Andrea rezulton se ka marrë një shumë parash për një çështje pronash, por nuk është arrestuar dot, pasi është larguar nga Shqipëria sëbashku me bashkëshortin pak orë para marrjes së vendimit po nga Gjykata e Lartë.
Në një konferencë për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi sot se ka përfunduar një hetim që çoi në pranga disa persona dhe shpalli në kërkim anëtaren e Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea, e cila akuzohet për mitëmarrje. Prokuroria deklaroi se bëhet fjalë për një pagesë prej 50 mijë eurosh për një çështje pronash.
“Me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykata e Lartë ka caktuar masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për gjyqtaren e kësaj gjykate, Majlinda Andrea, e dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve….”. Gjithashtu, Gjykata e Lartë ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për bashkëshortin e gjyqtares, Odhise Andrea, si edhe për 3 shtetas të tjerë, të dyshuar për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve….”, në bashkëpunim dhe “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve…”, në bashkëpunim”, deklaroi Prokuroria e Përgjithshme.
“Masa e sigurimit për bashkëshortët Andrea nuk është mundur të ekzekutohet, pasi ata janë larguar jashtë Shqipërisë pak orë para se Gjykata e Lartë të vendoste masat e sigurimit ndaj tyre. Ndërkohë, janë arrestuar nga ana e Policisë së Shtetit, tre të dyshuarit Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino,” vijon më tej deklarata.
Nga aktet hetimore të deritanishme rezulton se i dyshuari Ilia Çabiri nga Saranda, në cilësinë e përfaqësuesit të një familjeje ish-pronare, ka zhvilluar disa procese gjyqësore për njohjen e një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit.
Deri në fillim të korrikut 2016, kjo çështje ishte në “fazën e studimit” në Gjykatën e Lartë. I dyshuari Çabiri është angazhuar që procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë të përfundonte në favor të tij. Për këtë arsye, ai ka kontaktuar me të dyshuarin Petraq Dashi, i cili nga ana e tij kishte njohje dhe komunikim me shtetasin Odhise Andrea. Ky i fundit është bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea, e cila ishte një prej anëtarëve të trupit gjykues të çështjes së të dyshuarit Çabiri në Gjykatën e Lartë.
Në vijim të kontakteve ndërmjet personave të përfshirë, i dyshuari Petraq Dashi nënshkruan një kontratë fiktive me të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, në bazë të të cilës ai deklaron se u huazon shumën prej 50 mijë euro.
Në fakt, këtë shumë, i dyshuari Petraq Dashi ia dorëzon bashkëshortit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, shtetasit Odhise Andrea, me qëllim dhënien e vendimit në favor të të dyshuarve Çabiri dhe Lino.
Një ditë pas dhënies së parave, konkretisht në datë 12.07.2016, trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilës është edhe e dyshuara Majlinda Andrea, u shpreh me vendim në favor të shtetasve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.
Në këto kushte, Prokuroria e Përgjithshme ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit e mësipërm kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve…” dhe “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve….”.
Majlinda Andrea rezulton gjykatësja më e lartë e vënë nën akuzë deri tani. Ajo ka qenë gjykatëse në Durrës deri në vitin 2008, kur u zgjodh nga parlamenti si anëtare e Gjykatës së Lartë.
(Vijon)