Analize5 Jan 2019

Ankimi i Altina Xhoxhajt kundër vendimit të KPK-së u rrëzua në Kolegj

KPA la në fuqi vendimin e shkarkimit të Altina Xhoxhajt pasi ish-anëtarja e Kushteteuses nuk justifikonte pasurinë dhe cënoi besimin e publikut te drejtësia.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Altina Xhoxhaj pas seancës dëgjimore të 23 prillit. Foto: Malton Dibra/LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi disa gjetje që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i kishte cilësuar shkarkuese në rastin e ish-anëtares së Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj. KPA megjithatë gjeti të provuar vendimin për shkarkimin e Xhoxhajt dhe la në fuqi unanimisht vendimin, duke arsyetuar se gjetjet kryesore sipas të cilave ish-gjykatësja kishte kryer “fshehje pasurie” e “deklarim të rremë” qëndronin.

Sipas vendimit pretendimi i Xhoxhajt se ato që nuk kishte deklaruar ishin veprime juridike (kontrata sipërmarrje), u rrëzua nga KPA, i cili shprehet në arsyetim se “Kontrata si veprim juridik me anë të së cilës një ose disa palë krijojnë, ndryshojnë ose shuajnë një marrëdhënie juridike, nuk është vetëm burim detyrimi, por kontrata është edhe një nga mënyrat e fitimit të pronësisë apo të të drejtave reale mbi sendet objekt i këtyre kontratave”.

Në vendimi e arsyetuar të Kolegjit po ashtu rezulton se shumica 4 nga pesë anëtarë votuan pro edhe pjesë së vendimit të Komisionit sipas të cilës Xhoxhaj kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia, duke mos dhënë dorëheqjen nga shqyrtimi i një çështje të gjykuar më herët nga babai.

Në mendim paralel Ina Rama e cila kryesori trupën gjykuese në këtë rast ndërsa bën me dije se ishte dakord me vendimin e shumicës për shkarkimin e Xhoxhajt, arsyeton se KPA duhej të kishte rrëzuar pjesën e vendimit lidhur me “cënimin e besimit te drejtësia”.

KPA vendosi të konfirmojë vendimin për shkarkimin e Xhoxhajt  më 24 tetor. Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kryesuar nga Ina Rama, relator Ardian Hajdari dhe anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci, Natasha Mulaj vendosi unanimisht për shkarkimin e Xhoxhajt.

Altina Xhoxhaj ishte një ndër 5 anëtarët Gjykatës Kushtetuese që u shkarkua në procesin e vetingut. Katër anëtarë të Kushtueses u rrëzuan në Komisionin e pavarur të Kualifikimit dhe vendimet ndaj 3 prej tyre janë konfirmuar tashmë edhe në KPA. Ndërkohë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja u konfirmua në KPK, por u rrëzua pas apelimit nga Komisioneri Publik në KPA.

Ankimi i Xhoxhajt

Në vendimin e arsyetuar të KPA rezulton se ish-anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj paraqiti pranë Kolegjit 25 kundërshtime ndaj vendimit të KPK-së. Kundërshtimet ishin fokusuar kryesisht mbi mënyrën se si Komisioni kishte vlerësuar pasurinë e Xhoxhajt dhe personit të lidhur. Po ashtu Xhoxhaj pretendon një sërë shkeljesh proceduriale.

Xhoxhaj pretendon se KPK nuk kishte të drejtë të hetonte deklarimet e saj të mëparshme për llogari të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI). Sipas saj  “Komisioni ka dalë jashtë kuadrit ligjor kushtetues, pasi subjekti ka dorëzuar një deklaratë të re, të plotë të pasurisë”.

Në ankim po ashtu pretendohet se pasuria e pajustifikuar nuk ishte sa dyfishi i pasurisë së ligjshme e për pasojë nuk mund të arrihej në vendimin për ta shkarkuar. Sipas ankimin në rastin e deklarimit të pamjaftueshëm ai duhej të ishte i tillë për të dy kriteret (të pasurisë dhe figurës) dhe se deklarimi i pamjaftueshëm vetëm në kriterin e pasurisë nuk ishte arsye shkarkimi.

Xhoxhaj pretendon se kishte deklaruar saktë pasurinë, por “Komisioni vendos detyrime të reja ligjore për subjektet, duke mbajtur kështu një qëndrim të njëanshëm dhe të qëllimshëm”. Sipas apelit të Xhoxhajt në këtë rast KPK kishte kërkuar deklarimin e veprimeve juridike, kontrata sipërmarrje e të ngjashme dhe jo konkretisht mbi pasurinë.   Po ashtu ajo pretendon se KPK i ka dhënë ligjit fuqi prapavepruese.

Pika kryesore e ankimit në të cilën është fokusuar edhe KPA kishte të bënte me pasurinë e identifikuar në vendim si “Pasuria Numër 1”, një apartament në Tiranë. Xhoxhaj në ankim pretendon se në këtë rast KPK duke iu referuar kontratave të sipërmarrjes pretendonte për deklarim të rremë dhe të pasaktë, por që sipas ankimit këto ishin veprime juridike dhe që nuk kërkohej të deklaroheshin nga ligji për deklarimin e pasurive.

“Subjekti nuk kishte asnjë detyrim ligjor të deklaronte veprimet juridike në të cilat kishte marrë pjesë, por që nuk kishin asnjë ndikim në shtimin apo pakësimin e pasurisë. Për pasojë, subjekti nuk kishte nënshkruar asnjë kontratë shitblerjeje pasurie gjatë vitit 2003 që të fitonte të drejta pasurore”, thuhet në vendim.

Po lidhur me këtë pasuri Xhoxhaj konteston vendimin e KPK-së sa i përket analizës financiare të të ardhurave të fituar nga bashkjëjetuesi gjatë kohës që ai ishte student në Itali. Ajo pretendon në ankim se KPK duhej të merrte parasysh se shpenzimet e tij nuk ishin të ngjashme me ato të një studenti italian.

Po ashtu Xhoxhaj në ankim thotë se kishte zbatuar me korrektësi ligjin duke zbatuar standardin e Komisionit të Venecias “mbi prevalimin e funksionimit të institucionit të Gjykatës Kushtetuese”. Ajo thotë se nuk kishte konflikt interesi sa i përket çështjes së gjykuar më herët nga babai i saj në apel dhe prej të cilës ajo nuk kishte hequr dorë gjatë një shqyrtimi në kushtetuese.

Vendimi i KPA-së

Duke u fokusuar kryesisht te “Pasuria Numër 1” dhe te mosdorëheqja gjatë shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese të një çështje për të cilën babai i saj si gjykatës në Apel kishte dhënë më herët një vendim, KPA rrëzoi shumicën e pretendimeve në ankim.

Kolegji bën me dije se pretendimi se hetimi nuk mund të përfshinte deklaratat vjetore të pasurisë nuk qëndronin.  “Duke qenë se përcaktimet kushtetuese dhe ligjore të sipërcituara u kanë dhënë deklarimeve periodike të pasurisë vlerën e provës, ato mund të konsiderohen të së njëjtës rëndësi me deklaratën e pasurisë “vetting””, thuhet në arsyetim.

Po ashtu Kolegji shprehet se Komisioni kishte kryer një proces të rregullt dhe se nuk kishte shkelje ligjore që cënonin vendimin. Ai rrëzoi pretendimet e Xhoxhajt në ankim se nuk ishte njoftuar për përfundimet shkarkuese të  arritura nga KPK apo edhe pretendimet se i ishte kaluar barra e provës në mënyrë të paligjshme.

KPA rrëzoi gjithashtu pretendimin e Xhoxhaj se Komisioni i kishte dhënë ligjit fuqi prapavepruese duke arsyetuar se ligji kishte “parashikuar shtrirjen e procesit të rivlerësimit edhe në shqyrtimin e deklarimeve periodike të pasurisë të kryera në të shkuarën nga subjektet e rivlerësimit”.

Kolegji megjithatë i dha të drejtë Xhoxhajt sa i përket një trualli shtesë të përfituar prej saj pas një vendimi të ALUIZNI-t. KPA thotë se Xhoxhaj nuk kishte përgjegjësi dhe as dukej të kishte ndërhyre për të përfituar rreth 100 metra më shumë se sa i takonte, pasi zyrtarisht i kishte kërkuar institucionit legalizim vetëm për 50 metra truall.

Po ashtu Kolegji i dha të drejtë Xhoxhajt sa i përket destinacionit të një kredie 40 mijë dollarë. KPK kishte cilësuar atë si veprim fiktiv, por sipas Kolegjit kishte prova të mjaftueshme që tregonin se destinacioni i kredisë ishte blerja e apartamentit për të cilin ajo ishte marrë.

KPA zbuti në dy raste qëndrimet e Komisionit mbi pasuri të rregjistruara në emër të nënës së Xhoxhajt. Ndërsa KPK kishte gjetur deklarim të rremë dhe mosdeklarim, KPA arsyetoi se kishim të bënim me pasaktësi në deklarim.

Megjithatë vendimi për shkarkimin kryesisht u bazua në burimin e krijimit  të një apartamenti 101 metra katrorë. KPK e kishte cilësuar deklarimet e Xhoxhaj në këtë rast si të rreme dhe e kishte akuzuar atë për fshehje pasurie.

KPA gjeti të drejta arsyetimin e Komisionit dhe rrëzoi pretendimin e Xhoxhajt se ajo që cilësohej si mosdeklarim ishte veprim juridik dhe jo pasuri. Sipas KPK-së Xhoxhaj edhe pse kishte deklaruar se shtëpia ishte blerë me të ardhurat e bashkëjetuesit, rezultonte të kishte nënshkruar kontrata sipërmarrje në bazë të të cilave u fitua apartamenti.

KPK gjeti se Xhoxhaj nuk kishte në këtë kohë burime financiare për të investuar në apartament, ndërsa sipas analizës financiare as bashkëjetuesi i saj nuk kishte burime, ndërsa pretendimi se paratë ishin fituar në emigracion u rrëzua.

Kolegji gjeti të drejtë qëndrimin e KPK. “Arsyetimi i subjektit se Komisioni barazon veprimin juridik me pasurinë nuk qëndron si shkak për të cenuar në thelb vendimin e Komisionit, pasi në këtë rast Komisioni ka konstatuar/gjetur veprime juridike të dyanshme, të cilat në themel të tyre kanë vullnetin e personave që i kanë nënshkruar, nëpërmjet të cilave janë transferuar të drejtat reale mbi sendin objekt i veprimit juridik, kundrejt çmimit të përcaktuar”, thuhet në arsyetimin e KPA.

Kolegji quan të drejtë vendimin e Komisionit për të vlerësuar si “një detyrim që ka pasur subjekti i rivlerësimit për t’u deklaruar sipas kërkesave të ligjit”. Në vijim KPA po ashtu rrëzoi pretendimin e Xhoxhajt mbi të ardhurat e bashkëjetuesit gjatë kohës që ai ishte në Itali me studime, duke thënë se nuk kishte dokumente për fitimet dhe se subjekti nuk kishte provuar dot se ishte e pamundur të siguroheshin dokumentet.

Pretendimi i gjykatëses së shkarkuar ndaj analizës financiare, se shpenzimet e personit të lidhurin ishin më të ulëta se sa të një studenti italian, u rrëzuan nga Kolegji. KPA arsyetoi se kursimet nga bursa nuk ishin të mundura pasi ajo llogaritej të mbulonte “ushqimin dhe shpenzime të tjera të vogla të studentit”.

KPA arsyetoi edhe se shpenzimet nuk mund të llogariteshin në bazë të kombësisë. “Çmimet e të mirave dhe shërbimeve në shtetin italian kanë qenë të njëjta për të gjithë studentët, pavarësisht kombësisë. Përllogaritja e bursës bëhet duke u nisur nga disa tregues ekonomikë të vendit tek i cili do të bëhen shpenzimet, pa përcaktuar përkatësinë e kombësisë së studentit në raport me këto shpenzime”.

Në fund unanimisht KPA vendosi se në lidhje me këtë pasuri “subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të rremë dhe fshehje pasurie”.

Megjithatë për dy pika të tjera Kolegji u nda 4 me 1. Shumica vlerësoi se likujditetet e deklaruara nga Xhoxhaj dhe bashkëjetuesi nuk ishin të justifikuara dhe nuk mori në konsideratë pretendimet e gjykatëses se disa shpenzime ishin bërë në udhëtime pune.

Po ashtu KPA tha se mosdorëheqja e Xhoxhajt nga trupa gjykuese e një çështje mbi të cilën babai i saj kishte marrë një vendim në Gjykatën e Apelit ishte “cënim i besimit të publikut te drejtësia”.

Mendimi paralel

Por kryesuesja e trupit gjykues Ina Rama kishte qëndrim paralel në lidhje me dy pikat e fundit. Rama arsyetoi se KPA i kishte mundësitë të vërtetonte se disa nga udhëtimet provoheshin si udhëtime pune. Rama tha se këto duhej të ishin zbritur nga shpenzimet e gjyqtares.

Rama po ashtu vendosi në arsyetimin e saj informacione mbi seminaret apo trajnimet e zhvilluara që përkonin me ditët e udhëtimit të deklaruara nga gjyqtarja në ato qytete. Sipas saj edhe pse Xhoxhaj nuk kishte sjellë dot dokumente për këto udhëtimi, qoftë KPK qoftë Kolegji mund t’i kishin verifikuara ato.

“Vlerësoj se pretendimet për udhëtimet e kryera për shkak të funksionit provohen se janë kryer pikërisht në këto kushte, kjo duke analizuar të dhënat e publikuara në faqet zyrtare të institucioneve ndërkombëtare (që janë lehtësisht të verifikueshme edhe për publikun), të cilat në vlerësimin tim duhet të kenë vlerën provuese të faktit të njohur botërisht”, arsyetoi gjyqtarja Ina Rama.

Po ashtu Rama doli kundër shumicës sa i përket vendosjes si arsye shkarkimi të dy pasaktësive në deklarimin e pasurive në vitet 2003 dhe 2004. Rama thotë se bie dakord me cilësimin e tyre si pasaktësi nga Kolegji, por jo me përdorimin e tyre si shkaqe më vete shkarkimi.

Rama, e cila u shpreh në mendimin paralel se ishte dakord me shkarkimin e Xhoxhajt dhe kishte pranuar pjesën tjetër të gjetjeve të Kolegjit, u nda nga shumica edhe sa i përket arsyetimit në lidhje me njëanshmërinë apo konfliktin e interesit dhe “cënimin e besimit të publikut te drejtësia”.

Duke iu referuar faktit se çështja e gjykuar nga babai i Xhoxhajt ishte një çështje penale, e cila nuk ishte ankuar në Gjykatë Kushtetuese nga ankuesi, Rama tha se nuk kishte “një shkak serioz njëanshmërie”. “Që një rrethanë të konsiderohej si e tillë, duhej të ishte shoqëruar me të dhëna të tjera të cilat tregonin për ekzistencën e një interesi të përbashkët në çështje”, arsyeton Rama. Sipas kryesueses në këtë rast diskutimi për “cënim të besimit të publikut te drejtësia” ishte i pambështetur dhe nuk duhej të ishte përfshirë në arsyet e shkarkimit nga KPA.