Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, ka paditur në prokurori ish-deputetin e PS-së Andis Harasanin për mosdeklarimin e 2.6 milion eurove pasuri.
“Nga kontrolli i subjektit Andis Harasani, për funksionet Drejtor i KESH (2003-2005) dhe Deputet i Kuvendit të Shqiperisë, për periudhën kohore (2005 – 2012), rezultuan deklarime të rreme, kontrata fiktive e të falsifikuara, fshehje të pasurive dhe transfertave bankare, të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare, në banka brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 2.600.000 USD,” tha ILDKPKI në një njoftim për shtyp të Premten.
“ILDKPKI ka depozituar kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme për veprat penale të parashikuara nga nenet 257a//2 186 dhe 287 të Kodit Penal, duke i kërkuar Prokurorisë që hetimet paraprake të shtrihen më tej, me qëllim për të zbuluar nëse ndodhemi edhe përpara veprave të tjera penale të kryera nga ky subjekt,” Inspektoriati shtoi.
I zgjedhur dy herë në parlament më 2005 dhe 2009, nga shtatori 2002 deri në korrik 2005 Harasani ka qenë drejtor i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, kompanisë më të madhe në Shqipëri me shitje prej afro gjysmë miliardi euro.
Në shtator 2012, ai dha dorëheqjen si deputet dhe shkoi në Nju Jork për të themeluar një kompani të quajtur Eagle HVAC, Inc..
Deputeti i ka cilësuar më herët hetimet e ILDKPKI-së “të motivuara politikisht,” duke mohuar akuzat për fshehje pasurie.
Një investigim i BIRN i publikuar në 2013, zbuloi se ish-deputeti i PS në vitin 2007 kishte krijuar një kompani të fshehtë dhe nuk e deklaroi atë siç e kërkon ligji për deklarimin e pasurisë
Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, në nëntor 2007 Harasani e regjistroi kompaninë me emrin White Ebony Holdings Ltd në Ishujt Virxhin të Britanisë, ku ai rezulton drejtor dhe aksioner.
Të dhënat identifikojnë Singaporin, një parajsë tjetër fiskale, si vendi ku kompania u regjistrua fillimisht dhe përmend si adresë biznesi një apartament në Franzstrasse në Bonn. Motra e Harasanit është një gazetare për Radio Deutsche Welle në Bon dhe ajo banon në këtë adresë.
Të dhënat për kompaninë e Harasanit ishin pjesë e një databaze, të siguruar nga Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarisë Investigative, ICIJ, me anë të të cliës u zbuluan zyrtarë që fshehin pasurinë nga e gjithë bota.