Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut Amnesty International i kërkoi qeverisë shqiptare të ndalojë përzënien e familjeve rome nga Bashkia e Tiranës dhe të sigurojë strehim për ta para se të zhvendosen.
Amnesty lëshoi një deklaratë të Mërkurën me titull: “Romët kanë nevojë për strehim të përshtatshëm, jo për përzënie me dhunë”, në të cilën i bëri thirrje Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Ministrisë së Mirëqënies dhe Rinisë të ndalojnë procesin e përzënies së familjeve rome, i cili po kryhet aktualisht nga Bashkia e Tiranës.
“Amnesty i bën thirrje ministrive të ndalojë përzënien me dhunë të 44 familjeve rome dhe egjiptiane (200 individë) nga autoritetet e Bashkisë së Tiranës dhe të sigurohen se nëse përzënia është e nevojshme, ajo të kryhet në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare,” thuhet në deklaratë.
Bashkia e Tiranës njoftoi më 2 tetor se do të heqë familjet që kanë krijuar një kamp me barraka në zonën pranë Liqenit Artificial për shkak të shqetësimeve të banorëve për ndotje dhe mungesë sigurie. Që nga publikimi i deklaratave, zyrtarët e bashkisë dhe policia kanë bërë presion të vazhdueshëm mbi këto familje që të largohen. Një pjesë e familjeve janë larguar sakaq nga frika e dhunës, të cilën e kanë pësuar nga autoritetet edhe më herët.
Familja Nuredini, nga Elbasani, çmontoi barrakat të shtunën e kaluar, mblodhi plaçkat dhe i ngarkoi në disa automjete të paguara nga bashkia për t’u kthyer në Elbasan.
“Ne kemi frikë,” tha njëri prej tyre për BIRN. “Ne na kanë përzënë më herët me policë dhe dhunë nga Stacioni i Trenit dhe nga Pallati me Shigjeta, nuk kam qejf të rrihem,” tha ai.
Bashkia e Tiranës thotë se ka ofruar alternativa strehimi për familjet që do të zhvendosen, si Bonus Social, rikthim në qytetet nga kanë ardhur ose strehim në Qendrën e Emergjencave në Tufinë.
Por Amnesty International i cilësoi këto oferta si të papërshtatshme. Bonusi i Qerasë psh, propozuar nga Bashkia, nuk është i vlefshëm për familjet rome, vëren Amnesty, për shkak se këto familje nuk plotësojnë kushtet minimale të të ardhurave, nuk kanë vende pune dhe nuk janë të pranueshëm nga pronarët e banesave që supozohet se duhet t’i marrin si qeramarrës.
Amnesty tërheq gjithashtu vërejtje për mungesën e procedurave ligjore të ndjekura nga Bashkia e Tiranës në lidhje me këtë çështje dhe vëren se Shqipëria po shkel në këtë proces Angazhimin Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore, të cilën e ka nënshkruar.
“Autoritetet e Bashkisë nuk kanë marrë një leje gjykate për përzënien, siç kërkohet nga ligji shqiptar. Kjo i ka mohuar familjeve rome dhe egjiptiane të prekura të drejtën për të apeluar ndaj urdhërit të përzënies – një masë kyçe mbrojtëse kundër përzënies me dhunë të përcaktuar nga standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut,” thuhet në deklaratë.