Lajm29 Jul 2020

Amnesty International thirrje Serbisë të ndalë hetimin e OJQ-ve

Amnesty International dhe Komisioni Europian kanë shprehur shqetësim të thellë rreth asaj që Amnesty e quajti “hetim kanosës” të Serbisë për financat e 57 OJQ-ve dhe individëve në Serbi, përfshirë BIRN-in.

Autor: Milica Stojanovic BIRN Beograd
Printo

Nils Muiznieks, drejtor i Amnesty International për Europën. Foto: coe.int

Hetimi zyrtar për disa OJQ dhe individë të ndryshëm në Serbi, të dyshuar për pastrim parash dhe financim të terrorizmit, synon t’i kanosë ata, thanë organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International.

Administrata e Serbisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, e cila është pjesë e Ministrisë së Financave, u ka kërkuar të gjitha bankave në vend të dorëzojnë të dhëna financiare për rreth 20 individë dhe 37 OJQ, “për të përcaktuar nëse organizatat dhe individët e listuar kanë ndonjë lidhje me financimin e terrorizmit ose me pastrim parash”.

Drejtori i Amnesty International për Europën, Nils Muiznieks, e quajti hetimin një akt kanosjeje. “Vënia në shënjestër e gazetarëve dhe OJQ-ve me akuza absurde për pastrim parash dhe financimi të terrorizmit është një akt i frikshëm kanosjeje dhe i fundit në një fushatë të vazhdueshme nga autoritetet serbe për të heshtur kritikët e tyre”, tha Muiznieks.

“Ky lloj hetimi arbitrar që vë nën shënjestër kritikët e qeverisë dëmton të drejtën për lirinë e shprehjes dhe kërcënon lirinë e shtypit. Këto hetime duhet të ndalen”, shtoi ai.

Zëdhënësja e Komisionit Europian për Zgjerimin, Ana Pisonero, tha se Komisioni priste “informacione të mëtejshme nga autoritetet, përfshirë kriteret e përzgjedhjes” për hetim. “Luftimi i pastrimit të parave është një shtyllë e rëndësishme e integrimit të Serbisë në BE. Në të njëjtën kohë, një shoqëri civile e fuqizuar është një komponent thelbësor i çdo sistemi demokratik dhe duhet të njihet dhe trajtohet si i tillë nga institucionet shtetërore”, shkroi Pisonero në llogarinë e saj në Tëitter.

Pesëdhjetë e shtatë OJQ0të ose personat të dhënat e cilëve po kërkohen nga autoritetet serbe përfshijnë Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, Qendrën për Gazetari Investigative të Serbisë, CINS, Rrjetin për Raportimin e Krimit dhe Korrupsionit, KRIK, Shkollën e Gazetarisë Novi Sad, Nismat Qytetare, YUCOM , Qendrën për Politikë të Sigurisë në Beograd, Komitetin e Helsinki për të Drejtat e Njeriut dhe Fondin për të Drejtën Humanitare.

Individët përfshijnë një sërë punonjësish të BIRN, drejtorin e CINS, Branko Cecen, kreun e TV Neësmax Adria Serbia dhe ish-redaktorin e BIRN, Slobodan Georgiev, dhe gazetarët Biljana Stepanovic dhe Vukasin Obradovic. Është përmendur gjithashtu edhe Vuk Jeremiç, një politikan i opozitës.

Rreth 130 organizata të shoqërisë civile i kanë bërë thirrje Administratës për Parandalimin e Pastrimit të Parave që të paraqesë arsyet e saj për dyshime tdhe të justifikojë pse urdhëroi mbledhjen e informacioneve nga bankat.

“Meqenëse lista përfshin shumë organizata dhe individë që merren me gazetari investigative, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, transparencën, prodhimin e filmave, zhvillimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe bamirësinë, përfundimi është se ky është një abuzim politik i institucioneve dhe një përpjekje e rrezikshme për të dëmtuar edhe më tej sundimin e ligjit në Serbi”, thuhet në një deklaratë të përbashkët.