Lajm21 May 2020

Ambasadorja e SHBA ngre dyshime “për marrëveshje të fshehtë për të vrarë reformën”

Në një twitter të pa shpjeguar ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim foli për dyshimet mbi një marrëveshje mes palëve për të “vrarë reformën në drejtësi”.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Zonja Yuri Kim, ambasadore e SHBA-së, gjatë fjalës së saj në konferencën mbi sfidat e Prokurorisë së Përgjitshme në Dritën e Reformës në Drejtësi | Foto : Nensi Bogdani

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim foli të enjten për zhurmë rreth një marrëveshje të fshehtë për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri. Postimi në Twitter i ambasadores lë të kuptohet se palët në pushtet në Shqipëri mund të jenë bërë bashkë për të shkatërruar reformën.

“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta”, shkroi Kim.

Ajo po ashtu pranoi se reforma, që është sposorizuar fort nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kishte probleme, por tha se ajo duhej të vazhdonte. “Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë”, tha Kim.

Nuk është e qartë se çfarë e ka nxitur reagimin e amasadores dhe kush janë aktorët e përfshirë në marrëveshjen e dyshuar.

I pari që iu përgjigj postimit të ambasadores ishte kryeministri Edi Rama, i cili gjithashtu në Twitter deklaroi se binte ‘dakord’ me postimin e përfaqësues së SHBA në Tiranë, ndërsa shtoi edhe një shprehje të dramaturgut William Shakespeare: “ ferri është bosh dhe të gjithë djajt janë këtu.”

Reforma në Drejtësi në Shqipëri filloi pas votimeve të ndryshimeve kushtetuese në korrik të vitit 2016 në mënyrë unanime në Kuvendin e Shqipërisë. Por më pas procesi ngeci dhe u zvarrit duke kërkuar herë pas herë ndëryhrje nga jashtë për të shtyrë palët politike të kalonin ligjet apo të votonin anëtarët e trupave që do të bënin procesin e vetingut.

Ky i fundit bëhet me faj, kryesisht prej opozitës dhe Presidentit të Republikës, se la vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë. Shumica e anëtarëve të këtyre të fundit u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen për të mos iu nënshtruar rivlerësimit. Kjo e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë prej gati 3 vitesh.

Nga procesi i vetingut janë larguar me shkarkim apo me dorëheqje deri sëfundmi 139 gjyqtarë e prokurorë, kryesisht për mosjustifikim të pasurisë apo edhe kontakte të papërshtatshme me krimin.

Nga ana tjetër procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj në këto institucione është zvarritur po ashtu, ndërsa përpos problemeve teknike që u shfaqën dhe mungesës së kandidatëve, shumica qeverisëse është akuzuar për përpjekje për të marrë nën kontroll institucionet e reja të drejtësisë përfshi Inspektorin e Lartë të Drejtësisë apo Gjykatën Kushteteuse.

Përplasjet e vazhdueshme mes palëve janë shoqëruar po ashtu me protesta, ndërsa prej muajsh Presidenti Ilir Meta fajëson diplomatët e huaj në Tiranë se kanë devijuar reformën duke ia lënë kontrollin e saj qeverisë.