve vakante si dhe Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese të rimarrin sa më shpejtë të jetë e mundur aftësinë e tyre ligjore”, thuhet në mesazhin e ambasadores.

Ajo po ashtu tha se Gjermania do të mbështesë “Shkollën e Magjistraturës në zgjerimin e kapaciteteve të saj arsimuese dhe kualifikuese”. Vetingu sipas Schütz ishte deri tani një sukses ndërsa u shpreh se ai mbështetej prej vitesh nga Gjermania. “Mekanizmi për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është një kolonë mbështetëse e reformës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri, e cila po mbështetet prej vitesh nga Gjermania. Unë e përshëndes faktin që procesi i vetingut i nisur në muajin mars ka përparuar mire”, thuhet në mesazhin e ambasadores.

Ajo po ashtu tha se vijimi i procesit “me standarte të njëjta do të ndihmojë në forcimin afatgjatë të shtetit ligjor dhe të besimit të shqiptarëve në sistemin e drejtësisë”.  Gjermania është një nga mbështetësit kryesorë të reformës në drejtësi, e cila është një nga kushtet për avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Procesi i vetingut është duke mbyllur fazën e tij të parë, pasi është shqyrtuar shumica e gjykatësve e prokurorëve në listën prioritare kryesisht kandidatë për institucionet e reja të drejtësisë, KLGJ, KLP dhe KED si dhe ata që kanë pozicione të larta. Deri tani KPK ka mbajtur 48 seanca dëgjimore, ka shkarkuar 27 subjekte dhe ka rikonfirmuar në detyrë 21 subjekte.