Avokatët e dy kosovarëve të dënuar për pjesëmarrje në një grup të dyshuar terrorist të quajtur “Harausham” thanë se do të përdorin një investigim të BIRN si pjesë të apelit kundër vendimit.
Avokatët e të dyshuarve si anëtarë të grupeve terroriste, Nexhat Behluli dhe Arben Livorek thanë se do të paraqesin investigimin e BIRN përpara gjykatës së apelit të premten si dëshmi mbështetëse për rigjykimin e të dy të pandehurve.
Investigmi i BIRN zbuloi se organizata e të dyshuarve si terroristë për të cilën ata u dënuan si pjesëmarrës, ‘Harausham’, mund të mos ekzistojë.
Hedije Ademi, avokate e Behlulit, i tha BIRN se mbrojtja do të kërkojë njohjen e faktit se prokuroria ka dështuar të provojë ekzistencën e ‘Harausham’.
“Do të përdorim investigimin e BIRN për çështjen, i cili ngre pyetje serioze në lidhje me ekzistencën e kësaj organizate”, tha Ademi.
Behluli dhe Livoreka u burgosën me tre vjet e gjysmë secili nga një gjykatë e shkallës së parë në Prishtinë në janar pasi u shpallën fajtorë për “pjesëmarrje dhe organizim të një grupi terrorist”.
Të dy burrat u arrestuan në shtator të vitit 2014 të dyshuar se ishin anëtarësuar në një organizatë terroriste që dyshohet se është e lidhur me grupin militant islamist Al Nusra në Siri, nga nëntori 2013 deri në korrik 2014.
Megjithatë, BIRN ka zbuluar se “Harausham” mund të ketë ekzistuar vetëm në padinë e prokurorisë dhe në dokumente të tjera gjyqësore.
Ai nuk shfaqet në asnjë kërkim tjetër të listave të detajuara të grupeve që luftojnë në Siri dhe Irak.
Deklaratat e të dyshuarve të përfshira në dokumentet e gjykatës janë e vetmja provë e drejtpërdrejtë e ekzistencës së organizatës dhe prokurorët nuk arritën të sigurojnë dëshmitë mbështetëse për ekzistencën e saj, kur BIRN u mor me rastin.
Kryeprokurori Aleksandër Lumezi u kap në befasi dhe u përgjigj me një qeshje kur u pyet në lidhje me rastin ‘Harausham’ gjatë një konference në maj.
“Në këtë rast, nuk ka asgjë për të thënë,” u përgjigj Lumezi, duke ngritur duart në ajër.
“Por është e rëndësishme që gjykata lëshoi një dënim,” tha ai.
Behluli, një nga dy të pandehurit, i tha BIRN se nuk kishte asnjë ide në lidhje me ekzistencën e grupit të dyshuar militant dhe tha se deklaratat e tij ngatërruar.
Avokatët fillimisht bënë apel për reduktim të dënimit të të pandehurve.
Por, kur u botua hetim i BIRN për këtë çështje, ata vendosën të kërkojnë përmbysjen e vendimit të shkallës së parë dhe lirimin e të dyshuarve, ose rigjykim të çështjes.