Analize2 Dec 2017

Amnistia ndaj krimeve zgjedhore mban gjallë blerjen e votës në Shqipëri

Të dyshuarit e arrestuar për blerje vote dhe krime zgjedhore kanë përfituar shpesh nga amnistitë e miratura nga parlamenti apo dështimi i akuzave të prokurorisë – një praktikë për të cilën ekspertët shprehen se ka ardhur koha t’i jepet fund.

Autor: Elton Qyno BIRN Tiranë
Printo

Komisionere, gjatë numërimit të fletëve të votimit, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, në Komisionin e Zonës së Administrimit Zgjedhor, KZAZ 35, në njësinë nr. 5, në Tiranë | Foto nga : LSA

Në 25 qershor në Korçë, në ditën votimit për zgjedhjet e fundit parlamentare, policia arrestoi në flagrancë 55-vjeçarin Pajtim Myrtollari, i cili dyshohej se ishte përfshirë në një skemë për blerje votash në favor të Lëvizjes Socialiste për Integrim, LSI.

Sipas Prokurorisë së Korçës, Myrtollari është arrestuar në kushtet e flagrancës “pasi në mjetin e tij së bashku me A.S kanë zhvilluar biseda të cilat cënojnë vullnetin e lirë të qytetarëve për të zgjedhur”.

“Në automjetin e tij personal janë gjetur lista zgjedhësish, numra kontakti si dhe shuma monetare prej 20,000 lekësh të cilat mendohet se do të përdoreshin në këmbim të votës përkundrejt subjektit politik të përfaqësuar prej tij (LSI),” ka deklaruar Prokuroria gjatë seancës për vendosjen e masës së sigurisë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë.

Sipas Prokurorisë, Myrtollari ishte recidivist, për shkak se me të njejtën akuzë ishte arrestuar dhe në vitin 2013  së bashku me një person tjetër, sërish për tentativë të blerjes së votës. Procesi atë kohë është mbyllur në favor të të akuzuarve duke u dhënë pafajësinë për shkak se provat e siguruara nga prokuroria janë konsideruar të pamjaftueshme. Prokuroria e apeloi çështjen, por ajo u mbyll pas amnistisë të miratuar nga parlamenti.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që edhe akuza e re e ngritur ndaj Myrtollarit pritet të tërhiqet nga Prokuroria për mungesa provash, ndorkohë që i dyshuari është liruar nga burgu me vendim të Gjykatës së Apelit.

Në të dyja rastet, 55-vjeçari ka pasur rolin e koordinatorit të forcës politike në lagjen 8 të qytetit të Korçës.

Raportet ndërkombëtare të monitorimit të zgjedhjeve si dhe studimet e kryera nga organizatat jofitimprurëse nënvizojnë se shit-blerja e votës mbetet një problem serioz në fushatat zgjedhore shqiptare. Sipas ekspertëve të çështjeve zgjedhore, personat e akuzuar për blerje vote shpesh përfitojnë nga amnestitë e miratuara nga parlamenti për të shmangur akuzat penale. Ata shtojnë që kësaj praktike duhet t’i vijë fundi në mënyrë që vendi të mbajë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare.

I kontaktuar nga BIRN nëpërmjet telefonit, Pajtim Myrtollari i mohoi akuzat duke deklaruar se prokuroria kishte qenë e paaftë t’i provonte ato.

Akuzat shkërmoqen për herë të dytë

Sipas raportit të OSBE/ODIHR-së për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, gjatë fushatës zgjedhore pati aludime të shumta nga parti politike të opozitës për blerje të votës.

Raporti nënvizon se pas ditës së zgjedhjeve, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialistë për Integrim i përsëritën pretendimet e tyre pranë Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it se kishte ndodhur një operacion masiv, i përhapur gjerësisht, për blerjen e votës.

“Të dyja këto parti treguan disa raste konkrete, por në mungesë të provave të mjaftueshme konkluduese, nuk paraqitën ndonjë ankim ligjor kundër rezultateve. Megjithatë, ato iu përmbajtën deklaratës së tyre të palëkundur se shkalla e blerjes së votës ishte e lidhur me sasi të mëdha parash të vëna në dispozicion nga kultivimi kriminal i drogës,” shkruhet në raport.

Sipas të dhënave të mbledhura nga BIRN, Pajtim Myrtollari ishte 1 nga 21 personat e ndjekur penalisht nga Prokuroria në të gjithë vendin për krime zgjedhore pas fushatës për zgjedhjet parlamentare 2017.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që gjatë fushatës zgjedhore Prokuroria e Korçës ka pasur nën hetim një numër zyrtarësh vendorë të LSI-së, përfshirë Myrtollarin.

Pas arrestimit në kushtet e flagrancës me 25 qershor, ndaj të dyshuarit është zbatuar kontroll i automjetit. Gjatë këqyrjes së automjetit nga policia janë gjetur disa lista të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin që i përkasin qendrave të votimit të qytetit të Korçës, disa numra telefoni, një letër ku janë bërë disa shënime veprimesh matematikore, disa fletë të vogla me numra telefoni dhe emra personash, si dhe 11 kartëmonedha të prerjeve 1.000  lekë.

Ndërkohë, sipas Prokurorisë, gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve ka rezultuar se shtetasi Pajtim Myrtollari ka ofruar dhe premtuar vende pune shtetasve Aldi Skënderasi dhe Gani Mançi me qëllim që ata, ose persona të tjerë të lidhur me ta, të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe më konkretisht subjektin politik LSI.

BIRN mëson se përveç deklarimeve të tyre, ky fakt provohet edhe me aktet e përgjimit ambiental të kryer në ambientet e policisë së Korçës, ku Myrtollari i jep udhëzime në qeli Mançit dhe Skënderasit, duke i kërkuar të dëshmojnë që ai nuk i ka premtuar se do i fuste në punë në këmbim të votës, si dhe se për lekët e gjetura në makinë duhet të pohonin se ishin në portofol.

Me këto prova, në datën 28 qershor 2017, Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë të “arrestit në burg” për Pajtim Myrtollarin.

Ndërkohë një muaj më pas, në datën 24 korrik 2017, Gjykata e Apelit Korçë ka vendosur të lirojë të dyshuarin me argumentin se Myrtollari s’ka rrezik arratisje dhe s’mund të prishë provat e hetimit, duke caktuar masën e detyrimit për paraqitje pranë oficerit të policisë çdo ditë të hënë në orën 12:00.

Pavarësisht vendimit të Apelit mbi masën e sigurisë, në shtator 2017 Prokuroria e Korçës e dërgoi dosjen në gjykatë duke e ngarkuar Myrtollarin me akuzën e “dhënies se premtimeve dhe shpërblimeve”.

Por vetëm pas disa seancave gjyqësore, prokurori i çështjes Julian Kristo ka vendosur të tërheqë dosjen penale në ngarkim të Myrtollarit, duke e futur çështjen në rrugën e pushimit.

“Duke qenë se dëshmitarët Aldi Skënderasi dhe Gani Mançi deklaruan ndryshe nga sa deklaruan gjatë hetimit paraprak nga ana jonë nuk kërkohet kundërshtimi i dëshmisë pasi nuk është provë direkte për të provuar një fakt të caktuar, duke qenë se dy shtetasit mbajtën qëndrime të ndryshme, pra gjatë fazës hetimore tjetër qëndrim dhe gjatë gjykimit tjetër qëndrim, në këtë moment procedurial ju kërkoj kohë për qëndrimin që do mbajmë në Prokurori,” deklaroi përpara gjykatës prokurori Julian Kristo.

“Kundërshtimi i dëshmisë nuk është provë direkte dhe duhet të lidhet me një provë tjetër për t’u vërtetuar. Kishim dhe një përgjim, por përgjimi lidhej nga dëshmia prandaj kërkoj kohë si do vazhdojmë procedurialisht me këtë gjykim … dhe i kërkoj kalimin e akteve prokurorisë,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, avokati i Pajtim Myrtollarit i ka kërkuar trupit gjykues që të pushonte dosjen pasi prokuroria nuk kishte asnjë provë.

I kontaktuar në telefon, Pajtim Myrtollari i tha BIRN se është i pafajshëm në këtë çështje.

“Prokuroria dhe dëshmitarët e saj janë tërhequr dhe se e ka pushuar dosjen. Por unë i jam drejtuar me ankim Gjykatës së Apelit Korçë, duke kërkuar që kjo gjykatë ta pushojë përfundimisht çështjen time,” tha Myrtollari.

Nga ana tjetër, në një komunikim që BIRN pati me prokurorin Julian Kristo, ky i fundit pohoi se çështja është tërhequr nga gjykata në pritje për të marrë një vendim se si do veprohet, pasi dhe i pandehuri sipas tij, ka kërkuar pushimin në gjykatën e Apelit Korçë.

“Jemi në proces të vlerësimit dhe analizimit të kësaj çështje, por s’mund të veprojmë dot ne si prokurori, pa mësuar qëndrimin që do të mbajë Gjykata e Apelit për këtë dosje,” tha Kristo.

Një fenomen shqetësues

Personat e hetuara për blerje vote pas fushatës së zgjedhjeve të 25 qershorit mund të jenë vetëm maja e ajsbergut sipas një studimi të financuar nga Bashkimi Europian, të titulluar “Ngushtimi i hapësirave midis institucioneve formale dhe informale në Ballkan.”

Sipas studimit të botuar në 30 shtator 2017, praktikat klienteliste në zgjedhje janë të përhapaura në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të hulumtuara, në mënyrë të veçantë në Mal të Zi dhe Shqipëri, ku përkatësisht 22.5 % dhe 20.7% e personave që i janë përgjigjur një sondazhi, pranojnë se i janë ofruar para në shkëmbim të votës.

Prokuroria i tha BIRN se gjatë vitit 2016 ka pasur në hetim dy çështje të mbartura nga zgjedhjet lokale të 2015-ës për akuzën “Dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve” dhe nuk është marrë asnjë person i pandehur.

Po ashtu, Prokuroria tha se gjatë vitit 2016-të janë dënuar 13 komisionerë për akuzën e “Falsifikimit të materialeve zgjedhore dhe rezultatit zgjedhor.”

Sipas politologut dhe drejtorit ekzekutive të Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi, kjo situatë vjen si rrjedhojë e nivelit të lartë të pandëshkueshmërisë për krime zgjedhore.

“Në rastin e zgjedhjeve të fundit, kur policia dhe prokuroria lajmëruan mbi 20 raste procedimesh ligjore dhe KQZ ka bërë kallëzim për një numër të madh komisionerësh të provuar për krim elektoral, ende asnjë rast nuk ka marrë përgjigje përfundimtare ligjore,” tha Krasniqi.

“Përkundrazi, kemi pasur raste zyrtarësh të cilët janë akuzuar për krim elektoral dhe që aktualisht vijojnë të jenë deputetë, drejtues politikë apo drejtues në nivele të ndryshme të administratës,” shtoi ai.

Sipas Krasniqit, përpara se parlamenti të miratojë amnisti për vepra penale të kësaj kategorie duhet të kemi vlerësim nga gjykatat mbi fajet, pafajësinë apo përgjegjësinë e të akuzuarve.

“Amnistia vlen kryesisht për raste të veprave penale të cilat lidhen me situata specifike, me krime pa dashje dhe forma të tjera, por pasi personat kanë vuajtur një pjesë të dënimit. Në rastin e krimit elektoral, ne ndodhemi ende në fazën e parë, të hetimit dhe ndalimit,” tha Krasniqi.

Mbi nevojën që personat e akuzuar për krime zgjedhore të mos përfitojnë nga amnistia, bien dakord dhe përfaqësuesit e partive politike kryesore në vend.

“Sigurisht që shitbleja e votës mbetet një nga plagët më të rënda të zgjedhjeve në Shqipëri, po aq sa edhe një nga arsyet kryesore të ekzistencës së kësaj maxhorance qeverisëse në vend,” tha Ivi Kaso, ekspert i çështjeve zgjedhore në Partinë Demokratike.

“Qëndrimi i kahershëm, parimor dhe i palëkundur i Partisë Demokratike ka qene jo vetëm kundër amnistimit të veprave penale në fushën e zgjedhjeve, por duke shkuar në një drejtim diametralisht të kundërt me vullnetin e maxhorancës aktuale, kemi kërkuar ashpërsimin e politikës penale për këto vepra,” shtoi ai.

Të njëjtin qëndrim mbajti në parim edhe nënkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Bledi Çuçi, i cili ishte dakort që veprat penale që kanë lidhje me krimin elektoral të mos amnistohen nga parlamenti.

Sipas Afrim Krasniqit, partitë politike dhe organet e drejtësisë ndjekin dy standarde për sa i përket dënimit të rasteve të krimit zgjedhor.

“Partitë dhe organet e drejtësisë ndjekin dy standarde kur bëhet fjalë për komisionerë anonimë të periferisë dhe komisionerë me pozita të rëndësishme në parti në zonat urbane, sidomos në qytetet kryesore,” tha ai.

“Prokuroria nuk duhet të ndikohet nga klima politike në hetimet e saj, siç fatkeqësisht ka ndodhur në çdo periudhë zgjedhore, përfshirë edhe në zgjedhjet e fundit,” përfundoi Krasniqi.