Për herë të dytë brenda pak javësh, anëtari Besnik Cani kërkoi shtyrjen e mbledhjes me argumentin se nuk i kishte marrë njoftimet brenda afatit ligjor prej 7 ditësh, duke shtyrë edhe një javë diskutimet se si do të procedohet me SPAK-un.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë i shtyu diskutimet për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK të hënën, pas një ankese të anëtarit Besnik Cani se nuk ishte njohur me aktet e rendit të ditës brenda afatit ligjor prej 7 ditësh.
“Lidhur me thirrjen e mbledhjen e sotme, unë nuk kam marrë njoftim në orarin zyrtar të punës. Emaili ka mbërritur 16:47 të datës 18, ditë e premte. Vetëm sot kam pasur mundësinë të aksesoj këtë rend dite dhe të shoh vetëm disa prej akteve. Kërkoj që mbledhja të shtyhet dhe të na jepet afati 7 ditë…,” tha Cani në fillim të mbledhjes.
Në rendin e ditës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë kishte për të shqyrtuar zgjatjen e caktimeve të përkohshme për disa prokurorë si dhe ndërprerjen e caktimit të përkohshëm për njërin prej tyre. Megjithatë, çështja më e rëndësishme e shtruar për diskutim kishte të bënte me hapat e mëtejshëm që KLP duhet të ndërmarrë për konstituimin e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
Kërkesa e Canit për shtyrjen e mbledhjes u prit me ironi nga kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi, i cili theksoi se të gjithë anëtarët e tjerë ishin njohur me mbledhjen gjatë një takimi të zhvilluar në Vlorë, por Cani kishte munguar.
“Të gjithë e morëm vesh, veç jush,” tha Ibrahimi, i cili e konsideroi më pas mbledhjen e mbyllur.
Mbledhja e së hënës është e dyta e shtyrë brenda pak javësh në KLP me kërkesë të prokurorit Besnik Cani. Më herët ai kërkoi edhe shtyrjen e miratimit të metodologjisë për vlerësimin e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, me pretendimin e njëjtë se nuk ishte respektuar afati 7 ditor i njoftimit.
Renditja e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm dhe ngritja e Prokurorisë së Posaçme, SPAK janë dy çështjet kyçe të cilat presin një vendimarrje të shpejtë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Megjithatë, të dy proceset po përballen me vonesa dhe ndërlikime të paparashikuara për shkak të ankesës së kandidatit të skualifikuar për Prokuror të Përgjithshëm si dhe mospërfundimit të procesit të vetingut për disa prej kandidatëve për Prokurorinë e Posaçme, SPAK.