Lajm4 Jan 2018

Apeli i Krimeve të Rënda liron Orest Sotën në këmbim të 5 milionë lekëve garanci

Gjykata vendosi lirimin nga qelia të 25-vjeçarit Sota dy muaj pasi u arrestua me 863 mijë euro dhe patentat e ish-ministrit Tahiri në makinë, ndërkohë që Prokuroria paralajmëron se do të vazhdojë betejën në Gjykatë të Lartë.

Autor: Elton Qyno BIRN Tiranë
Printo

Orest Sota në Gjykatën e Elbasanit, ku u vendos fillimisht masa e “arrestit me burg”. Foto:Bardha Nergjoni

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda vendosi të lirojë nga qelia 25-vjeçarin Orest Sota të enjten, thuajse dy muaj pas arrestimit të tij në Elbasan me 863 mijë euro në makinë dhe dy patenta lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Vendimi i Apelit u mbështet te një kërkesë e avokatëve mbrojtës të Sotës, të cilët deklaruan se klienti i tyre vinte 5 milionë lekë garanci në këmbim të lirisë së tij.

Prokurori i çështjes e kundërshtoi këtë kërkesë, me argumentin se ka dyshime të forta se paratë e gjetura në makinën e Sotës i përkasin ish-ministrit Tahiri, i cili është në hetim për veprat penale të “trafikut të narkotikëve” dhe “korrupsionit pasiv”.

Por pretendimi i prokurorit të Apelit u rrëzua nga trupi gjykues, i cili vendosi të prishë masën e sigurisë “arrest në burg” të vendosur më parë për Sotën dhe e zëvendësoi atë me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dy herë në muaj pranë oficerit të policisë gjyqësore.

BIRN mësoi se gjykata urdhëroi me vendim palën mbrojtëse që të paguante garancinë pasurore prej 5 milionë lekësh në bankë, në mënyrë që vendimi për lirimin e Orest Sotës të bëhej i ekzekutueshëm.

Avokati i Sotës, Julian Mërtiri i tha BIRN se “vendimi ishte i drejtë, ndonëse u vonua për arsye të pakuptimta lirimi i klientit të tij”.

Ndërkohë, prokuroria e Apelit paralajmëroi se pas njohjes me vendimin e argumentuar do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me rekurs.

Gjatë dy muajve të qëndrimit në qeli, avokatët e Orest Sotës kanë pretenduar se shuma prej 863 mijë eurosh që u gjet në makinën e tij ka si burim pasuritë e të atit biznesmen dhe se do të përdorej si garanci për blerjen e një sasie hekuri pranë kompanisë “Kurum”. Sa i përket dy patentave të Tahirit dhe një të trete që i përkiste bashkëshortes së tij, Sota pretendoi se ishin lënë në makinë nga shoferi i ish-ministrit, me të cilin deklaroi se kishte miqësi.

Prokuroria këmbënguli në dyshimin e saj se çështja “Sota” nuk ishte e ndarë nga hetimi i nisur për ish-ministrin Tahiri dhe lidhjet e tij me dosjen “Habilaj”, të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike me Italinë.