Blog29 Apr 2021

Anketim: Shumica e të rriturve pro pasaportave të vaksinimit për udhëtime

Ekziston një mbështetje e madhe globale për pasaportat e vaksinimit, tregon një anketim i ri i kryer nga Ipsos për Forumin Ekonomik Botëror. Më shumë se tre të katërtat e njerëzve në të gjithë botën mendojnë se këto pasaporta duhet të jenë të detyrueshëm për udhëtime.

Autor: Douglas Broom Weforum.org
Printo

Foto ilustruese: Flickr

Ndërsa COVID-19 vazhdon të shkatërrojë botën tonë, një hulumtim i ri për Forumin Ekonomik Botëror tregon se më shumë se tre të katërtat e njerëzve në të gjithë botën mendojnë se pasaportat e vaksinave duhet të jenë të detyrueshme për udhëtime.

Ipsos anketoi mbi 21,000 njerëz në 28 vende dhe gjeti mbështetje të fortë (78%) që udhëtarëve t’u kërkohet të pajisen me pasaporta vaksinimi për COVID-19. Mbështetja më e madhe ishte në Malajzi dhe Peru, ku 92% dhe 90% e njerëzve mbështetën idenë e pasaportave të vaksinimit për udhëtime.

Pati një shumicë në favor të pasaportave të vaksinimit në çdo komb të anketuar. Qytetarët e Hungarisë (52% në favor) dhe Polonisë (58%) ishin më pak entuziastët për këtë ide.

Pothuajse tre të katërtat (73%) thanë se pasaportat e vaksinimit do t’i bënin udhëtimet dhe eventet e mëdha më të sigurta, me një mbështetje që varion nga më shumë se tetë në 10 persona në Argjentinë, Kinë, Indi, Malajzi dhe Peru në 52% në Hungari dhe 53% në Rusi.

Globalisht, 67% thanë që pasaportat e vaksinimit për COVID-19 duhet të jenë të detyrueshme në vende publike si stadiume dhe salla koncertesh me mbështetjen më të fortë për këtë në Indi, Kili dhe Malajzi (të gjitha 84%) ndërsa në Rusi dhe Hungari vetëm 31% dhe 47% ranë dakord se ato ishin e nevojshme.

Dy të tretat e të anketuarve (66%) thanë se prisnin që pasaportat e vaksinimit të ishin në përdorim të gjerë në vendin e tyre deri në fund të këtij viti, megjithëse kishte ndryshime të mëdha në opinione që varionin nga 81% në Indi dhe Peru në më pak se një e treta (32%) në Rusi.

Më shumë se gjysma e personave të anketuar në të gjithë botën (55%) thanë se njerëzve që hyjnë në dyqane, restorante dhe zyra duhet t’u kërkohet gjithashtu të mbajnë një pasaportë vaksinimi. Ideja ishte më pak e popullarizuar në Rusi (20%) dhe mbështetja më e fortë ishte në Indi ku 78% mbështeti këtë masë.

Opinionet në mbarë botën ndryshojnë rreth asaj se kush duhet të ketë qasje në të dhënat personale mjekësore për të lëshuar pasaporta vaksinimi. Më shumë se katër të pestat (84%) do të lejonin që këtë qasje ta ketë mjeku i tyre, 56% punëdhënësi i tyre, 50% qeveria e tyre, por vetëm 40% do t’u besonin kompanive private.

Një anketim i dytë me 15,000 njerëz në 12 vende, i kryer gjithashtu nga Ipsos, gjeti mendime të ndryshme në lidhje me periudhën e përdorimit të këtyre pasaportave.

Pothuajse një e treta tha që ato duhet të përdoren vetëm për disa muaj, 32% ishin të lumtur që që ato të përdoren deri në fund të vitit, 23% mendonin se ato duhet të qëndronin në përdorim për disa vjet dhe 13% për një kohë të pacaktuar.

Mbështetja më e fortë për mbajtjen e tyre për vetëm disa muaj erdhi nga Spanja (54%) dhe Meksika (48%) ndërsa Japonia ishte i vetmi vend ku një shumicë mbështeti idenë e përdorimit të pasaportave të vaksinimit për disa vjet ose për një kohë të pacaktuar.

Kur u pyetën në të njëjtin sondazh nëse mendonin se vetëm njerëzit të cilët ishin vaksinuar duhet të lejohen të marrin pjesë në evente që përfshijnë grupe të mëdha njerëzish, si përdorimi i transportit publik, fluturimet me avion ose pjesëmarrja në evente sportive dhe kulturore, më shumë se gjysma (54%) ishin dakord me këtë kufizim.

Mbështetja për ndalimin e personave të pa vaksinuar nga pjesëmarrja në evente publike dhe transporti ishte më e madhe në Brazil, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, ku më shumë se gjashtë në 10 persona e mbështetën idenë.

Megjithatë, në nivel global, 46% mendonin se kufizimi i lirisë në këtë mënyrë ishte i padrejtë ndaj atyre që nuk ishin vaksinuar, me kundërshtimet më të forta që erdhën nga Franca (57%), Spanja (55%), Japonia (53%) dhe Gjermania (53%).

Marrë me autorizim nga Weforum.org

Most adults agree with vaccine passports for travel, survey shows